Pas luftës u vetëvranë 40 ish ushtarë të UÇK-së, deri sa Komandant Euro edhe Dollari jetojnë në luks

Valbona Mehmeti në një kolumnë në Koha Ditore tregon për keqtrajtimet që komandantët e UÇK-së iu bënin gazetarëve në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja. “Fatkeqësisht, komandantët nuk silleshin kështu vetëm me gazetarë, por edhe me banorët lokalë. Nëpër varrime të viktimave dhe ushtarëve të vrarë ata vinin me xhipa, duke ecur me pompozitet dhe aktronin një lloj pushteti para popullatës. Gazetarët që raportonin nga lufta i vërenin këto, por sjelljet e tyre arrogante atëbotë i arsyetonin me gjendjen e jashtëzakonshme të luftës. Ishin këta djem që ia kishin kthyer pushkën policisë e ushtrisë serbe dhe kishin ngjallur krenari, vetëbesim dhe shpresë te populli se liria nuk ishte larg. Që e kapën pushkën dhe iu kundërvunë një pushtuesi të egër do ta kenë përjetë respektin e qytetarëve. Por jo edhe për ato që i bënë pas luftës.

Kapadaillëkun që e shprehnin në fshatrat që kontrollonin, me të përfunduar lufta e bartën në qytete dhe në kryeqytet. Uria me të cilën iu qasën grabitjes së shtetit, uzurpimit të pronave publike por edhe atyre private, tregon se ideal i tyre nuk ishte ndërtimi i një shteti të zhvilluar, ku sundojnë ligji e barazia për të gjithë, por pasurimi i shpejtë,” shkruan ndër të tjera kolumnistja dhe vazhdon:

“Komandantët sot bëjnë jetë komode në shtëpi me pishina, i shkollojnë fëmijët në shkolla private, gratë e tyre vishen me markat më të shtrenjta, bëjnë shoping jashtë vendit dhe voziten me vetura luksoze (disa madje “të grabitura” nga sallonet e shitjes së veturave).

Kulturën e superioritetit në emër të luftës e mbollën edhe në familjet e veta. Bijtë e tyre sillen me armë në brez, ndërsa bashkëshortet sillen nëpër dyqane me arrogancë, shpesh duke marrë mallin pa e paguar fare. Mjafton t’ua përmendin shitësve emrat e burrave të tyre dhe nënkuptohet se nuk duhet të paguajnë.

Para disa vitesh gjersa shikoja një setër për femra në një dyqan, shitësja m’u afrua dhe për të më bindur ta blija më tha: “Edhe gruaja e filan komandantit e ka blerë”. 450 euro i shënonte çmimi në etiketë. “A je e sigurt që e ka paguar?”, e pyeta duke qeshur. Shitësja qeshi. Përgjigjen e mora me mend duke e ditur një rrëfim tjetër për gruan e këtij komandanti, kur ishte larguar pa paguar madje edhe një faturë qesharake shëndetësore.

Në përpjekjet për ta kthyer veten në elitë, komandantët ende po i tradhton uria për pushtet. Po ua zhvesh maskat dhe po dalin ata kapadainjtë që “zbritën nga mali”. Këtë e dëshmuan ditëve të fundit me polemikat për tradhti e pabesi në kohën para dhe gjatë luftës.

Për më shumë se një dekadë qytetarët nuk kanë guxuar të flasin publikisht për bëmat e pasluftës së komandantëve. Duke dëgjuar histori kërcënimesh, haraçi e shantazhi ndaj bizneseve dhe individëve, heshtja ishte mënyra e vetme për të mos i hapur vetes telashe. Ishte koha kur komandantët grumbullonin pasuri. Tash kur pasuria e tyre ka arritur milionat, as komandantëve më nuk u bën përshtypje çka shkruajnë mediat as kush çka flet për ta në rrjete sociale. Sepse kanë arritur fuqinë që e kanë synuar: pasuri dhe pushtet.

Gjatë luftës pothuajse të gjithë komandantët mbanin nofka që ua kishin përshtatur pak a shumë karakterit të tyre dhe rrethanave jetësore. Kryesisht numra dhe emra kafshësh të fuqishme. Disa madje tingëllonin qesharake.

Gjatë gjithë këtyre vjetëve të pas luftës kanë mundur të vazhdojnë ta thërrasin njëri-tjetrin me nofka. Por tash me të tjera. Më së miri do t’u përshtateshin: Komandant Euro, Komandant Dollari, Komandant Frangu…

invalidet-uck-proteste_9042-2400x1524_c

 

 

Comments

comments