Pendarovski: NATO, alternativa më e mirë për Maqedoninë

0

Aleanca Veri-atlantike mbetet alternativa e vetme për Maqedoninë, sikurse integrimi në Bashkimin Evropian. Drejtuesit e institucioneve, liderët e partive politike, apo faktorë të tjerë, mund të mendojnë apo të bisedojnë edhe për mundësi tjera, por asnjëra prej tyre nuk e përmbush atë që ofron NATO-ja dhe BE-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë, Stevo Pendarovski, koordinator nacional për Aleancën Veri-atlantike.

Ai thekson se Maqedonia që nga pavarësia e saj në fillim të viteve ‘90, ka bërë të qartë perspektivën e saj evropiane dhe se është koha që të fillojë të realizohet ky synim, pavarësisht sfidave që ende e pengojnë këtë rrugëtim të gjatë.

“Unë mendoj se ne deri në mëngjes mund të bisedojmë për alternativa, megjithatë variant më të mirë se agjenda e dyfishtë e integrimit, nuk mund të gjejnë, pra integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Unë, nuk shoh alternativë më të mirë për Maqedoninë, duke marrë parasysh kohezionin si shoqëri, duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të popullatës që jeton në këtë vend, apo duke marrë parasysh potencialet për prosperitet dhe zhvillim ekonomik”.

“Këto mund të arrihen vetëm se në këto organizata ndërkombëtare”, thotë Pendarovski, i cili në zgjedhjet e fundit presidenciale ishte edhe kandidat për kryetar shteti i propozuar nga social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev.