Pence: SHBA do të angazhohet për të ardhmen e Kosovës në NATO

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, ka thënë sot në Podgoricë se SHBA-të do të angazhohen që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut dhe për të ardhmen në NATO.

Sipas Pence, SHBA-të do të vazhdojnë të përkrahin proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë.

“SHBA do të angazhohet që të eliminohen të gjitha pengesat që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut dhe për të ardhme në NATO. SHBA vazhdon të përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve e për fqinjësi të mirë. SHBA është mirënjohëse për luftimin e terrorizmit dhe përgëzon suksesin në parandalimin e sulmeve terroriste të planifikuara në territorin e Shqipërisë, të Maqedonisë e të Kosovës”, ka thënë Pence.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke besuar se kjo pjesë e Evropës i takon Perëndimit, ka deklaruar zëvendëspresidenti, Mike Pence. Këto komente, zëvendëspresidenti amerikan i bëri në Podgoricë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare e cila është cilësuar si historike për Malin e Zi dhe Ballkanin.

Përveç takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi, Pence ka mbledhur në një takim edhe liderët e vendeve të Ballkanit, në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon.

“Kryetari i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump personalisht është treguar i përkushtuar për rajonin dhe ishte nder për mua ta vizitoj Malin e Zi”, tha Pence. Ai lavdëroi Malin e Zi për qëndrimin pro-perëndimor dhe për anëtarësimin në NATO.

Karta e Adriatikut, vijoi ai, ka një rol të veçantë për Evropën dhe NATO-n.

“Andaj, Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump do të vazhdojnë t’ju mbështesin”, tha Pence.

Comments

comments