Serbia “flirton” me NATO-n

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të zhvillojë një takim të mërkurën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e aleancës në Bruksel.

Kur ata shtrënguan duart me njëri-tjetrin vitin e kaluar, Vuçiq asokohe Kryeministër, u bë shefi i parë i një Ekzekutivi serb që takohej me një drejtues të organizatës. Lajmin e fundit e konfirmoi vetë zyra e tij për “Tanjug”, transmeton TCH. Nuk do të ngrihen “çështje djegëse” gjatë këtij takimi, thonë burime diplomatike në Bruksel të cituara nga agjencia në fjalë; përballja sipas tyre do të jetë pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm të nivelit të lartë.

Vuçiç dhe Stoltenberg pritet të fokusohen te sfidat e mëtejshme të përbashkëta dhe potencialet e bashkëpunimit NATO-Serbi. Së bashku me ambasadorët e 29 vendeve anëtare të alenacës ushtarake, të dy ata do të flasin mbi situatën në rajon, reformat e brendshme në Serbi dhe marrëdhëniet e Beogradit me Moskën.

Ndryshe nga partneret e saj europiane, Serbia nuk e aspiron anëtarësimin në NATO, edhe pse vendi e ka thelluar dialogun politik me aleancën e atlantikut verior mbi çështjet e interesit të përbashkët. Ndjenjat kundër NATO-s në Serbi të përshkruara dikur edhe si rezistencë e mirëfilltë, u ushqyen nga bombardimet e luftës së Kosovës dhe mbështetja që iu dha më pas asaj për pavarësinë.

Por pavarësisht rezervave që shumë serbë ushqejnë ndaj saj edhe për shkak të marrëdhënieve historike të vendit me Rusinë që kërkon të rrisë influencën e saj në rajon, Beogradi ka hedhur ngadalë hapa afrimi me NATO-n, fillimin me adoptimin e programit të partneritetit për paqen në vitin 2006 e më pas në 2015-ten, me nënshkrimin e planit individual të partneritetit.

Comments

comments