Rusia e sheh vrasjen si një mekanizëm politik të zakonshëm

0

Shashank Joshi ”CAPX”

Për shtetin rus, vrasja politike është diçka e zakonshme. Një varg dezertorësh, politikanësh opozitarë dhe zyrtarësh të përgjegjshëm, kanë patur funde tragjike dhe nganjëherë teatrale gjatë 2 dekadave të fundit.

Por nëse shërbimet inteligjente ruse kanë helmuar Sergei Skripal, ish-oficerin e GRU dhe bashkëpunëtorin e MI6-ës britanike në Salisbëri, kjo do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh dhe shqetësues të agresionit rus.

Ajo do të konfirmonte se Moska, siç e theksoi kreu i MI5 në parlament vitin e kaluar, ”është duke vepruar në pragje rreziku, të cilat nuk kanë të krahasuar me ato që vepron aktualisht Perëndimi”. Një shkatërrim i tillë i rregullave
të vjetra, do të kërkonte një përgjigje kreative dhe të fuqishme.

Skripal, nuk do të ishte gjithësesi spiuni i parë rus që ka dezertuar dhe  që më pas është vënë në shënjestër të Moskës në Britani. Në vitin 2016, një hetim zyrtar mbi vdekjen e ish-oficerit të KGB-së Aleksandër Litvinenko, arriti në përfundimin se ai u helmua duke përdorur izotopet radioaktive të Poloniumit 210 nga ana e agjentëve rusë, ndoshta me urdhër të vetë presidentit Vladimir Putin.

Por ekziston një dallim thelbësor midis rastit të Litvinenkos dhe Skripal. I pari iku nga Rusia pa lejen e autoriteteve ruse, nën hijen e proçedurave gjyqësore, duke akuzuar publikisht ish-punëdhënësit e tij për korrupsion
dhe kriminalitet.

Fjalët e tij të para pas mbërritjes në aeroportin Heathroë ishin:”Unë jam oficer i KGB-së, dhe po kërkoj azil politik!”. Ai dhe familja e tij ndërruan identitet, morën emra të rremë dhe pasaporta të reja. Litvinenko, ishte një dezertor në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale.

Rruga e Skripal për në Britaninë e Madhe ishte shumë e ndryshme. Pasi u burgos për 13 vjet për spiunim për llogari të inteligjencës britanike, ai më në fund u fal dhe u lirua, si pjesë e shkëmbimit më të madh në fushën e spiunazhit që nga Lufta e Ftohtë, në të cilën 10 agjentë “të fjetur” rusë u rrikthyen në Rusi.

Shkëmbime të tilla, janë një ritual i vjetër i botës së inteligjencës, duke reflektuar parimet e lashta të çdo shkëmbimi të burgosurish. Unë me siguri nuk mund të mendoj për asnjë precedent, në të cilin përfituesi i një shkëmbimi të tillë të ketë qenë më pas shënjestër për t’u vrarë nga vendi që e liroi atë.

Sigurisht, ka shumë figura të profilit më të lartë, siç është oficeri i lartë i KGB-së Oleg Gordievski, i cili siguroi informacione jetike mbi atë çka mendonin sovjetikët gjatë disa prej momenteve më të tensionuara të viteve të fundit të Luftës së Ftohtë.
Apo marrim rastin e gjeneralit të KGB-së Oleg Kallugin, i cili u bë një qytetar amerikan dhe e sulmoi Putinin duke e etiketuar një kriminel lufte, vazhdojnë të jetojnë shëndoshë e mirë në Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkëpunuar me agjencitë e inteligjencës të vendeve të tyre pritëse, dhe madje duke mbajtur leksione për gjeneratën e ardhshme të spiunëve.

Kjo histori, mund të jetë arsyeja se përse autoritetet britanike, nuk duket se e kanë konsideruar mundësinë që Skripalit i kanosej ndonëj rrezik madhor:ndryshe nga bashkatdhetarët e tjerë që dezetojnë dhe kalojnë në anonomat, ai duket se ka ruajtur emrin e tij të vjetër, dhe adresa e tij gjendet lirisht në listën zgjedhore.

Me sa duket, Londra mendonte se lirimi i tij i negociuar nga Rusia, në vend të ikjes së paligjshme, ofronte një shkallë mbrojtjeje. Kjo pandehmë, duket se ka qenë e gabuar. Ka shumë arsye se pse Skripali mund të ketë qenë në shënjestër, por dy janë hipotezat kryesore.

E para është se çdo punë e vazhdueshme, qoftë për autoritetet ose grupet britanike që konsiderohen armiqësore ndaj interesave të Kremlinit, mund të ketë ngritur dyshime në Moskë. Për shembull, raporti zyrtar mbi Litvinenkon, vë në dukje se Rusia kishte marrë vesh kohët e fundit për veprimtarinë e tij në rradhët e MI6-ës.

Litvinenko ishte gjithashtu një “mik” i kundërshtarëve kryesorë të regjimit të Putinit, dhe një kritik i zëshëm i presidentit. Një shpjegim i dytë i mundshëm është se ky ishte një mesazh, drejtuar ndaj atyre që konsiderohen se punojnë kundër interesave ruse, me Skripalin që shërben thjesht si një objektiv i përshtatshëm dhe i prekshëm.

Xhon Sifër, dikur një nga ekspertët kryesorë të CIA mbi çështjet ruse, reflektoi në mënyrë lakonike mbi sëmundjen e Skripal:”Një sinjal për zotin Still” – implikimi është se Rusia mund të dërgojë një mesazh kërcënues për ish-oficerin e MI6, Kristofer Still, i cili përpiloi dosjen famëkeqe mbi presidentin Donald Trump, dhe mbi rrjetin e madh të burimeve që punojnë me Still.

Pa prova të mëtejshme, kjo duhet të mbetet një çështje hamendjeje. Nëse Skripal u helmua qëllimisht, do të kërkojë kohë për të përcaktuar fajësinë. Por biznesi rus i vrasjeve, brenda dhe përtej kufijve të saj, dhe lufta e saj më e gjerë politike kundër demokracive perëndimore, është konteksti në të cilin ka gjasa të shihet ky episod.

Nëse Rusia do të përpiqej të vriste Skripalin, atëherë do ta bënte këtë një javë para se zgjedhjet presidenciale në vend, të nxirrin në pah një hipotezë të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj kanë dështuar të dëshmojnë vendosmërinë e nevojshme përballë këtyre provokimeve në zgjerim e sipër

Administrata e Obamës, nuk arriti t’i imponojë një kosto serioze Rusisë për ndërhyrjen e saj të guximshme në zgjedhje, ndërkohë që autoritetet britanike duket se kanë lejuar, dhe më pas kanë hedhur poshtë një fushatë sistematike të më shumë se dhjetëra vdekjeve të lidhura me Rusinë në tokën britanike, gjatë dekadës së kaluar.

Ndërsa ripërtëritja e NATO-s gjatë viteve të fundit, dhe ringjallja e projektit të mbrojtjes së përbashkët europiane është një shenjë e mirëpritur, një qasje ushtarake thjesht konvencionale, mbetet tërësisht e papërshtatshme për një luftë hijesh.

Shoqëritë e hapura nuk mund të hakmerren në natyrë, pa shkelur ligjet dhe moralin e tyre, por interesat ekonomike dhe politike të Kremlinit, dhe shërbimet e inteligjencës të ndërthurura me të, janë një lojë e ndershme, dhe tani duhet të vihen në shënjestër në mënyra më krijuese dhe agresive.

Përktheu: Alket Goce

Komentet

komentet