Qarqe serbe duan të inskenojnë incidente në kufirin me Maqedoninë, ja kush thotë

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë demanton shkrimet në mediumet serbe, se gjoja në kufirin Maqedoni-Serbi janë paraqitur grupe të armatosura shqiptare. nga MPB maqedonase vlerësojnë për Gazetën Lajm se bëhet fjalë për skenarë që përgatisin qarqe serbe në bashkëpunim me qarqe të caktuara në Maqedoni, të ngjashme me ngjarjet në Kumanovë në vitin 2014. në MPB thonë se janë duke përcjellë ;do aktivitet dhe premtojnë se nuk do të lejojnë të përsëriten “skenaret nga koha e qeverisjes VMRO-BDI”.

Ndryshe Televizioni serb B92 ka publikuar një shkrim duke iu referuar gazetës serbe Veçernie Novosti, sipas së cilit një raport i shërbimit sekret serb ka ngritur alarmin se shqiptarët po nxisin një konflikt ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Sipas artikullit,” në këtë skenar janë përfshirë shqiptarët por edhe një pjesë e autoriteteve të Maqedonisë”.

Duke cituar shërbimin sekret serb BIA, Vecernie Novosti thekson se “grupe të armatosura shqiptarësh janë infiltruar në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë”.

Duket shumë me spec ky shkrim që ka të gjithë formën e një artikulli dezinformues pasi nuk ka asnjë shenjë që në Maqedoni po përgatitet një trazirë.

Shkrime të ngjashme u botuan në mediat serbe edhe në vitin 2015 përpara ngjarjes tragjike të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

B92, duke iu referuar Vecernie Novosti-t, gjithsesi thekson më tej se “shqiptarët kanë siguruar ifnormacione të ushtrisë dhe policisë serbe dhe me të cilat do të kryejnë veprime diversioniste”.

Sipas shkrimit në fjalë, “qëllimi i planit është që të krijohen kushte për protesta dhe kundërshti të Shkupit ndaj Beogradit pas veprimit në terren të këtyre grupeve militare, të cilat do të dhunojnë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, duke u intpretuar si një rebelim i armatosur”.

Po sipas planit që i referohet BIA-s serbe, “synimi është që “të akuzohet Beogradi për pretendime territoriale”.

Fakt është se kufiri që i referohet gazeta serbe që mund të ndodhin trazirat është praktikisht një kufi mes shqiptarësh. Kjo pasi vija kufitare e Maqedonisë dhe Serbisë ndahet pikërisht në Luginën e Preshevës, fakt ky që ngre një dyshim të madh që shërbimi serb apo bashkëpunëtori i tij më i madh që është inteligjenca ruse, e cila ka qendrën rajonale në Nish, po përgatit një skenar të tmerrshëm që të destabilizojë Ballkanin.

Dhe siç duket, synimi ruso-serb është që të vendosë një njollë të madhe në Preshevë, në mënyrë që nëse nis diskutimi për ndarjen e Kosovës, Presheva të mos hyjë në të, nëse në këtë zonë do të ketë trazira të armatosura.

Por shërbimi serb nuk ndalet këtu. Siç bën të ditur B92, pjesa e dytë e planit që publikon Veçernie Novosti konsiston në arrestime fiktime që autoritetet maqedonase do të nisin ndaj një rrjeti serb në Maqedoni. Këto arrestime do të jenë kundër ish-anëtarëve të forcave speciale dhe shërbimit sekret të kohës së Gruevskit, pra që drejtoheshin nga kushëriri i tij Mijallkov.

Pikërisht kjo pjesë e shkrimit, nxjerr në fakt edhe qëllimin real të gjithë të ashtuquajturit “plan” që publikohet në media nga shërbimi sekret serb.

Duket se bëhet fjalë për një “profilaksi” për të ndaluar arrestimet e ish-agjentëve të Mijallkovit që akuzohen në vendin e tyre për shkelje ligji dhe të të drejtave të njeriut.

Duket se shërbimi sekret i Beogradit frikësohet se nëse happen “petët e lakrorit”, atëhere zbulohet edhe bashkëpunimi i ngushtë i Gruevskit me Beogradin e Moskën për të destabilizuar jo vetëm Maqedoninë por edhe rajonin, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos faktorizohen.

 

Comments

comments