
Arsimi, biznesi dhe mediat - Ervin Demo
Në 10 vitet e fundit, arsimi i lartë privat është intensifikuar dhe tashmë numërohen dhjetëra universitete private. Ky fenomen ka qenë pjesë e diskutimeve dhe debateve për sa i përket asaj çfarë i ka sjellë arsimit të lartë në Shqipëri dhe nëse këto institucione garantojnë një nivel cilësie e sigurie të pranueshme për realitetin shqiptar. Pavarësisht se disa universitete private kanë punuar intensivisht për të sjellë risi pozitive dhe cilësi në hapësirën e arsimit të lartë, ky sektor vazhdon të jetë në hijen e shumë pikëpyetjeve.
Hapja dhe rritja e numrit të universiteteve private në Shqipëri është një ngjarje e cila ka shoqëruar shumë vende në tranzicion, që prej vitesh po e konsolidojnë këtë sektor duke e ulur numrin e institucioneve private, ndërsa në Shqipëri ky numër duket sikur vazhdon të rritet. Komercializimi i arsimit të lartë është një fenomen shqetësues, i cili merr përmasa të pakontrollueshme në “universitete-biznes”. Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, në Shqipëri është zhvilluar një model i ri në arsimin e lartë privat, “universitet-biznes-media”. Vërehet dukshëm se një numër i konsiderueshëm universitetesh private janë prezente në sektorin mediatik me gazeta apo televizione. Kjo duket si një “Déjà vu” po të kujtojmë mënyrën sesi bizneset më të mëdha, sidomos ato në fushën e ndërtimit, u përfshinë në botën e medias. Arsyet që ata kishin janë të ditura për të gjithë ne. Këtu lind pyetja: përse i duhet një media një universiteti, i cili si mision kryesor ka përhapjen e dijes për të formësuar brezat e ardhshëm? Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, por sjellja e një grupi mediatik dy javët e fundit, na ndihmon në nxjerrjen e disa përgjigjeve. Ky grup mediatik zotëron një universitet privat dhe është i përfshirë në mënyrë direkte në një “përplasje” në dukje midis interesave të dy universiteteve, njëri publik dhe tjetri privat.
Dy gazeta të përditshme dhe një televizion, prej dy javësh, sulmojnë rektorin e Universitetit të Tiranës duke sajuar lajme “bombastike” nëpërmjet manipulimit të informacionit që servirin dhe fjalëve të aktorëve të ndryshëm në jetën akademike. Vlerësimi i kësaj sjelljeje nga pikëpamja e profesionalizmit editorial, i takon ta bëjë vetë media. Pavarësisht, bota e medias e ka dhënë një vlerësim paraprak, duke e lënë të izoluar këtë fushatë vetëm në grupin mediatik përkatës. Çdo media, e cila do të ekspozonte abuzime në institucione publike, është për t’u përshëndetur. Por në të njëjtën kohë, çdo media, e cila sulmon institucione publike, sepse mbrojnë interesat e tyre kundrejt atyre private, duhet të jetë një zile alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Pas kërkesës së një universiteti privat për të marrë në përdorim konviktin e gjuhëve të huaja, pronë e Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit plotëson të gjitha aktet administrative në një kohë të shkurtër. Për më tepër të gjitha këto veprime ndodhin në qetësi të plotë, pavarësisht se Universiteti i Tiranës kishte shprehur interesin e vet për ta marrë në përdorim këtë godinë, pasi ndodhej pothuajse brenda oborrit të Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe Gjuhëve të Huaja. Këto dy fakultete së bashku kanë afërsisht 8 mijë studentë dhe zhvillojnë procesin e mësimdhënies me orë të zgjatura. Pasi Universiteti i Tiranës u ballafaqua me faktin që kalimi i godinës në përdorim të një universiteti privat po bëhej realitet, ka përsëritur edhe njëherë kërkesën e vet nëpërmjet një vendimi të Senatit Akademik drejtuar institucioneve përkatëse. Ky reagim i Universitetit të Tiranës bën që kundërreagimi mos të vinte nga universiteti privat i interesuar për godinën, por nga biznesi që qëndron mbrapa tij, duke përdorur gjithë arsenalin mediatik. Do të ishte krejt normale zhvillimi i një debati publik nëse prioritet për përdorimin e aseteve publike duhet ta kenë universitetet publike apo ato private. Gjithashtu do të ishte e kuptueshme që një universitet privat të përdorte gjithë arsenalin e vetë mediatik për ta shitur tezën që godinat publike të merren në përdorim prej tyre, pavarësisht se ato mund t’u duhen më shumë institucioneve publike, të cilat nuk i kërkojnë për zgjerim të aktivitetit, por për përmirësim të kushteve të mijëra studentëve që kanë nëpër auditorë. Por kjo nuk ndodhi, instinkti primitiv i biznesit mbizotëroi. Kjo tregon edhe sesi vetë universitetet private e projektojnë veten e tyre në hapësirën e arsimit të lartë, si dhe në debate publike. Linçimi i atyre që guxuan t’u dilnin përpara interesave të një biznesi, duke mbrojtur ato publike, u bë pa dorashka, në mënyrë banale dhe amatoreske. Kjo jo për të fituar debatin publik se kush duhet të ketë prioritet në përdorimin e aseteve publike, por për të bërë një shembull që kush guxon t’u dalë kundër interesave të një grupi mediatik, të nesërmen mund të rezultojë i korruptuar.
Në fakt, ky është një sinjal që të dëshpëron dhe të bën pesimist për realitetin ku jetojmë, sepse po ta përkthejmë për aktualitetin e gjerë shqiptar, arrijmë në përfundimin që nëse një administrator publik abuzon me kompetencat që ka, mund të vazhdojë ta bëjë atë për aq kohë sa nuk u prish punë interesave private. Në momentin që interesat private cenohen, atëherë ai do të ekspozohet si abuzues dhe nëse nuk është, do të gjendet mënyra sesi publikisht reputacioni të dëmtohet, qoftë dhe duke manipuluar informacionin. Ky rast është edhe më flagrant, pasi institucioni që po goditet është universiteti më i madh publik në Shqipëri, po goditet edhe vendimi i senatit akademik të këtij institucioni dhe kjo bëhet duke linçuar rektorin prof. Dhori Kulen, për të cilin nuk ka nevojë për fjalë për të treguar rolin që ka luajtur në mbrojtjen e interesave të arsimit në tërësi dhe atij publik në veçanti.
Mediat duhet të jenë garante të interesave publike, stimuluese të debateve publike të shëndosha dhe nuk duhet të kenë një rol në përkeqësimin e situatës dhe standardeve në tërësi. Në lidhje me të drejtën se kush duhet të ketë prioritet në përdorimin e aseteve publike, së pari jetike është që çdo proces të jetë transparent në mënyrë që palët e interesuara të jenë pjesë e procesit, pasi në mungesë të transparencës, më shumë dëmtohen aktorët privatë. Personalisht besoj se situata të imponon që prioritet duhet të kenë institucionet publike… për një arsye shumë të thjeshtë: institucionet publike mbajnë peshën kryesore në arsimin e lartë dhe më e rëndësishme që duhet kuptuar nga të gjithë, është se fuqizimi i universiteteve private në kurriz të universiteteve publike, nuk e përmirëson arsimin e lartë në Shqipëri, përkundrazi ajo e dëmton atë. Universitetet private duhet të sjellin burime shtesë në sektorin e arsimit, si dhe të mobilizojnë kapacitete financiare e intelektuale dhe jo të riciklojnë burime publike, duke i shitur si investime private. Sot, ne kemi shembuj shumë të mirë të universiteteve private, të cilat kanë bërë investime strategjike shumë më tepër nga ato çfarë mund të gjenerojnë nga të ardhurat e studentëve. Institucionet private serioze e përshpejtojnë rrugën e konsolidimit të sektorit arsimor privat, si dhe nxisin rritjen e cilësisë në të dy sektorët. Këta dy sektorë do të vazhdojnë të jenë komplementarë për aq kohë sa asnjë prej tyre nuk arrin të plotësojë i vetëm të gjithë kërkesën për arsimim në Shqipëri. Ky rast i paprecedent tregon gjithashtu që pushtetin mediatik që mund të ketë një universitet privat, e përdor për përfitime nga vendimmarrja e institucioneve publike, në këtë rast Bashkia e Tiranës. Kjo e dobëson argumentin që kanë vetë këto universitete për të kërkuar asete publike, pasi mund të rezultojë që nëse një universitet privat që nuk disponon një media, nuk mund të ketë akses në asetet publike dhe si rrjedhojë dobëson edhe argumentin e vendimmarrësve publikë sesi e bëjnë përzgjedhjen për kalimin e aseteve publike në përdorim të privatëve, në bazë të një politike transparente për të ndihmuar arsimin privat, duke u dhënë prioritet kërkesave të arsimit publik. Këto janë çështje, të cilat mund të kërkojnë edhe një debat të shëndoshë publik, por ajo që ngelet është domosdoshmëria që kanë universitetet publike për godina të reja dhe kjo nuk është çështje luksi, por emergjencë, ashtu si nuk është çështje prioriteti, por detyrimi që ka shteti. Kjo patjetër duke u parë nga këndvështrimi i universiteteve publike, por që ndahet edhe nga shumica e opinionit publik.
Vrasje në Saraj të Shkupit
Një person është vrarë mbrëmë në afërsi të Sarajit të Shkupit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.30, me ç`rast vrasjes i ka paraprirë një zënkë ...- Thaçi: Tradhtarë janë tetovarët që votuan Ahmetin (15)
- Mashtrimi për Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës - Dr.Artan Dika (13)
- Menduh Thaçi ambasadorit Çejku: Ik, the qafën (Video) (10)
- Ahmeti takime në Shtëpinë e Bardhë në Uashington (7)
- Ministria e Shëndetësisë anashkalon specialistët shqiptarë (6)
- 3 vjetori i vrasjes së Komandant Kushtrimit (6)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj