Problemi i fjalës së nderit

Ramush Haradinaj ballafaqohet me një problem objektiv: e tërë struktura e qeverisjes mbështetet vetëm te fjala e tij. Dhe sado e fortë të jetë, fjala e tij tash bëhet pengesë

Veton Surroi

1.

Pashë hidhërimin e Ramush Haradinajt, të nominuarit të PAN-it për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, me mungesën e përgjigjes së partive të tjera shqiptare ndaj kërkesës së tij për takim. Në një intervistë televizive nuk mundi të fshihte ndjenjën e befasisë së përzier me ofendim se si shpërfillet ftesa e tij, kur “unë jam po ai Ramush Haradinaj që kam qenë, nuk kam ndryshue”.

Duke e njohur prej vitesh, e kuptoj ndjenjën e tij. Ajo që e karakterizon prej kohësh është forma e drejtpërdrejtë e komunikimit, që bazohet në një kod pothuajse mesjetar të fjalës së dhënë, të shtrëngimit të dorës si kontratë më e fortë se cilado e shkruar dhe e verifikuar në noteri a gjykatë. Në këtë kuptim, Ramush Haradinaj nuk besoj të ketë ndryshuar: çdokujt do t’i flasë drejtë e me respekt, dhe prej çdokujt është e natyrshme të presë t’i flasin njëjtë.

2.

Problemi me të cilin ballafaqohet Ramush Haradinaj, megjithatë, është paradoksalisht mu ky, i mbështetjes te fjala e tij. Dhe ky problem ka natyrë të dyfishtë.

Së pari, AAK-ja është pjesë e koalicionit me PDK-në, një parti e cila është përgjegjëse për kapje të shtetit (gjë të cilën e ka thënë publikisht Haradinaj deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me të). Për ta formuar Qeverinë, në rrethana kur në të nuk duan të hyjnë partitë shqiptare me 61 deputetë, Qeveria Haradinaj do të duhej të kishte mbështetjen e të gjithë minoritarëve, përfshirë Listën Srpska dhe disa deputetë që do të shkëputeshin prej grupit “61”. Pra, Qeveria Haradinaj do të duhej formuar prej partisë shqiptare, e cila tashmë prej të gjithëve konsiderohet si përgjegjëse për kapje të shtetit dhe prej Listës Serbe, e cila shprehimisht deklarohet se punon për interes të Qeverisë së Serbisë dhe kundër interesit të Republikës së Kosovës. Në një këso Qeverie, progresi (dalja nga stagnimi, reforma, konsolidimi i shtetit, etj) do të bëheshin vetëm falë fjalës së Ramush Haradinajt. Pra, qytetarët ftohen që t’i besojnë fjalës së tij. Në histori ky mund të jetë kod mesjetar, por në politikë personalizimi i tërë një strukture të ndërlikuar vendimmarrëse siç është ndërtimi dhe funksionalizimi i koalicionit, e pastaj zbatimi i një qeverisjeje mund të tingëllojë i mirë vetëm në diktaturë. Vetëm në diktaturë individi pret që vartësit e prijësit të zbatojnë urdhrat e tij. E, siç pamë në trevat tona, as diktaturat nuk kanë mundësi përsosjeje – diktatori gjithnjë do të ankohet se kjo gjë apo tjetra nuk bën, ngase nuk pati disiplinë të mjaftueshme revolucionare. Dhe, me gjithë një përpjekje imagjinative, nuk shoh se si as edhe një diktaturë do t’i vinte në lëvizje ministrat e PDK-së dhe të Listës Serbe që të funksionojnë për të mirën e Kosovës siç premton R. Haradinaj.

3.

Arsyeja e dytë pse mbështetja vetëm në fjalën e Ramush Haradinajt është e pamjaftueshme, qëndron në një përvojë jo të mirë në të kaluarën. Në kohën kur AAK-ja ka qenë në Qeveri, gjegjësisht në krye të saj, prej vitit 2004-2007, përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri kanë krijuar një listë të konsiderueshme dëmesh për vendin. Gjatë mandatit të Bujar Dugollit, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, privatizuesi i “Ferronikelit” nënshkroi marrëveshje preferenciale me KEK-un për furnizim me rrymë, me të cilën ne si qytetarë u obliguam që ta paguajmë rrymën për “Alferonin” (gjashtë milionë euro në vit). Gjatë mandatit të Et’hem Çekut, ministër i Energjetikës, u bë përpjekja që me “aksham pazar” Kosova të nënshkruante një kontratë për ndërtimin e termocentraleve të kapacitetit 2100 MW. Kontrata qe sajuar ashtu që Kosovës t’i mbetej pluhuri dhe hiri, ndërsa investitorit qymyri dhe profiti nga eksporti i rrymës.

Këta ishin ministrat e Qeverisë së AAK-LDK-së kryesuar nga Bajram Kosumi, i cili me gjithë shumë përpjekjet për të kujtuar ndonjë trashëgimi të tij do të lërë në kujtesë broshurat që i shtypte pas çdo vizite jashtë, me fotografi të detyrueshme të policëve me motoçikletë të cilët hapnin rrugë: “besoni a jo, jam unë kryeministri!”. E gjatë mandatit të pasuesit të tij, Agim Çeku, u bë tenderi i telefonisë mobile. Në të, konsorciumi i cili fillimisht fitoi tenderin, por nuk përmbushi pagesën, do të duhej t’i linte arkës së shtetit 16.2 milionë euro. Këto para duhej të arkëtoheshin automatikisht nëpërmjet garancisë bankare të depozituar më herët. Paratë nuk u paguan ndonjëherë. Në krye të Qeverisë ishte Agim Çeku, i cili e mori librezën e anëtarësisë së AAK-së pak para se të bëhej kryeministër, ndërsa në krye të Autoritetit Rregullator ishte Anton Berisha, i cili u bë më pastaj nënkryetar i AAK-së.

E vërtetë, që të gjithë këta asokohe vepronin, ndërsa Ramush Haradinaj gjendej në Hagë me një akuzë, e cila, siç do të konstatonte Gjykata, nuk kishte mbështetje. Por po aq e vërtetë është se ata nuk do të mundë të vepronin po të mos ishin mbështetur në fjalën e Ramush Haradinajt. Bajram Kosumi dha dorëheqjen kur kuptoi se nuk e ka mbështetjen e Haradinajt, Agim Çeku e mori postin me të kuptuar që të gjithë se e ka përkrahjen e tij.

Dhe, rëndësia e përkrahjes nuk u pa vetëm gjatë qeverisjes, u pa edhe në opozitë. Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së, u bë përcjellës i Hashim Thaçit në procesin negociator të Brukselit, i cili e solli Kosovën në prag të dhunimit të sistemit të vet kushtetues, me nënshkrim të Hashim Thaçit dhe pastaj të kryeministrit Mustafa.

4.

Bujar Dugolli, Et’hem Çeku, Agim Çeku, Bajram Kosumi, Anton Berisha e Blerim Shala, me gjithë dallimet që kanë mes vete i përbashkojnë më tutje disa pika.

Që të gjithë kaluan një rrugëtim prej AAK-së në PDK, një rrugëtim që kur e bëjnë njerëz të këtillë me dallime mes vete duket se bëhet i natyrshëm, si për ta ashtu edhe për ata që do të vijnë më pas.

Që të gjithë bënë veprime të dëmshme ndaj vendit, në forma të ndryshme e nga asnjëri prej këtyre veprimeve nuk rrodhi përgjegjësia – as individuale e tyre e as e AAK-së, si parti e cila u mundësoi që të bëjnë dëme.

Dhe, që të gjithë qenë aty jo në saje të aftësive vetjake, por sepse qenë të përzgjedhurit e Ramush Haradinajt.

R. Haradinaj, natyrisht, nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimin e tyre individual – jo se jo duke qëndruar me vite në qeli në Hagë. Por nuk do të ishin në ato pozicione po të mos ishte vendimi i tij. Dhe besimi i të gjithë të tjerëve në fjalën e Ramush Haradinajt: nëse ai i ka përzgjedhur duhet të jenë të mirë, të ndershëm dhe mbrojtës të interesit të vendit.

Andaj edhe problemi është tash kur të gjitha lidhen me besim. Ramush Haradinajt i besohet, por ky besim nuk përcillet te partnerët e tij të koalicionit, ndërsa bazuar në të kaluarën, as te vartësit e tij. Rrjedhimisht, koalicioni i ardhshëm qeverisës vështirë të ndërtohet në saje të fjalës së nderit. Më e fortë del se është kontrata. Dhe siç do të mundë të shihet, apo shpresohet të shihet, më pak e kushtueshme për vendin. (KOHA ditore)

Comments

comments