Policia financiare në aksion, shkundet një institucion për keqpërdorime

0

Zëvendëskryeministri Koço Angjushev nuk ka qenë i informuar se policia financiare ka hyrë dhe se e heton punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Këtë e deklaroi Angjushevi, duke u distancuar me arsyetim se ai është zëvendëskryeministër vetëm për ekonomi dhe se kjo çështje nuk është nën kompetencat e tij. Edhe pse ai nuk e di nëse informacioni është i saktë apo jo, TV21 mori konfirmim nga drejtori i policisë financiare – se po hetohen dokumentet për 3 vitet e kaluara të punës së Antikorrupsionit.

“Unë nuk jam informuar se ndonjë polici ka hyrë në Komisionin Anti-korrupsion dhe nuk kam dijeni të tillë. Nuk e di nëse është e saktë, apo jo. Pra, unë jam zëvendëskryeministër për ekonomi dhe nuk kam informata për këto aktivitete”, tha Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për Ekonomi.

Me hyrjen e policisë financiare në Komisionin Anti-korrupsion është bërë sulm direkt ndaj këtij trupi i pavarur, thotë ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Arif Musa. Ai pajtohet se joefikasiteti është një prej epiteteve që i meriton jo vetëm kjo përbërje, por edhe të gjitha që kanë qenë më herët. Se ka pasur dyshim ose mundësi për keqpërdorim të tillë të parave të popullit në këtë institucion, është diçka e pabazë, u shpreh Musa. Sipas tij, ky është vetëm presion që anëtarët e komisionit sa më shpejtë t’i paraqesin dorëheqjet e tyre dhe të krijohet komision i ri, i cili do të jetë i afërt me pushtetin aktual.

“A e dini si është kjo, ngjan sikur ata duan komision të ri dhe vendosën këtë ta zgjidhin me trysni për të paraqitur dorëheqje. Nuk flas për efikasitetin, nuk i mbroj në atë pjesë. Domethënë, pushteti tani po merret me këtë Komision, sepse dëshiron ta ndryshojë përbërjen e tij. Absolutisht është ashtu”, tha Arif Musa, Ish-anëtar i komisionit Anti-Korrupsion.

Drejtori i policisë financiare, Arafat Muaremi, në deklaratë ekskluzive për TV21, tha se ata po veprojnë sipas kompetencave të tyre, pas urdhrit paraprak të prokurorit publik.

“Si do të rrjedhin ngjarjet dhe si do të jetë mënyra e marrjes së dëshmive, mbi bazë të këtyre dokumenteve, ne nuk mund të përcaktojmë nëse me të vërtetë janë keqpërdorur ato para, por hetimi do ta tregojë atë”, u shpreh Arafat Muaremi, drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare.

Pas revizionit të brendshëm në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit, në opinion u zbulua edhe se ka dyshim se Antikorrupsioni i ka keqpërdorur paratë për shpenzimet rrugore. Pas trysnisë nga opinioni dhe mediat, 5 nga 7 anëtarët tashmë i kanë paraqitur dorëheqjet e tyre, përfshirë këtu edhe kryetarin Igor Tanturovski, i cili pohon se është i pastër dhe se bëhet fjalë për presion që po e bën pushteti.

Komentet

komentet