Rimeçi Joshua – Klitschko mund të zhvillohet në Amerikë

Rimeçi ndërmjet Anthony Joshuas e Wladimir Klitschkos mund të zhvillohet në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, thotë promotori Eddie Hearn.

Një luftë e dytë për titull të botës ndërmjet kampionit Joshua e ukrainasit Klitschko është vendosur të mbahet në nëntor, dhe Hearn ka udhëtuar në Nevada këtë javë për t’u takuar me shefat e MGM-it për të diskutuar rreth kësaj arene që ka 20 mijë ulëse, raporton Sky Sports.

Hearni muajin e kaluar ka zbuluar se Las Vegasi është opsioni i preferuar, përkundër interesimit që është në Dubai, Nigeria e Cardiff, transmeton Koha.net.

“U takuam me Richard Sturmin dhe ekipin e MGM-it në Las Vegas dje, dhe vizituam T-Mobile Arenan që është mbresëlënëse”, ka thënë Hearn për Sky Sports.

“Është një apetit i madh nga të dyja anët që rimeçi të zhvillohet atje, dhe do të flasim përsëri gjatë javës së ardhshme dhe të shohim nëse kjo mund të bëhet realitet”, është shprehur ai.

T-Mobile Arena tashmë ka qenë lokacion për dy meçe të mëdha, ai ndërmjet Saul ‘Canelo’ Alvarez dhe Amir Khanit, si dhe aty do të zhvillohet meçi i shumëpritur ndërmjet Floyd Mayweatherit dhe kampionit të UFC-së, Conor McGregorit më 26 gusht.

Në javët e ardhshme pritet që negociatat të vazhdojnë për të vendosur nëse T-Mobile Arena do të jetë lokacioni ku do të luftohet për titull të botës në boks në pesha të rënda.

Comments

comments