Plaçkitet një zyrtar i Drenasit nga disa persona me uniformë të policisë

Në orët e para të mëngjesit të së martës (rreth orës 02:00), tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë hyrë në një shtëpi në fshatin Sankoc të Drenasit. Të njëjtit janë paraqitur kinse janë Policia Speciale dhe me forcë kanë grabitur portofolin e viktimës-mashkull në të cilin kishte 650 euro dhe dokumentet personale.

Gazeta Express mëson se personi që është grabitur nën kërcënimin e armës është një nga zyrtarët në komunën e Drenasit, bëhet fjalë për M.R.

Rastin për Express e ka konfirmuar edhe Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës, e cila tha se përveç grabitjes nuk është raportuar për të lënduar dhe se policia po merret me rastin

“GRABITJE Fsh. Sankoc, Gllogoc me daten 05.12.2017 rreth ores 02:00. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka informuar se tre persona të maskuar, kanë hyrë me forcë në shtëpinë e tij dhe nën kërcënim të armëve i kanë grabitur portofolin në të cilën kishte 650€ dhe dokumentet personale. Nuk raportohet për të lënduar, njësit policore janë duke hetuar rastin”, tha Ahmeti.

Express ka kontaktuar edhe me M.R por ky i fundit tha se nuk dëshiron të prononcohet pasi siç tha ai i ka thënë të gjitha në Polici. /Sovrani/

Comments

comments