
A mund të bëhet dialog me këtë Serbi? - Augustin Palokaj
Zyrtarët evropianë kanë të drejtë kur thonë se “për dallim nga Kosova dhe Shqipëria, në Serbi zgjedhjet kanë qenë të rregullta” dhe se liderët e Serbisë kanë legjitimitet të pakontestuar demokratik. Kanë të drejtë edhe të na thonë se politikanët në Kosovë nuk janë edhe “politikanët më të pastër të mundshëm”. Por mënyra se si në Bruksel relativizon të kaluarën dhe në disa raste edhe të tashmen e disa politikanëve në Serbi është shumë e çuditshme. Një zyrtar i BE-së këto ditë madje u mbajti një ligjëratë me tone shumë të ngritur dy gazetarëve kosovarë, të cilët e përkujtuan se mandatari për krijimin e qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka qenë pjesë e regjimit të Milosheviqit, sikur ka qenë edhe presidenti i tashëm i Serbisë, Tomislav Nikoliq. “Jo, jo. Nuk do ta pranojmë lojën tuaj për t’u kthyer kah e kaluara. Duhet të shikoni kah e ardhmja. Lërini emocionet, sepse kjo nuk do të na çojë askund. Nëse shikojmë kah e kaluara, atëherë për secilin mund të shohim se ka qenë pjesë e diçkafit”, pati thënë një ndër zyrtarët kryesorë në Bruksel, i cili merret me Ballkanin, duke insistuar me ngulm: “Nikoliqin e kanë zgjedhur qytetarët e Serbisë dhe pikë”.Nuk është punë e gazetarëve t’u dalin zot politikanëve të Kosovës. As pyetjet lidhur me të kaluarën e errët të politikanëve të Serbisë nuk kanë për qëllim krahasimet dhe arsyetimet e sjelljeve të politikanëve të Kosovës. Madje nuk është vështirë për t’u pajtuar me pohimet se vërtet në Serbi, për dallim nga Kosova dhe Shqipëria, zgjedhjet nuk vidhen dhe janë të rregullta. Por është vështirë për t’u pajtuar me patronizimin “evropian” për të “harruar të kaluarën, sepse ajo nuk na sjell askund”. Kjo e kaluar nuk ka të bëjë as me Betejën e Kosovës, as me Luftën e Dytë Botërore, as me fundin e Perandorisë Otomane. Ka të bëjë me të kaluarën e afërt, e cila është ende pjesë e së tashmes. Ka të bëjë me krimet e luftës, të cilat ende nuk janë hetuar në tërësi. Ka të bëjë me mijëra të zhdukur dhe të pagjetur ende edhe pas 13 vjetësh në Kosovë apo 20 vjetësh në Kroaci e Bosnje. Ka të bëjë edhe me deklaratat e para dy muajsh të mandatarit për krijimin e qeverisë së ardhshme të Serbisë, Daçiqit, se “nuk mund të themi se nuk do të ketë luftë për Kosovën”.
Mund të kuptojmë ndoshta se ndjenjat për krimet e luftës, dhimbja për viktimat, është më lehtë të lihen anash në Itali apo Republikën Çeke. Por, përkujtimi në këto krime dhe rolin që në to kanë pasur strukturat që tash po e udhëheqin Serbinë nuk janë aspak emocionale. Fundi i fundit, është vetë kjo BE e cila deri dje si kriter për pajtim në rajon e përmendte “përballjen me të kaluarën”. E tash, në rastin e Serbisë, nuk kanë asgjë kundër Nikoliqit dhe Daçiqit, e madje i qortojnë ata të cilët përkujtojnë se këta dy ishin dorë e djathtë e Milosheviqit dhe Sheshelit.
Për herë të parë në 20 vjetët e fundit ishte rajoni ai i cili i dha një ligjëratë BE-së. Ishte kjo porosia e të gjitha shteteve të rajonit (përpos Malit të Zi) e dërguar përmes bojkotimit të ceremonisë së inaugurimit të çetnikut Tomislav Nikoliqit si president të Serbisë. Të gjitha shtetet e rajonit e bojkotuan këtë. Bosnja e bëri përkundër presionit të Turqisë, e cila kërkon nga myslimanët e Bosnjës që të mos e përmendin gjenocidin (Turqia ishte i vetmi vend i cili dërgoi nivelin e lartë në inaugurimin e Nikoliqit - atje ishte vetë ministri i jashtëm Davutoglu). Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, i cili në vet shtetin e tij lufton kundër çdo nacionalizmi dhe ekstremizmi, tha se Nikoliqi duhet të heqë dorë nga ideologjia çetnike. Fjalën “çetnik” këtu nuk po e përmendim si ofendim, por vetëm e themi atë që Nikoliq vërtet është. Ai vetë është bërë edhe formalisht “Vojvodë“ i lëvizjes çetnike. Krejt kjo nuk e pengoi Komisionin Evropian që në inaugurim të dërgojë komisionerin, Stefan Fule, ndërsa dy ditë më vonë në nivel më të lartë, me nderimet më të mëdha, ta pranojë në Bruksel Tomislav Nikoliqin. Aq më tepër ishte Nikoliqi ai i cili e bindi BE-në se “kushdo që të formojë qeverinë e re në Serbi – ajo qeveri do të jetë proevropiane”. “Nuk kemi arsye të mos i besojmë Nikoliqit”, thonë tash në BE.
Të na falin për “emocionet”, por fqinjët e Serbisë nuk e kanë aq të lehtë të besojnë në fjalët e mira të liderëve të tashëm të Serbisë dhe zotimet se ata tash “nuk japin përgjegjësi për të kaluarën”.
Kemi ardhur tash në një kohë kur BE-ja nuk do të mund të ketë edhe aq shumë ndikim më në Ballkan. Në Shqipëri, BE-ja nuk ka arritur të ndihmojë në tejkalimin e konfliktit politik. Në Maqedoni BE-ja ka dështuar edhe më shumë duke mos qenë në gjendje të lëvizë nga vendi për shkak të një kontesti krejtësisht emocional me një vend anëtar të BE-së. Nuk do të mund të jetë BE-ja as ndonjë stimulim për vendet tjera si Serbia, Kosova apo Bosnja e Hercegovina. Në fakt BE-ja në të ardhmen do të merret shumë pak me këto vende, ndërsa afati për anëtarësimin eventual të tyre në BE është aq i paparashikueshëm saqë nuk dihet se cila gjeneratë do ta arrijë një qëllim të tillë.
Dashtë zoti që në Ballkan të mos ketë më lufta dhe konflikte, sepse sa për BE-në, mund të përsëriten lirisht edhe krimet siç ishin ato nga e kaluara e afërt. BE-ja vazhdimisht ka dëshmuar se nuk ka as aftësi e as vullnet për të zgjidhur problemet në Ballkan. Ku doni dëshmi më të mirë sesa vlerësimet në BE se arritja më e madhe e tyre është dialogu “Beograd – Prishtinë”. Ku doni dëshmi më të mirë sesa faktin se as baronesha Ashton si përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Ssiguri e as askush nga bashkëpunëtorët e saj nuk e dinin se si duket presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq. Në kohën e internetit, zhvillimit teknologjik, udhëtimeve aq të shpeshta dhe numrit aq të madh të stafit diplomatik që ka BE-ja të angazhuar në rajon të mos e dish si duket ish-lideri i opozitës dhe presidenti i tashëm i Serbisë është hiç më pak sesa arrogancë dhe dëshmi se me sa joseriozitet e marrin punën e tyre.
E ky dialog, që na shitet tash si “sukses historik” i BE-së, të vetmin rezultat konkret që ka sjellë është statusi i kandidatit për Serbinë. Pa dashur të ulim rëndësinë që mund të ketë për 70 persona nostrifikimi i diplomave të tyre, pa dashur të ulim rëndësinë që ka për disa njerëz që të udhëtojnë nëpër Serbi, pak probleme praktike të qytetarëve të Kosovës janë zgjidhur me këtë dialog e edhe më pak pengesa politike janë hequr. Ka ndodhur e kundërta, Kosova ka pësuar shumë në aspektin politik nga ky dialog dhe tash ka hyrë në një situatë në të cilën nuk e di a duhet vazhduar dialogun apo duhet dalë nga ai dhe, nëse duhet dalë, si të bëhet kjo pa i “humbur” ata që i quanim “miq ndërkombëtarë” e që na thanë të hyjmë “lirisht” në dialog. Edhe ato pak marrëveshje të cilat u arritën nuk u zbatuan nga ana e Serbisë dhe, përpos keqardhjes, asgjë nuk bëri BE-ja për ta dënuar Serbinë, por pati mirëkuptim të madh për të.
Tash duhet pritur të shohim se çfarë udhëzimesh do të japin “faktorët ndërkombëtarë” për liderët e Kosovës rreth dialogut. Duhet të shohim se me çka do t’i “inkurajojnë” apo shantazhojnë politikanët tanë që “në interes të së ardhmes evropiane” të bëjnë kompromise të reja në dobi të Serbisë. Por, duke pasur parasysh se edhe deri me tash nuk kishte shumë përkrahje në Kosovë për dialog, qeveria dhe kryeministri duhet të kenë kujdes edhe se si do të pranohej në opinion ndonjë takim i tij eventual me homologun serb, nëse homologu serb do të pranonte të takonte kryeministrin e Kosovës. E njëjta vlen edhe për presidenten. Kemi hyrë tash në një situata kur nuk mund të parashikohet e ardhmja e dialogut, as roli i BE-së e as zhvillimet në Serbi.
Situata e paparashikueshme në Serbi, kthimi i njerëzve të Sheshelit dhe Milosheviqit në pushtet dhe përshëndetja që u bën BE-ja këtyre forcave “proevropiane” edhe një herë dëshmon se sa gabim ka qenë lidhja e fatit të së ardhmes së Kosovës dhe rrugës së saj evropiane me dialogun dhe raportet me Serbinë. Dhe e gjithë kjo po ndodh tash vetëm dy muaj para se të formulohet drafti i të famshmit “Studim i fizibilitetit“ për Kosovën dhe Raporti i Progresit për Serbinë. Ndoshta edhe gjatë pushimeve të verës do të marrim përgjigje në pyetjen se “a mund të bëhet dialog me këtë Serbi”. Nga përvoja e deritashme e dimë se Kosova nuk është ajo që vendos për këtë, por të shpresojmë se liderët kosovarë kanë nxjerrë ndonjë mësim nga e kaluara dhe nuk do t’i dëmtojnë interesat e Kosovës për disa premtime abstrakte për integrime evropiane. Kujdes duhet pasur para së gjithash duke e ditur se pa definimin e territorit dhe njohjes së integritetit territorial dhe subjektivitetit shtetëror, asnjë hap formal nuk mund të bëhet as në integrimet evropiane. E Kosova, nëse vetë hyn në procese të cilat e vënë në dyshim subjektivitetin e saj shtetëror, nuk mund të presë që atë subjektivitet t’ia njohin të tjerët, së paku jo në një të ardhme të afërt.
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj