Regjisori kosovar vazhdon protestën këmbëzbathur para Teatrit Kombëtar

Sheshi “Skënderbe” në Prishtinë ka regjistruar një tjetër protestë të rrallë këto ditë ku protagonist është një regjisor: Sokol Plakolli. Është pikërisht ai që ditë më parë reagoi duke thyer pjata në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj politikave të këtij institucioni, që sipas tij u ka hapur dyert udbashëve. Në rastin konkret, po jepej nje shfaqje e një regjisori maqedonas, “Pasardhësi” i Slobodan Unkovskit.

Kushdo që kalon pranë tij është e pamundur që mos të ndalet, duke e fotografuar, duke e mbështetur në mënyra të ndryshme dhe duke u shënuar në fletoren që e ka vendosur ai pikërisht për të marrë mbështetje.

Prej dt.31 dhjetor ai është aty: pa ngrënë, pa pirë, sy lidhur, gojëmbyllur dhe këmbëzbathur.

Tashmë pritet të ulen dhe temperaturat në ekstrem dhe do të shihet se me çfarë stoicizmi do e përballëojë Plakolli këtë sfidë të natyrës për ta çuar kauzën e tij artistike përpara. Këtë të enjte ai u vizitua dhe nga një ekip shëndetësor. Në prezencë të tyre Plakolli deklaroi:Gjendja ime shëndetësore është e pranueshme”. Dhe më pas tha se nuk e ka ndërmend të ndalet deri në plotësimin e kërkesave të tij.

Këto janë kërkesat e grevistit Plakolli:

  1. Shkarkimin e këshillit të korruptuar dhe jolegjitim të TKK-së. Si pasojë shkarkimin e drejtorit gjeneral dhe artistik të TKK-së të cilët gjithashtu janë pjesë e korrupsionit brenda institucionit të TKK-së. Si dhe rishqyrtimin e vendimeve të këtij këshilli që nga emërimi i tij!
  2. Në rast se Ministri i Kulturës, z. Kujtim Shala i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në TKK nuk ndërmerr hapa konkret për saniminin e gjendjes së rëndë të krijuar brenda TKK-së për një afatë të shkurtë kohorë do të kërkohet nga instancat shtetërore shkarkimi i Ministrit, për shkak të neglizhencës së tij, ndaj pozitës së tij zyrtare.
  3. Në ligjin për teatro, të amandamentohet kthimi i pleqësisë së teatrit i përbërë nga grup artistësh të pavarur, të zgjedhur nga vet komuniteti i artistëve të teatrit, si organ mbikëqyrës i Këshillit të TKK-së.
  4. Të forcohet pozita e sindikatës së teatrit duke i dhënë hapësirë të përhershme brenda institucionit të TKK-së.
  5. Dhe të hapen dyert e mbyllura të teatrit për artistët e teatrit!

Përgatiti: Shkëlzen Rrecaj – /tesheshi.com/

Comments

comments