Sela dhe Kasami nëse humbin zgjedhjet, ja çka i pret

– Në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor, partitë politike pothuajse i kanë bërë publike gati të gjitha kandidaturat për kreun e komunave ku pretendojnë që të qeverisin në këto katër vite që pasojnë, shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

Në sy bie që në shumë komuna, partitë politike garojnë me personalitete të njohura në skenën politike, të cilët edhe më parë kanë ushtruar detyra me karakter publik, por shumë prej tyre nuk kanë realizuar asgjë nga projektet prioritare që i kanë pasur në programet e tyre zgjedhore, gjë që ndoshta elektorati do t’i dënojë dhe të detyrohen që të largohen perfundimisht nga skena politike.

Në lidhje për këtë, gazetari dhe analisti, Berat Azizi për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal thotë se një gjë e tillë është e mundur, madje ai përmend edhe rastin e dy liderëve partiak të cilët garojnë në këto zgjedhje, e që janë Ziadin Sela i ASH, për Komunën e Strugës dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, i cili garon për kreun e Komunës së Tetovës, të cilët nëqoftë se do të humbin atëherë do te duhet edhe të mabjnë përgjegjësi perpara anëtarëve të partisë.

“Gjasat që disa politikanë në zgjedhjet lokale të marrin grushtin final janë reale pasi në garë janë emra të njohur të politikës. Në pozitë më të vështirë do të jenë dy liderët partiak Sela dhe Kasami të cilët nëse humbasin në zgjedhje humbasin edhe legjitimitetin në parti, pasi ndikimi i tyre do të dobësohet dhe anëtarësia do të kërkojnë lider tjetër. Në anën tjetër disa politikanë edhe pse mund të humbasin ata sërish do të vazhdojnë në politikë pasi vetë partia do t’i emërojë në poste tjera politike. Por, në këto zgjedhje ka shumë mundësi që edhe disa emra të rinjë të futen në politikë nëse fitojnë në ato komuna ku do konkurrojnë. Kandidatët në Haraçinë, Çair, janë emra të rinj dhe mund të futen në politikë pasi aty nuk ka rrezik për ndonjë dështim personal.”, thotë Azizi, i cili më tej përmen edhe rastin e Arben Taravarit i cili me kandidimin e tij për Komunën e Gostivarit, nga posti i ministrit të shëndetësisë, ka gjasa reale që të përshëndetet nga politika, kurse sa i përket kampit politik maqedonas, sipas tij, do të ketë shumë ikje nga politika, por edhe futje të emrave të rinj.

“Grusht të fortë mund të pësojë Taravari i cili nga një pozicion mjaf të fuqishëm konkurron në Gostivar duke mbajtur edhe postin e ministrit. Humbja e tij eventuale do të thotë largim nga politika dhe kjo do të ishte më e mirë për një njeri të shëndetësisë. Në kampin politik maqedonas do të ketë më shumë ndryshime ai në aspektin e ikjes nga politika po ashtu edhe në futjen në politikë të emrave të ri.”, thotë gazetari dhe analisti Berat Azizi.

Nërkaq profesori universitar, Enver Bytyqi, në lidhje për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor në Maqedoni, për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal thotë se zgjedhjet lokale në Maqedoni bëhen gjithnjë e më të ashpra për shkak të ballafaqimit etnik në disa komuna, ku edhe është paraqitur nevoja që partitë shqiptare të paraqiten me një kandidat të përbashkët sipas një formule që kandidati të jetë i asaj partie, e cila ka dëshmuar se merr më shumë vota.

Maqedonia është në fushatë zgjedhore tashmë për pushtetin lokal. Zgjedhjet lokale në këtë vend kanë rëndësi të veçantë, sepse gara bëhet më e ashpër për shkak të rivalitetit etnik. Në shumicën e komunave ku jetojnë shqiptarët ballafaqohen midis tyre kandidatë të të dy etnive, maqedonë dhe shqiptarë. Tetova, Gostivari dhe Dibra janë gjithnjë komuna të sigurta për shqiptarët, ku partitë politike shqiptare garojnë në rivalitet me njëra-tjetrën.

Por në komunat e tjera ka nevojë që partitë shqiptare të paraqiten me një kandidat të përbashkët sipas një formule që kandidati të jetë i asaj partie, e cila ka dëshmuar se merr më shumë vota. Emri i kandidatit që paraqitet në çdo komunë ka peshë të rëndësishme në zgjedhjet lokale. Politikanët e vjetër duket se tashmë janë konsumuar dhe nuk mund të ngjallin besim te qytetarët.”, thotë profesori Ever Bytyqi.

Ndërsa sa i përket përfshirjes së të rinjëve në politikë, ai thoë se një gjë e tillë është më se e nevojshme për të frestuar politikbërjen me energji të re dhe me vizione më të mira për të ardhmen e qytetarëve, të cilët janë të nbopur më me aferat korruptive të figurave të vjetra politike.

“Është e domosdoshme që në garë të futen të rinj me energji dhe me vizion, ata që janë të gatshëm të sakrifikohen e jo të pasurohen në detyrën që marrin. Në këtë kuptim duhet thënë se ka nevojë për një spastrim të elementit të korruptuar e të inkriminuar, të cilët janë pjesë e brezit që për shumë vite e ndoshta dekada ka shërbyer në politikë në Maqedoni. Në Shqipëri dhe në Kosovë tani së fundmi është inicuar politika e dekriminalizimit. Kjo do të thotë që politikanët e implikuar në vepra dhe afera të ndryshme duhet të ndalohen të kandidojnë. Nëse ende nuk ekziston një ligj për këtë, janë liderët kryesorë të partive politike shqiptare, ata të cilët duhet të veprojnë sipas parimit të duarve të pastra.

Maqedonia është prekur nga sëmundja e korrupsionit dhe bashkëpunimit të politikës me krimin e organizuar. Përgjimet telefonike që janë publikuar para dy vjetësh janë një bazë e mirë, ku duhet mbështetur për seleksionimin dhe spastrimin e të inkriminuarve në pushtetin lokal. Komunat në Maqedoni, sidomos ato shqiptare kanë nevojë të dëshmojnë në drejtim jo vetëm ndërshmëri, por dhe aftësi për thithjen e fondeve dhe administrimin e tyre. Në këtë kuptim të kandiduarit e specializuar në këtë drejtim dhe me vizion për zhvillimin e rajonit do të ishin më të përshtatshmit për administrimin e punëve në komuna.

Por pengesë mbetet politika. Fatkeqësisht ndër shqiptarët kudo e më së shumti te partitë shqiptare në Maqedoni ka një dozë të theksuar klani, tarafi, klubi njerëzish, të cilët jetojnë e punojnë në një rreth vicioz në dobi të interesave të klanit apo tribusë, sesa të shqiptarëve dhe vetë shtetit të Maqedonisë. Kjo sjellje, ky mentalitet e vështirëson largimin e “ujqërve” nga gara për të zënë vend në drejtimin e pushtetit lokal. Ujqërit janë aty dhe përveçse mendojnë, ata veprojnë gjithashtu me forcën e ujqërve, për të grabitur vota e gjithçka munden, mjafton të ushtrojnë një pushtet të caktuar në dobi të tyre.”,thotë profesori universitar, Enver Bytyqi.

Ndërkaq politikologia, ish e burgosura politike dhe ish asambleista në qytetin e Malmes së Suedisë, Salihe Salihu bën një ndarje interesante të hunbësve në zgjedhje, sipas saj humbja mund të jetë e natyrave të ndryshme, më të spikatura sipas saj jamë dy, e para është që kandidatë ndoshta edhe meritor, humbin pasi nuk përgorin veglat e trysnisë dhe e dyta është humbja e kandidatëve që janë të konsumuar politkisht, pa potencial, lloj që duhet përfundimisht të largohen nga skena politike dhe të lëshojnë vendin për të tjerët.

“Mendoj që në zgjedhjet lokale janë një numër i konsiderueshëm i kandidatëve që nuk do të arrijnë të korrin fitore dhe do mbesin jashtë rrethit të fituesëve. Humbja e tyre mund të jetë e shkaktuar nga faktorë të ndryshëm që ndikojnë drejtpërsëdrejt në rezultatin e zgjedhjeve. Megjithkëtë humbësit mund të kategorizohen në dy grupe: në grupin e parë hyjnë kandidatë që janë meritor mirëpo nuk arrijnë të bëhen asambleist për shkak se kanë një rreth të ngushtë familjar apo nuk përdorin vegla trysnie për të marrë votë. Kurse grupi i dytë i humbësve janë vërtetë kandidatët që janë të konsumuar në politike dhe nuk kanë më potencial që të jenë aktiv në politikë. Mu për këtë mendoj që ky lloj i politikanëve duhet përfundimisht të lënë politikën dhe të lëshojnë vend për kandidatët meritor. Mirëpo kjo krejt varet nga vetëdija e elektoratit, sepse sa po shoh unë ende në trojet shqiptare zgjedhet e votohet në baza nepotiste se sa meritore. Uroj që kjo lloj praktike të përfundojë dhe të hapet mundësi për kandidatët që janë të përgatitur për misione politike.”, thotë ish e burgosura politike dhe politikologia, Salihe Salihu.

Comments

comments