Patozi: Zgjedhjet në PD, frymëzim se si nuk duhen bërë

Ish-deputeti demokrat, Astrit Patozi, në një status në “Facebook” ka komentuar një studim të Institutit të Studimeve Politike, që drejtohet nga Afrim Krasniqi lidhur me zgjedhjet e 22 korrikut në Partinë Demokratike.

Sipas studimit zgjedhjet në PD faktuan ndër të tjera mungesën e demokracisë së brendshme në parti. Ndaj dhe sipas Patozit këto zgjedhje do të frymëzojnë gjatë studiuesit dhe politiologët.

STATUSI I PLOTË I ASTRIT PATOZIT

Një studim për të mos u humbur i Afrim Krasniqit, ku shpjegohet shumë profesionalisht se kriza e demokracisë tek partitë tona shkakton efekte të rënda për shtetin, sistemin dhe shoqërinë tonë. Autori e merr shtysën kryesisht tek zgjedhjet e brendshme të dy partive të mëdha, duke pasur preçedencë Partinë Demokratike. Jo thjesht për shkak të nostalgjisë, që e lidh me të, por më shumë për arsye të flagrancës së çudive dhe trukimeve, që u vunë re në farsën e 22 korrikut. Studimi trajton me detaje të gjitha shifrat absurde, që çojnë automatikisht në deduksionin se zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike u manipuluan fare trashë. Krahasimi me rezultatet e opozitës në zgjedhjet politike, të cilat ishin mbajtur më pak se një muaj më parë, e bëjnë fare qesharake “fitoren” e Lulzim Bashës.

Kam bindjen e plotë se zgjedhjet e 22 korrikut do të shërbejnë për një kohë të gjatë si referencë negative për studiuesit dhe politologët, ndonëse ka ende thagma të pazbardhura për to. Ato janë shembulli tipik i nevojës që ka politika shqiptare për një shkundje të fortë, që fillon me demokratizmin dhe çbunkerizimin e partive. Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike ka marrë përsipër që ky aksion i madh politik të nisë me reformimin e së djathtës.

Comments

comments