Premiera “G”, sonte në Teatrin e Komedisë, Shkup

Teatri Shqiptar në  Shkup informon se  Premiera “G”, shfaqet sot (të mërkurën në mbrëmje, në ora 20:00), në skenën e Teatrit të Komedisë, dramë satirike e autorit Gjergj Fishta, e cila mund të vërë në dilemë publikun nëse është shkruar sot, apo vite më parë. Rushiti sjell një lexim ndryshe të veprës satirike të Fishtës, jo letrar, por siç shprehet regjisori një tentativë për të kapërcyer nga një botë reale në sureale dhe për të fshikulluar fenomene tipike negative jo vetëm për shoqërinë shqiptare. Pa e prekur, as vargun dhe as rimën, Rushti e ngjit në skenë veprën dhe ngjarjet në një këndvështrim kontemporan, një teatër muzikor brehtian.

“Në fakt është një sublimat nga krijimtaria e tij satirike, një përmbledhje e më shumë pjesëve prej tij, që janë një lexim jo letrar i vargjeve dhe i gjuhës së bukur fishtiane, por një lexim reverzibël i veprës së tij. Edhe pse bëhet fjalë për shoqërinë shqiptare fenomenet janë jo vetëm aktuale, por edhe universale. Qëllimi është që në skenë të të vijnë ato fenomene të cilat e kanë inspiruar autorin për të kamxhikuar dukuritë negative. Kjo temë është aq aktuale saqë të rrëqeth kur mendon se autori ka qenë aq gjenial saqë ka arritur të përshkruajë shoqërinë, apo e ka shkruar veprën në ditët e sotme”, thotë Rushiti. Vepra është punuar për rreth tre muaj nga ekipi i aktorëve, si Adem Karaga, Vjollca Bekteshi Hamiti, Aida Elezi, Blerim Dardhishta, Fisnik Zeqiri, Genci Mirzo, Dritëro Ame dhe Visar Etemi. Skenografi dhe kostumografia është realizuar sipas idesë së regjisorit, ndërkaq asistuan Enes Deari, përkatësisht Enes Gola, Videot janë të Osman Demirit, ndërsa muzika nga Pasionare Asllanaj.

“Përzgjedhja e muzikës ka qenë një proces pak më specifik, ashtu si edhe vetë shfaqja. Ka qenë një punë e vështirë për të sjellë një kolazh që përmbledh muzikën e të gjitha trevave, që është në përshtatje dhe në funksion me vetë veprën, lojën aktoriale dhe që e konfiguron në formën më të plotë këtë shfaqje”, thotë Asllanaj. Aktorja Vjollca Bekteshi që luan dy role, Cuca dhe Engjëllin thotë se ka qenë një proces i vështirë, sidomos transformimi i madh nga një rol në tjetrin. premierës. “Ajo që na ka motivuar më shumë ka qenë energjia e madhe për ta nxjerrë sa më mirë Fishtën në skenë dhe besoj se nuk do t’ju zhgënjejmë publikun ”, thotë Bekteshi.

Pas premierës, shfaqja “G” do të vihet në skenë në muajin shtator, në hapjen e sezonit artistik të teatrit.

Comments

comments