Rama: Ja çfarë fola me kryeministrin kroat për Ballist Morinën

Pasi nisi kontaktet me autoritetet kroate për ekstradimin e Ismail ‘Ballist’ Morinës drejt Serbisë, kryeministri i vendit Edi Rama ka bërë një tjetër veprim.

I ndodhur sot në Samitin e Kartës së Adriatikut që po mbahet në kryeqytetin e Malit të Zi, Rama ka takuar homologun kroat, Plenkovic dhe i ka kërkuar atij një zgjidhje sa më të arsyeshme për rastin e tifozit të Kombëtares.

“Në takimin me Kryeministrin kroat, Plenkovic, u përcoll edhe ndjeshmëria e lartë e opinionit publik mbarëshqiptar për rastin e Ballist Morinës dhe u theksua nevoja për zgjidhjen më të arsyeshme të tij”,- shkruan Rama në Facebook.

Kujtojmë që Ismail “Ballist” Morina, i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit me një baner të mbishkruajtur “Autochtonus” në Beograd më nëntor të vitit 2015, prej një muaji ndodhet në burg në Koraci.

Por pak ditë më parë, gjykata e Shkallës së Parë të Dubrovnikut vendosi ekstradimin e tij në Serbi, pasi në emër të tij ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ngritja e dronit solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Vendimi në fjalë është apeluar, ndërsa reagime të forta ka pasur edhe nga tifozët shqiptarë, të cilët edhe kanë protestuar para ambasadës kroate, që Ballist Morina të mos ekstradohet drejt Serbisë.

Comments

comments