Përçahet Lëvizja BESA, një parti me dy kryetarë?!

0

Lëvizja BESA zyrtarisht është përçarë në dysh, duke funksionuar në dy fronte të ndryshme. BESA që ishte shpresëdhënëse dhe që synonte që të jetë subjekti i fuqishëm opozitar shqiptar,  shënoi rezultate të mëdha si një parti e re, duke u përfaqësuar kryesisht nga figura të reja politike. Por ajo sot u nda përfundimisht në dy rrugë, informon INA.

Nëri nga fraksionet partiake udhëhiqet nga grupi i Tetovës i kryesuar nga lideri i deritanishëm Bilall Kasami, Adnan Azizi dhe në anën tjetër nga grupi ku janë pjesë degët e Shkupit dhe Kumanovës, të drejtuara nga deputetët Afrim Gashi, Nexhdebin Kahremani, Zeqirija Ibrahimi, Zejd Rexhepi si dhe Arben Labënishti nga dega e Strugës.

Përçarja u dëshmua edhe me mbajtjen e këshillave qendrore paralele. Në Tetovë në mbledhjen e mbajtur për kryetar u zgjodh që të mbetet Bilall Kasami, deri në organizimin e Kongresit partiak në fund të muajit shkurt.

Ndërsa në Shkup në mbledhjen e pjesës të Këshillit Qendror për kryetar u zgjodh Nexhbedin Kahremani, deputeti dhe anëtari më i vjetër i Lëvizjes BESA.

Në këtë mbledhje u diskutua për përgjegjësinë për rezultatin, bllokimin e partisë dhe shkeljen e statusit nga ana e Bilall Kasamit. Ai tha se për këtë arsye, Këshilli Qendror  vendosi shkarkimin e Bilall Kasamit nga detyra e kryetarit të Lëvizjes BESA. Ditëve në vijim priten lëvizje dhe vlime të tjera përbrenda kësaj partie, e cila tashmë po mbijeton një tronditje të rëndë, ashtu siç pësuan RDK dhe partitë e tjera në Maqedoni. (INA)

Komentet

komentet