Plani i PDK-së për ta djegur Ramush Haradinajn

Derisa Kosova është në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po jepen mendime të ndryshme për formimin e Qeverisë së re.

Zyrtarë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, si opsion kanë përmendur edhe Qeverinë teknike.

Lufti Haziri, nënkryetar i LDK-së dhe njëkohëshisht kryetari i Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se formimi i Qeverisë Teknike është plan i PDK-së, në mënyrë që ta djegin liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, i cili është kandidat i koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeministër.

“Po duan t’ia bëjnë ngjajshëm sikur më 2014, kur e lanë pa mbështetje politike”, ka thënë Haziri në një debat televiziv.

PDK: Do t’i sigurojmë numrat për Haradinajn kryeministër

Image

Bislim Zogaj

FOTO GALERI

Por, në PDK e kanë mohuar nisjen e një plani të tillë. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, kandidati i kësaj partie për deputet Bislim Zogaj, ka thënë se në PDK ende nuk është diskutuar asgjë.

Ai ka sqaruar se PDK-ja është e sigurt në fitoren e saj dhe në Ramush Haradinajn kryeministër.

“Sa i përket deklaratës së Lutfi Hazirit, por edhe të politikanëve tjerë, ato mund të jenë deklarata ose opinione personale, kështu që për momentin PDK, gjegjëshisht koalicioni PAN, e konsideron veten si fituese e zgjedhjeve, prandaj edhe do të sigurojmë numrat për ta bërë qeverinë në krye me Haradinajn”, ka deklaruar Zogaj.

PDK kundër Qeverisë teknike

I pyetur nëse Qeveria teknike do të ishte një zgjidhje e duhur për Kosovën, anëtari i PDK-së ka thënë se më mirë është të shkohet në zgjedhje të reja, sesa formimi i një qeverie të tillë.

Ai ka dhënë edhe arsyet pse mendon kështu.

“Nuk mendoj se është zgjidhje Qeveria teknike. Mendoj që më mirë do të ishte të shkohej në zgjedhje të reja, se sa të formohej Qeveria teknike, sepse ajo mund të jetë afatshkurtër dhe përsëri duhet të shkohet në zgjedhje. Kështu që mendoj që Qeveria teknike në rastin konkret është e paqëndrueshme, sepse nuk do të zgjidhte asnjë problem. Ajo do të mund vetëm të zgjaste një status quo, e cila do të shkonte në dëm të qytetarëve të Kosovës, ku do të mbetej peng i pritjes për zgjedhjet e ardhshme. Shku për shku në zgjedhje, është më mirë të shkohet menjëherë, se sa pas një qeveri teknike, pas 5 ose 6 muajve, më së shumti një vit. Nuk ka vend për qeveri teknike”, ka theksuar Bislim Zogaj.

Ironizon Nisma: PDK me rënien e saj, s’mund ta djegë më askënd

Image

Isa Xhemajlaj

FOTO GALERI

Ndërkohë, në Nismën për Kosovën, janë të bindur që PAN do të formojë Qeverinë e re.

Isa Xhemajlaj, kandidat për deputet nga kjo parti, i ka thënë gazetës “Bota sot” se PDK me rënien e saj në zgjedhje, nuk ka komoditet për ta djegur askënd.

Ndërsa, i pyetur se me cilën parti do të bëjnë koalicion PAN për formimin e Qeverisë, Xhemajlaj ka thënë se ende nuk është vendosur.

“Mendoj që PAN do ta bëjë Qeverinë. PDK me këtë rënie, nuk ka komoditet ta djegë më askënd. Ende nuk kemi ide se cila nga partitë do të ofrohet për pjesëmarrje në qeveri”, ka deklaruar Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën.

Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyrtarë të partisë së Ramush Haradinajt, nuk kanë dashur të komentojnë deklaratën e nënkryetarit të LDK-së Lufti Haziri.

“Koalicioni me PDK-në, vetëvrasja politike e Ramush Haradinajt”

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti ka vlerësuar se Haradinaj ka bërë “vetëvrasje politike” në momentin që ka nënshkruar koalicionin parazgjedhor me partinë-shtet, PDK-në.

Ai ka thënë se një gjë e tillë tashmë është evidente edhe për opinionin e gjerë politik.

Image

Hidajet Ahmeti

FOTO GALERI

“Koalicionet e panatyrshme parazgjedhore nuk prodhojnë rezultate të mira, kjo u vërtetua edhe në rastin e PAN-it. Por, assesi në politikë nuk duhet bërë kalkulime aritmetike në rastin e koalicioneve të panatyrshme, pasi që elektorati  do ta shpreh vullnetin e tij me anë të votës, dhe domosdo ndëshkimi është i pranishëm brenda suazave të vullnetit të elektoratit”, është shprehur Ahmeti.

Megjithatë, sipas tij, deklaratat si ajo e Hazirit për një Qeveri teknike, më shumë konsiderohen si deklarata të pamatura dhe të pamenduara mirë.

“Deklarata të tilla nuk mund të shpjegohen brenda korrnizës juridike e institucionale, por më shumë mund të konsiderohen si deklaratë emocionale e të rastit, të cilat nuk përkojnë me realitetin  faktik. Mbi të gjitha, në demokracitë parlamentare vullneti qytetar duhet të respektohet dhe mbi të gjitha numrat brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës determinojnë formimin e qeverisë së re”, ka theksuar analisti Ahmeti.

Ai ka thënë se nuk duhet humbur kohë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe se nuk ka nevojë për panik, pasi qeveria e ardhshme do të formohet brenda kornizës së kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë

“Kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Kryekuvendarit dhe mandatarit për formimin e qeverisë, prandaj nuk duhet humbur kohë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke respektuar hierarkinë e akteve normative, dhe duhet larguar nga fjalori deklaratat të cilat më shumë kanë për qëllim shpërqendrimin e opinionit publik e në këtë rast edhe manipulimin e tyre se sa që përkojnë me realitetin politik e institucional në vend. Mbi të gjitha, duhet respektuar kushtetutshmerinë dhe ligjshmerinë , e jo të bëhen deklarata,  të cilat nuk i ndihmojnë precesit të shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Në ka nevojë për panik, qeveria e ardhshme do të formohet brenda kornizës së kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë, të cilat specifikojnë qartë procedurat për formimin e qeverisë së Kosovës pas qartifikimit të rezultateve zgjedhore”, ka shtuar analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Comments

comments