
Gjykata shfajëson të akuzuarit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi
Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd ka shfajësuar sërish Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllëzërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999. Lajmin e kanë dhënë mjetet serbe të informimit. Duke e arsyetuar aktgjykimin, kryetari i panelit, Rastko Popoviq, ka thënë se "gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se Popoviq dhe Stojanoviq kanë ndihmuar pesonat X në vrasjen e vëllëzërve Bytyçi". “Nuk është vërtetuar se kanë kryer vepër penale dhe nuk mund të vërtetohet se me cilat vepra kanë kontribuuar në kryerjen e veprës penale”, ka thënë gjykatësi Popoviq. Zëvendësprokurori për krime të luftës, Dragolub Stankoviq, në fillim të muajit prill, në fjalën përfundimtare, kishte thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin dy pjesëtarët e ministrisë së brendshme të Serbisë, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg. Procesi gjyqësor për ndihmë në vrasjen e vëllëzërve Bytyçi, ka filluar në vitin 2006 dhe janë dëgjuar 105 dëshmitarë. Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popoviq dhe Stojanoviq ishin liruar nga akuzat dhe ka urdhëruar proces të ri, raportojnë mediat beogradase. Pas këtij vendimi, në vitin 2009 ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd pati shprehur shqetësimin se askush nuk është dënuar për vrasjen e Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçit.“Presim që autoritetet të sjellin para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi”, thuhej në deklaratën e Ambasadës amerikane në Beograd.
Aktakuza
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Sreten Popoviq i njohur me emrin “Pop”, më 8 korrik të vitit 1999, e ka urdhëruar të akuzuarin e dytë, Millosh Stojanoviq, që t’i burgos vëllezërit Bytyçi, pas lirimit nga burgu në Prokuple, ku të tre vëllezërit e kishin vuajtur dënimin për shkak të hyrjes ilegale në Serbi nga Shqipëria.Siç thuhet në aktakuzë, Stojanoviq, sipas urdhrit të Popoviqit, vëllezërit Bytyçi i ka dërguar në një qendër të ministrisë së brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, ku i ka mbyllur, ndërsa të nesërmen, më 9 korrik 1999, në orët e vona të mbrëmjes, i ka dorëzuar te pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët i kanë vrarë. Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello.Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova. (REL/INA)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj