Rrezet e diellit mbrojnë nga skleroza

0

Nëse rriteni në vende, të cilat janë të ekspozuara ndaj diellit, atëherë ju me siguri se nuk do të prekeni më vonë gjatë jetës nga sëmundja e sklerozës.

Kështu thotë një studim i shkencëtarëve kanadezë, sipas të cilëve faktori mbrojtës vjen nga ekspozimi në rrezet e diellit, të cilat ndihmojnë në prodhimin e vitaminës D.

Gjetjet e reja nga Universiteti British Columbia në Vankuver mbështesin studimet e mëhershme, të cilat ndërlidhin nivelet e ulëta të vitaminës D me rritjen e rrezikut nga skleroza, e cila prek sistemin qendror nervor.

“Ndërsa studimet e mëparshme kanë treguar se ekspozimi më i madh ndaj diellit mund të kontribuojë në një rrezik më të ulët të sklerozës, studimi ynë shkoi edhe më tej, duke kërkuar ekspozimin rreth jetës së një personi”, tha profesoresha epidemiologjike Helen Tremlett, autore kryesore e studimit në revistën Neurology.

Ekipi i saj ka studiuar historinë e 151 femrave me sklerozë, të cilat ishin diagnostifikuar rreth moshës 40-vjeçare dhe 235 femrave tjera në moshë të ngjashme, por të cilat nuk ishin të prekura nga sëmundja, transmeton kp.

Femrat kanë jetuar në vende të ndryshme të SHBA-së dhe pothuajse të gjitha ishin të bardha.

Subjektet plotësuan pyetësorët rreth ekspozimit të tyre ndaj diellit gjatë gjithë jetës së tyre, duke përfshirë vitet e rinisë dhe adoleshencës. Ekspozimi i lartë i diellit gjatë verës u përcaktua më shumë se 10 orë në javë dhe më shumë se katër orë në javë në dimër.

Rezultatet treguan se gratë që jetonin në rajonet me diell dhe kishin ekspozimin më të lartë ndaj rrezet UV-B ishin 45% më pak të ngjarë të zhvillonin sklerozë se ato që jetonin në rajone me ekspozimin më të ulët ndaj rrezeve UV-B.

“Hulumtimi ynë tregoi se ato që ishin të prekura nga skleroza gjithashtu ishin ekspozuar më pak ndaj diellit, si në verë ashtu dhe në dimër, gjë e cila mund të kenë pasoja shëndetësore”, vuri në dukje Tremlett.

Ndryshe, nevojiten më shumë kërkime për të parë nëse një studim më i ndryshëm jep rezultate të njëjta. Për më tepër, rrezet UV B janë gjithashtu të lidhura me kancerin e lëkurës. /Koha.net/