PDSh mbajti mbledhje komemorative në rastin e vdekjes së prof. Zeqirja Fazliu

0

Me rastin e ndarjes nga jeta e ish kryetarit dhe kryetarit të nderit të PDSH-së profesor Zeqirja Fazliu, sot në amfiteatrin e radiotelevizionit Presheva nën patronatin e Partisë Demokratike Shqiptare u mbajt mbledhje komemorative, ku pjesmarrës ishin strukturat udhëheqëse të partisë, përfaqësues të subjekteve tjera politike, drejtues të institucioneve, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe familjarë e miqë të të ndjerit.

Fillimisht sekretari i PDSH-së z. Zejnulla Dauti, të pranishmëve i kerkoi që me një minut heshtje të nderojnë figurën e profesor Zeqirja Fazliut.

Para të pranishmëve nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ilir Sadriu paraqiti një promemorie të shkurtër për jetën dhe veprën e profesor Zeqirja Fazliut.

Në këtë mbledhje, kujtime nga veprimtaria e profesor Zeqirja Fazliut shpalosi edhe bashkveprimtari z. Xhevat Fazliu njëherit anëtar i Këshillit qendror të PDSH-së, ku ndër të tjera theksoi se profesor Zeqirja Fazliun e karakterizonte vendosmëria, urtësia dhe ishte një demokrat i vertetë i cili do te mbahet mend si personalitet i dashur dhe shume i respektuar.

Për fjalim rasti para të pranishmëve u paraqit edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik z. Riza Halimi, i cili i shprehi ngushllime familjes, anëtarësisë së PDSH-së si dhe të gjithë veprimtarëve të çështjes kombatëre.

Z. Halimi revokoi kujtime edhe për periudhën e angazhimit të profesor Zeqirja Fazliut në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, pastaj angazhimin në politikë, kontributin në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, pjesmarrjen në ekipin politik në periudhën e luftës së UÇPMB-së dhe shumë ngjarje e zhvillime tjera, ku për fund theksoi se profesor Zeqirja Fazliu do të mbahet mend si intelektual i çmuar, me kulturë të gjerë dhe qasje të jashtëzakonshme tolerante që i ka dhënë hapsirë gjithëherë dialogut.

Në emër të familjes Fazliu, me fjalim rasti u paraqit Rinon Fazliu, djali i të ndjerit, ku të gjithë të pranishmit i falenderoi për pjesmarrje në mbledhjen komemorative ku si dhe ndarjen e përbashkët të dhimbjes me familjen Fazliu.

Fjalimin e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa për të ndjerin prof Zeqirja Fazliu, po e paraqesim të plotë në vazhdim:

E dashura familje Fazliu,

Me hidhrim të thellë pritëm lajmin e vdekjes së më të dashurit Tuaj e tonin. Ju humbët një bashkëshort, baba, vëlla e gjysh, por edhe ne humbëm një profesor të shkëlqyer, prijës të mençur, intelektual të mirëfillt, bashkëpartiak të palodhur, personalitet tipik studjues që deri në ditën e fundit nuk iu nda librit e shkencës, këshilltar politik të mbarë, e çka jo tjetër.

Profesor Zeqirja Fazliun e njoha për herë të parë vitin 1977 kur isha ulur në bankat e Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë. Një mësimdhënës biologjie që edhe në këto ditë për sa kohë ka evoluar mësimdhënia, nuk ia gjen shokun e as konkurentin. Ishte absolut i qartë në shpjegimin e materies së biologjisë, që inkurajonte brezat e rinj për shkollim e studim.

Për mua dhe shokë të tjerë madje dhe shumë breza të shkollimit të mesëm ishte model i një profesori të shkëlqyer e të vlerë, që ka dhënë një shembull të mirë të intelektualit të palodhur në punë e shkencë. Më vonë, profesorin e ndjerë Zeqirja Fazliun e kisha edhe kolegë pune mu në kohërat e trazirave politike e sociale të fundviteve 1980 e 1990 kur edhe filloi pluralizmi politik në ish Jugosllavinë Titiste.

Duke qenë intelektual i shkathët si në fushën e specializimit të tij prej biologu, nuk qëndroi duarkryq në atë kohë por edhe deri ditët e fundit të tij u rreshtua në radhët e PDSH-së, për të ndihmuar proçeset politike pluraliste në interes të shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Për dhjetë vite me radhë udhëhoqi PDSH-në madje në situatat më të vështira të të bërit politikë në kohën e egërsisë politike në Serbi, periudhën e pushtetit qendror në Beograd të drejtuar nga diktatori apo kasapi i ballkanit Millosheviq. Edhe përkundër një politike diktatoriale e shfarosëse ndaj shqiptarëve, kryetarit Zeqirja Fazliut asnjëherë nuk iu tremb syri.

Edhe në periudhën e organizimit të referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992 por edhe në kohën e luftës së UÇPMB-së qëndroi në krye të partisë dhe popullit duke mbështetur fuqishëm me tërë energjinë e Tij proçeset politike shqiptare në Luginën e Preshevës përkatësisht Kosovën Lindore si që e kishte për shpirti ta theksonte si regjion gjeografik i shqiptarëve autokton.

Tranzicioni i udhëheqjes së PDSH-së në asnjë çast nuk e hidhëroi e as trembi por përkundrazi e forcoi edhe më shumë duke mos iu nda në asnjë çast veprimit politik brenda saj. Për gjith kohën që nga viti 2003 e gjer ditët e fundit ishte këshilltar e kryetar nderi i organeve më të larta të PDSH-së. Me këshillat e Tij të mençura e të bazuara në fakte ndihmoi dukshëm PDSH-në në rrugëtimin e saj politikë.

Mbase, është kumtesa e parë për mua që po e lexoj para Jush, të dashur familjar të të ndjerit Zeqirja Fazliu dhe Ju miq të tjerë pa konsultimin e kryetarit të nderit të PDSH-së tani më të ndjerit Zeqirja Fazliu.

Do të përpiqemi të ndjekim rrugën Tuaj, të ndërtimit të njerëzve të mirë, paqësor, të dashur, të urtë, intelektual e të ngritur shkencorë në trevat tona autoktone.

Qoftë i lehtë, dheu i tokës autoktone shqiptare! Pusho i qetë në truallin e Kosovës Lindore! Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesor e kryetar nderi i PDSH-së Zeqirja Fazliu!

16 prill 2018 në Preshevë

Kryetari i PDSH-së
Dr. Sc. Ragmi MUSTAFA