Rrëfimet rrëqethëse të Samiut nga Amerika

Nga Ismail ARSLLANI

Në Çikago të Amerikës bën jetë shqiptari, atdhetari i paepur, mërgimtari shumëvjeçar nga Tetova, Abdylsami Xhaferi, i cili kaloi para disa vitesh mijëra kilometra, me fluturim tej-oqeanik, për të shkrirë mallëngjimin dhe për ta rikthyer në shpirt shijen e rinisë së tij të perënduar në vendlindje, në qytetin rrëzë Sharrit, prej nga sapo bëri shtat prej burri, mori botën në sy. U kthye pas shumë motesh tek rrënjët, tek të parët e tij, për të rrëfyer të pathënat që i kishte ruajtur në rradake gjatë gjithë kësaj kohe, ashtu si e ruajti emrin, identitetin, gjuhën, atdhedashurinë dhe ndjenjën kombëtare në një kontinent të largët, ku i kishte gjetur premtimet për sendërtimin e ëndrrave të tij rinore. Kur shkeli në vendlindje, s’ngopej prej takimeve me shokë, miq e dashamirë; me biseda të pakëputura, kodër më kodër si thonë, që ia rehatonin shpirtin e trazuar. Gjatë rrëfimeve për rininë e tij, hidhte shpesh shikimin tej për tej, larg në kohëra, dekada më parë, për të ravijëzuar imazhin e vendlindjes, ku kishin ndodhur gjëra të bukura, por edhe gjëra të tmerrshme dhe të ftohta për shpirtin e tij djaloshar.

”Në shkurt të vitit 1957, në acarin më të madh të dimrit, në moshën 12 vjeç, ishim ca fëmijë duke rrëshqitur me ski hekuri rrugëve të lagjes “Gamgam”, që na i farkonte emnaku im, Samiu, në punëtorinë e farkëtarisë së babait. Në ato vite, në gjithë qytetin e Tetovës përkujdeseshin për sigurinë vetëm tre policë, që ishin shumë të rreptë, të pamëshirshëm dhe të dhunshëm. Derisa gëzonim përjetimin e rrëshqitjes me ski, na doli përpara njëri prej këtyre policëve, me emrin Josif, i imët në trup dhe fytyrë, njësoj si zhapini, me helm gjarpri. Ai fliste në gjuhën e vet, maqedonisht, por për sherr, për të kuptuar edhe gjuhën e të tjerëve që jetonin në Tetovë, kishte mësuar edhe shqipen dhe turqishten. Atij nuk i shpëtonte asgjë nga syri dhe nga dora. Kishte shti frikën tek të rritur dhe fëmijë. Fëmijët e vegjël që bënin të bëmat në shtëpi dhe s’merrnin vesh nga qortimet, i frikësonin me këta tre policë. Polici Josif, sado që ishte i imët në trup, u duk si një vigan përpara fëmijëve të lagjes. Të gjithë i dhanë vrapit dhe për një çast u mbyllën rrezet e dyerve të shtëpive. Mbeta i vetëm, ballë për ballë me të. U stepa në vend, ndonëse s’kisha pse të ikë e të frikohem, ndaj dhe s’e kuptova pse ikën moshatarët e mi, kur nuk kishim bërë gjë të keqe, vetëm që rrëshqitnim me ski në akullin e kalldrëmit”, kujton atë kohë Abdylsamiu, sado që veli i harresës kishte mbërthyer ngjarjen.

Polici që shkaktonte tmerr kudo që gjendej, pa një pa dy, e kishte rrëmbyer për krahësh Abdylsamiun 12 vjeç, dhe e kishte shtyrë me forcë brenda derës së xhamisë, në oborr, duke e trandur fortë në trup e krye: “A s’e di që është e ndaluar rrëshqitja nëpër rrugë!”, ishte çjerrë me zë të lartë polici sa që ia kishte futur lemerinë.

Se ç’ndodhi më tej, shpalon kujtimet tetovari-amerikan, i cili sapo ka mbushur shtatë dekada jetë: “Polici më zuri për krahu, më nxori zvarrë jashtë xhamisë dhe më tërhiqte rrugëve, ku kalimtarët më shikonin me keqardhje. Më dërgoi, ku tjetër, pos në Stacionin e policisë, që gjendej afër Shkollës së Muzikës. Aty ishte edhe burgu. Ishte një shtëpi e madhe e një shqiptari, që ishte nacionalizuar pas Luftës së Dytë Botërore. Nga presioni që kishte pasur pronari vite të tëra, ishte detyruar të shpërngulej në Turqi”.

Ishte kohë e vështirë, thotë Samiu, policia dyshonte në çdo shqiptar, madje edhe te fëmijët. “M’u afruan disa policë dhe filluan të më kontrollojnë nëpër trup. Për fat të keq, atë ditë e kisha me vete një copë lëkure, në të cilën e kisha vulosur shqiponjën dykrenore, që e mbaja shpesh me vete, si hajmali. Sapo e gjetën këtë copë lëkure, policët ulëritën dhe sa çelë e mbyllë sytë erdhën rreth meje edhe shumë të tjerë për të parë se ç’kishte ndodhur. Në ato momente shumë të rënda për mua dhe moshën e re që kisha, u vërsulën disa policë me shuplaka dhe shkelma, pa kurrfarë mëshire, duke ma bërë shpinën më të butë se barkun. Menjëherë m’u kujtuan dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, të cilët do të mund të më shpëtonin: njëri, Shefajeti, sapo kishte ardhur nga ushtria, kurse tjetri Serveti, i cili ishte në burg në “Idrizovë”. Më morën në pyetje, me kërcënime dhe me rrahje, se prej nga e kisha këtë copë flamuri. Gjashtë orë mundime, kërcënime dhe dajak policor, ku më mizor ishte polici i quajtur Rade. Kisha shumë frikë të mos zbulonin për vëllanë që ishte në burg, i cili kishte vuajtur 4 vjet dënim e i kishte ngelur edhe pak kohë për të dalë i lirë. Në moment trillova një gënjeshtër, se atë copë lëkure e kisha gjetur në stacionin e trenit, kur i kishte rënë një udhëtari që kishte shkuar në drejtim të panjohur. Më vonë më sollën disa fotografi të njerëzve nëse i njihja, por unë u thash kategorikisht se nuk i njihja. Më dhanë edhe një “peshqesh” dajak dhe më lëshuan në rrugë”.

Kjo ngjarje tronditëse i kishte lënë vragë të thella në shpirtin e këtij djaloshi të pafajshëm: “Nuk e paramendoja se për këtë ngjarje të vogël fëmijërore, ndonëse pa faj, kishin hapur dosje si për një “person të rrezikshëm”. Kisha hyrë në listë dhe ata më kontrollonin çdo lëvizje. Pas katër vjetësh, kur më e kisha harruar dajakun në polici, në vitin 1961 mbahej në Beograd samiti i vendeve të painkuadruara, që përfaqësohej nga ish-Jugosllavia, si lider i vendeve të ashtuquajtura “të treta” e të varfra nga Azia, Afrika, Amerika latine etj., të cilat nuk u takonin as bllokut perëndimor dhe as atij lindor”.

Rrëfimi i Abdylsamiut nuk kishte të sosur: “Isha 16 vjeç, kur në afërsi të pazarit, më ndaloi një polic dhe më tha që duhej të paraqitem në polici. Për këtë i tregova nënës, e cila u mërzit shumë, edhe pse e ngushëlloja se s’kisha bërë gjë që të shqetësohet. Kur arrita në polici, pashë shumë njerëz të moshave të ndryshme që pritnin brenda e jashtë. Të gjithëve na futën në një garazh automjetesh të policisë, ku kishte edhe disa kamionë me ceradë të mbuluar, kishte policë të armatosur si për gjendje lufte. Ishte ora 11:00 e paradites. Disa policë na thoshin se ne të moshës më të re kemi shumë fat, sepse shteti do të na çojë në pushime verore pa pagesë. Ne nuk e kuptuam djallëzinë e tyre, se po talleshin me jetën tonë. U mbushën dy kamionë me djelmosha shqiptarë, lëshuan ceradat poshtë që të mos shihnim se ku shkojmë dhe as rrugëve që të mos na shohin kalimtarët. Dy policë u ulën në fund të kamionit. Udhëtuam tërë ditën dhe në mbrëmje u ndalëm në mes të një pylli, ku kishte edhe policë të tjerë të armatosur dhe kishin nga një qen të stërvitur. Tërë ditën mbetëm pa ngrënë dhe nuk na dhënë asgjë për darkë, para se të shkojmë në gjumë… Të nesërmen, herët në mëngjes, na zgjuan me ulërimë e me të shara. Kur shikuam përreth, pamë që ishim të rrethuar me tela gjembash, si në kampet naziste. Kishte roje te porta e hyrjes, me dy policë e qenë të stërvitur. Nuk dinim se ku ishim stacionuar brenda natës. Ishim 54 veta, kryesisht nga Tetova, por kishte disa edhe nga Gostivari dhe nga Shkupi. Disave ua mbaj në mend emrat edhe sot: Alushi, Neshati, Setkiu, Azizi, Sabiti, Nasufi, Aliramiu, Bedriu, Ismeti, Fauziu, Vebiu, Saliu, Hasani, Mediu /Tetovë/, Musa, Idrizi nga Shkupi, Mustafa nga Gostivari etj”.

Në atë moshë të re, me pafajësinë që kishte, Abdylsamiu nuk e kuptonte këtë katrahurë në të cilën ishte katandisur: “Policët dhe rojet nuk na lenin që të dilnim jashtë telave të rrethimit tonë. Në mëngjes, na dhënë nga një safë me kafe pa sheqer dhe nga një copë bukë, që nuk na mjaftonte as për së afërmi, ndaj dhe shpesh ndodhte që të ziheshim për një thirrmi buke. Ishim të mbyllur në këtë kamp me roje, ku mbetëm 5 javë, pa bërë asnjëherë dush. Mund t’i lanim vetëm krahët dhe fytyrën. Gjatë natës kishim të ftohtë, sepse mbuloheshim me do mushama apo batanije dhe shtriheshim në kashtë. Për zënkat tona eventuale, na dënonin dhe na izolonin në një dhomë të improvizuar. Këtu patëm kohë dhe rast që të kuptonim se çfarë ‘pushimi veror’ na kishte kurdisur UDB-a, për t’u shoqëruar me egërsira mes pyjesh”.

Tetovari që pas sa vitesh mori rrugën për në Amerikë, qëndroi stoik ndaj këtyre torturave të policisë: “Pas pesë javësh qëndrimi në këtë kamp, pa numër e pa adresë, na hipën në kamionë dhe na kthyen në shtëpi. Se si dukeshim e në ç’gjendje ishim, kishim pasqyrë shokët: të pa larë, të pakrehur dhe të pa qethur. Ishim bërë njerëz përbindësh, për frikësimin e  fëmijëve. Në pazarin e tëlyenit në Tetovë u ndalën kamionët dhe filluam të zbresim një nga një. Kur zbrita unë, polici pranë meje më ra një shkelmë dhe më porositi që të rri urtë. Aty afër i vërejta në kalim dy arsimtarët e mi që më jepnin mësim në shkollën fillore “Liria” të Tetovës, Abdulla Kalishta dhe Salajdin Hyseini. Pasi i përshëndeta, më pyetën se ku kishim qenë dhe pse ishim bërë në atë gjendje të mjerë. Pasi u tregova, më thanë që edhe ata ishin burgosur brenda kësaj kohe nga 20 ditë, me gjithë tim vëlla, Servetin”.

Në ato momente, sidomos me kalimin e viteve në mërgim, ky amerikan-tetovar zu t’i demaskojë qëllimet e errëta të arrestimit të shqiptarëve të pafajshëm: “Aty e kuptova qëllimin e arrestimit tonë dhe mbajtjen në izolim: këto ishin masat që i kishte ndërmarrë UDB-a, për të siguruar mbajtjen e Samitit të shteteve të painkuadruara në Beograd. Kështu ndodhi edhe disa herë të tjera, kur Tito vizitonte Shkupin apo kalonte nëpër Maqedoni, na izolonin pa kurrfarë sqarimi, sepse na konsideronin si njerëz të rrezikshëm. Ndodhte që ta mbajnë në izolim edhe tim baba, si masë preventive në situata e raste kur vinte për vizitë ndonjë burrështetas. Me gjithë këto tortura dhe keqtrajtime pa mbulesë arsyetimi, unë dhe familja ime ndiheshim krenarë se jemi shqiptarë dhe se dikush na ka frikën që vepron kështu. Na quanin “ballistë” dhe frika nga ballistët i ndoqi ata gjatë gjithë jetës”.

Comments

comments