advertisement
Fillimi | Opinione | Priftërinj dhe spiunë - Shaban Murati
  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst

Priftërinj dhe spiunë - Shaban Murati

Priftërinj dhe spiunë - Shaban Murati

Besimtarët nuk e kishin ditur se priftërinjtë, ndërsa i faleshin Zotit, i faleshin edhe operativit të sigurimit të shtetit. Ndaj ra si një bombë në grigjën e besimtarëve ortodoksë bullgarë, kur mësuan me 17 janar nga Komisioni i Dosjeve se 11 nga gjithsej 15 peshkopët e Kishës Ortodokse të Bullgarisë kishin qenë agjentë të sigurimit të shtetit të regjimit komunist. Shifra është vërtet tronditëse dhe vetë kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u detyrua të deklaronte më 23 janar se ishte shokuar nga numri i madh i agjentëve të sigurimit të shtetit komunist në radhët e hierarkisë së lartë fetare ortodokse të Bullgarisë. "Unë u trondita nga numri i madh. Unë kisha dëgjuar për një ose dy, por 11 nga 15, kjo është shumë. Unë po flas për ata, të cilët hynë në ndërveprim me shtetin me dëshirën e tyre dhe vullnetarisht u bënë agjentë", - pohoi kryeministri. I vetmi lehtësim që shprehu kryetari i qeverisë bullgare ishte që Patriarku Maksim, i cili udhëheq Kishën Ortodokse Bullgare nuk figuronte në listën e peshkopëve spiunë të shpallur nga Komisioni i Dosjeve. 

Ngjarja shokante e ekzistencës së një përqindje kaq të lartë të hierarkisë fetare të kishës ortodokse si agjentë të sigurimit të shtetit nuk mund të mos ishte tronditëse për opinionin publik, për politikën bullgare, siç qe edhe për besimtarët ortodoksë bullgarë. Dhe, tronditës nuk është vetëm realiteti që sigurimi i regjimit komunist kontrollonte dhe drejtonte faktikisht Kishën Ortodokse Bullgare. Për këdo që ka jetuar në regjimet komuniste të të gjitha vendeve të Europës Lindore, e din fare mirë se, pas valës së parë të persekutimeve dhe të vrasjeve të klerikëve, vala e dytë e politikës së qeverive komuniste ndaj klerikëve ishte rekrutimi i tyre si agjentë të sigurimit të shtetit. Kjo shërbente, jo vetëm për të mbajtur nën kontroll kishat dhe besimtarët, por edhe për t'i përdorur priftërinjtë të depërtonin atje ku agjentët e llojeve të tjera e kishin vështirë të futeshin, pra në shpirtrat dhe në mëkatet e njerëzve. Kjo dukuri nuk ka qenë vetëm bullgare, por karakteristikë e të gjitha shteteve komuniste. Pikërisht për këtë, kjo që po ndodh në Bullgari ka një interes të veçantë, për të kuptuar më mirë të gjitha regjimet komuniste dhe të gjitha vendet ish-komuniste. 

Pamja që dha Komisioni i Dosjeve për klerin e lartë ortodoks bullgar, është saga e dosjeve të hapura dhe të pahapura për klerin në shtetet e tjera ish-komuniste. Ajo që e bën edhe më tronditëse këtë të vërtetë është fakti se tërë rrjeti i peshkopëve dhe i priftërinjve-agjentë të sigurimit të shtetit vazhdon edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas rënies së komunizmit, të regjimit komunist dhe të mekanizmit kriminal të sigurimit të shtetit, që të qëndrojë në udhëheqje të grigjës së besimtarëve dhe të drejtojë liturgjitë e shenjta. Çdo besimtar dhe qytetar ka të drejtë të shtrojë pyetjen se si nuk ndodhi gjatë 20 vjetëve demokraci që një peshkop apo prift të dalë para besimtarëve në kishë dhe t'i rrëfejë popullit se i ka shërbyer sigurimit të shtetit, të pranojë se ka bërë mëkate duke spiunuar besimtarët dhe njerëzit që besonin Zotin, dhe të kërkonte falje. Çdo qytetar ka të drejtë të shtrojë pyetjen se si nuk ndodhi, që asnjë peshkop apo prift nuk dha dorëheqjen gjatë 20 vjetëve të demokracisë dhe të arratisej në jetën e eremitit, duke i kërkuar ndjesë Perëndisë, apo të bashkohej me harrimin tek murgjit ortodoksë në malin Athos të Greqisë, për të shtyrë ditët e fundit. Në vend të kësaj pendese, ata vazhdonin të udhëhiqnin Kishën Ortodokse Bullgare dhe të bënin jetë luksoze duke ngjallur edhe më-rinë e besimtarëve për veturat super të shtrenjta, që përdornin. 

Pikëpyetjet, që ngrihen me rastin e këtij skandali fetaro-agjenturor, janë të shumta dhe ushqehen nga vetë mungesa e skrupullit të këtij rrjeti agjentësh të sigurimit të shtetit, të cilët me rason e tyre të zezë fshihnin uniformat, pseudonimet dhe gradat ushtarake, që u kishte dhënë sigurimi i shtetit, ku për shembull peshkopi i tanishëm ortodoks i dioqezës së Europës Perëndimore dhe Qendrore, Simeon, kishte gradën e majorit. Pikëpyetja e parë e madhe është se a mund të besohet se rrjeti i agjentëve të sigurimit të shtetit mund të ndihmojë realisht demokracinë dhe mund të rindërtojë shpirtrat dhe fenë e gjymtuar nga diktatura komuniste dhe ateiste. Priftërinjtë agjentë kanë qenë vetë pjesë e mekanizmit komunist të shkatërrimit të fesë dhe të besimit tek Zoti me veprimtarinë e tyre pseudo-fetare, ndaj u rekrutuan për këtë qëllim dhe u shpërblyen për këto shërbime. Ekaterina Bonçeva, anëtare e Komisionit të Dosjeve, deklaroi me 18 janar se bashkëpunimi i priftërinjve me sigurimin e shtetit ka qenë me vullnet të tyre dhe priftërinjtë e dinin se, duke bashkëpunuar me sigurimin e shtetit, shanset e tyre për avancim në karrierë do të forcoheshin. 

Pikëpyetja e dytë e madhe është se, mund t'i ndihmojnë demokracisë dhe vlerave demokratike sot këta peshkopë e priftërinj që kanë qenë agjentë të sigurimit të shtetit dhe që nuk patën as shkëndijën më të vogël të shpirtit demokratik për ta shpallur vetë mëkatin e tyre të madh fillestar. Vështirë të mendohet se mund të ketë siguri të plotë sot se peshkopët dhe priftërinjtë spiunë nuk do ta tradhtojnë përsëri shpirtin dhe rrëfimet e besimtarëve të tyre, siç bënin edhe para 20 vjetësh me raportet tek sigurimi i shtetit. Ndaj dhe pjesa më e madhe e intelektualëve dhe e opinionit publik po kërkon dorëheqjen e tyre dhe ish kryeministri bullgar, Ivan Kostov, lider i partisë "Demokratët për një Bullgari të fuqishme" i drejtoi një apel publik agjentëve me raso, që të japin të gjithë dorëheqjen. 

Pikëpyetja e tretë e madhe është se kush i ka trashëguar dhe mund të keqpërdorë lidhjet dhe veprimtarinë e tyre si agjentë të sigurimit të shtetit, pas vendosjes së demokracisë. Shteti nuk është si godina me qira, që sot është një qiraxhi, që nesër ikën dhe merr gjitha plaçkat, dhe në ndërtesën bosh vjen qiraxhiu tjetër. Shteti është godina institucionale që trashëgon listat dhe veprimtaritë dhe vazhdon të përdorë produktin dhe intrigat nga emrat që kanë qenë të rekrutuar. Përvoja e hidhur e të gjitha shteteve ish-komuniste, nga Azia Qendrore e deri në Ballkan, ka treguar se qeveritë e reja, që erdhën pas vendosjes së demokracisë, patën një dashuri dhe mirëdashje të posaçme për agjenturën e rëndësishme të sigurimit të shtetit komunist dhe madje e lanë të paprekur në disa nga pikat më kyçe të shtetit. Nuk është rastësi që disa shtete ish-komuniste akoma nuk dëshirojnë të venë në dispozicion të publikut listat e agjentëve të sigurimit të shtetit. Përrallat se kjo mund të krijojë probleme në shoqëri janë një gjethe fiku për të mbuluar përdorimin e kësaj agjenture edhe sot. 

Në rastin e Bullgarisë dhe të shteteve të tjera ish-komuniste të Europës shtrohet dilema e madhe, që rrjedh nga fakti se shërbimi i fshehtë rus, KGB-ja e famshme e Bashkimit Sovjetik, krijoi, shkolloi dhe ndërtoi themelet e agjencive të sigurimit të shtetit në të gjithë vendet ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë. Kjo do të thotë se në veprimtarinë e ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, pavarësisht nga fusha ku kanë shërbyer, natyrshëm është të mendohet se ka pasur edhe një kanal që transmetonte informacionet në Moskë. Në rastin e peshkopëve bullgarë doli se një nga detyrat e tyre ishte të spiunonin rregullisht lidhur me priftërinjtë dhe peshkopët e kishës ortodokse të Greqisë dhe të Maqedonisë. Nëse dyshimet e lidhjeve të errëta agjenturore të peshkopëve vendas shkojnë përtej kufijve të shtetit, kuptohet se çfarë sigurie mund të mendohet për peshkopë dhe priftërinj që vendosen në kishat kombëtare nga shtete të huaja. 

Akti i shtetit bullgar, që vendosi të publikojë listën e emrave të agjentëve të sigurimit të shtetit në radhët e hierarkisë së lartë të kishës ortodokse bullgare, është një akt i denjë demokratik vetëpastrimi dhe i një ndërgjegjeje të lartë shtetërore, jo vetëm në dobi të shoqërisë së sotme bullgare. Ai është një shembull i madh për qeveritë dhe shtetet e tjera ish-komuniste, sidomos në Ballkan, të cilat ende nuk janë çliruar nga litarët, që la jashtë varrit regjimi i kaluar dhe për më tepër po i përdorin ata vetë litarët për qëllimet e tyre të mbrapshta, që janë të njëjta si ato të kohës së kaluar. Komunizmi ka vdekur në kuadër institucional, por nuk ka vdekur në mentalitetin e shumë prej udhëheqësve të sotëm të vendeve ish-komuniste.

 

Vlerëso tekstin
5.00

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

Tjera nga Opinione
Previous
image
Luftërat paramoderne bashkëkohore - Loretta Napoleoni
Qysh nga fillimi i verës 2014 liderët botërore po kundërshtojnë fuqinë në rritje e IS-it (Shtetit Islamik). I kemi parë t’u paraqesin elektorateve të tyre ...
image
Një ilaç për macet - Sermet Sulejmani
Një mëngjes në kafiterinë time "Tek Sameti" u ndodha para shumë njerëzish që sapo i kishin parë lajmet e fundit në televizor për “bombën” e ...
image
Minatorët e Trepçës, të parët e rezistencës kundër pushtimit – Arif Ejupi
Fillimi i viteve te 80-ta në Kosovë karakterizohet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Tensionet ndërmjet shqiptarëve autokton dhe serbëve kolonialist përshkallëzohen tepër. Shqiptarët edhe pse ...
image
Që “Bukuroshja e Fjetur” të mos vdesë! - Artur Zheji
Shqipëria ngjan ende si në përshkrimet romantike të Rilindjes Shqiptare, me një Bukuroshe të Fjetur, që falë një magjie të zezë apo një mallkimi, ka ...
image
Për historinë dhe amnezinë e certifikuar - Rudolf Marku
Debati për historinë dhe historiografinë duket se ka për të vazhduar për një kohë të gjatë ndër shqiptarët, të cilët ende vazhdojnë të ...
image
“Kanceri” i multikulturalizmit - Walter E. Williams
Presidenti Barak Obama, habiti shumëkënd gjatë Mëngjesit të Lutjeve, ku na dha leksione: “Të mos marrim kot, dhe mendojmë se kjo barbari është ...
image
Mashtrimi i madh i Gruevskit dhe nervozizmi i Juncker-it - Muhamer Pajaziti
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker dhe shokët e tij që drejtonin më parë këtë institucion, ndjehen të tradhtuar dhe mashtruar nga politikani i ...
image
Maqedonia - shtet Oruelian i VMRO-së – Nga Xhelal Zejneli
VMRO-ja, ideologjinë e vet partiake e identifikoi me ideologjinë kombëtare, të cilën pastaj e shndërroi në politikë shtetërore. Me fjalë të tjera, që nga viti ...
image
Shtëllunga leshi - Edison Ypi
Re si shtëllunga leshi që tëhollet me furka për të endur triko dhe çorape nga plaka veshur me të zeza larg në horizont. Shi ...
image
Një dinjitet i sakatosur dhe i vrarë – Fadil Lushi
Para se ta hidhja në letër kryetitullin e këtij vështrimi, fillimisht ia shpjegova një “mikut” tonë. U bëra “pishman” pse ia ftillova, sepse kjo gjë ...
image
Bastionet e reja të Rusisë në Europë - Kevin Sinani
Nëse mendojmë se Serbia është vendi i vetëm që luan edhe me Brukselin edhe me Rusinë, e kemi gabim. Vitet e fundit vihet re një ...
image
Teologjia është një shaka - Aurel Dasareti
Unë gjithmonë kam respektuar fenë e të tjerëve. Siç kam thënë, ka vetëm një Zot dhe shumë njerëz të hutuar. Diskutimet e shqiptarëve në tema teologjike, ideologjike, politike kanë prirje të krijojnë probleme të reja për cilindo problem që zgjidhin. Përderisa të menduarit ka pak ose aspak kontakt me realitetin, arsyetimi ka prirjen të bëhet më i stërholluar e më joreal sa më thellë që futet. ...
image
Shqiptarët dhe sistemi politik i Maqedonisë - Dionis Xhafa
Për të folur për shqiptarët e Maqedonisë, veç pikëpmajes ekonomike, e cila ëhstë thënë dhe stërthënë se lë shumë për të dëshiruar, por ashtu vlen ...
image
Kufijtë e rinj: Nga terrorizmi ideologjik, tek terrorizmi në pragun e derës - Khaled Allam
Kufiri simbolik, duke mos qenë një kufi territorial, merr pjesë në proçesin e globalizmit, por s’mund të jetë kundërhelmi i tij. Ajo është e keqja ...
image
23 Vjetori i Referendumit ... - Refik Hasani
Me rastin e 23 vjetorit të mbajtjes së referendumit ku  më 1 e 2 mars 1992 nga ne banorët e Komunave  të Medvegjës , Bujanocit ...
Next