Rama kërkon timonin, amerikanët hapin fabrikën e dytë të makinave në Maqedoni

Teksa politikanët shqiptarë janë vënë në garë se cili do ta marrë timonin virtual të drejtimit të vendit në katër vitet e ardhshme, shteti fqinj Maqedoni, që sapo kaloi një krizë edhe më të madhe politike, ka mirëpritur një tjetër fabrikë amerikane, që prodhon realisht pjesë për industrinë automative. Si për ironi, kompania amerikane, që ka shfaqur interes edhe për të investuar në Shqipëri, hapi fabrikën e dytë në Maqedoni.

Nga Monitor

Mediat maqedonase njoftuan në 15 qershor se kompania amerikane për prodhimin e sediljeve të makinave “Adient” ka hapur fabrikën në zonën industriale të Strumicës.

Përfaqësuesi i Adient, Telpik tha se kjo është fabrika më e madhe dhe më e sofistikuar në rajon, një investim që i kalon 20 milionë dollarë dhe që do të punësojë më shumë se 1300 persona, që konfirmon angazhimin e kompanisë për të investuar në ekonominë maqedonase.

“Një vit më parë ne njoftuam ndërtimin e fabrikës tonë dhe sot po qëndrojmë përpara saj. Ky investim është një tjetër provë e qartë e synimeve tona për të investuar në Maqedoni dhe një hap i rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit tonë në Europë, duke ofruar produkte të ndryshme të bazuara në cilësi, teknologji dhe rezultat për klientët tanë”, shtoi Teplik.

Adient ka 230 fabrika në 33 shtete, duke punësuar rreth 75 mijë punonjës në gjithë botën.

Adient është njësia e prodhimit të sediljve të Johnson Controls, sipërmarrjes amerikane që prodhon pjesë për makina. Johnson Controls ka hapur fabrikë në Maqedoni për prodhimin e katalizatorëve disa vjet më parë dhe sot është kompania më e madhe në shtetin fqinjë, me qarkullim vjetor 1 miliardë euro (trefishi i xhiros së kompanisë më të madhe në Shqipëri) , që janë  tërësisht eksporte. Johnson Controls ka tentuar të hapë fabrikë edhe në Shqipëri, por nuk e pa me interes vendin tonë dhe më pas vendosi që të zgjerohej po në Maqedoni, përmes investimit të Adient.

Në tetor të vitit 2016, kompania amerikane mëmë Johnson Controls njoftoi se departamenti i saj i sedijeve Adient do të dilte më vete, si pjesë e një strategjie multi industriale në funksion të objektivit të saj për të forcuar pozicionin e saj si lider në botë.

Ndarja e Adient vjen pas përfundimit të bashkimit të Johnson Controls me Tyco më 2 shtator 2016, i cili krijoi një kompani të kombinuar prej 30 miliardë dollarësh të ardhura.

Comments

comments