Shacat dhe muaji i budallëve

Ilaz Hysaj

Kurrë nuk e kam kuptue pse mërgimtarët quhen SHACA, por e kam kuptue mirë pse Shacat janë budallë.

Çdo herë në muajt e verës, sidomos qe disa vjet bashkëjetese me Facebook-un, hapet debati rreth « shacav », »baushtellcav » dhe « muajit të budallëve ».

Flitet e shkruhet nga një pjesë e vendorëve se si « shacat » po i grahin makinave shpejtë, po parkohen keq, nuk po e respektojnë ligjin dhe shtetin, po shesin mend, po na krijojnë tollovi, etj etj. Thuese dhjetë muaj tjerë ata janë shembull i qytetarisë, respektit të ligjit dhe trafikut, dhe se gjithë aksidentet që bëhen gjatë këtyre muajve bahen se kështu ka qenë e shkrueme prej zotit.

Në anën tjetër nga një pjesë e « shacave » dëgjohen ankesa se si shteti po i plaçkite sa po shkelin në dheun e tokes nanë,me at far kartonin e “gjelptë”, se menzi po presin me i dënue për kalim shpejtësie, për parkim të keq, e në anën tjetër shteti spo krijon parkingje, bile me ato pare që po ja u vjedhë përmes kartonit tu “gjelptë”.

Mandej i kritikojnë vendorët se po e gjuajnë bërllogun kahmas, se po vjen era, pluhun i madh në atdhe, se në shtetin ku jetojnë ka rregull e pastërti, se me ba me të zanë tu e gjujtë bërllogin e han dënimin sa krahi, edhepse disa prejt tyre ndoshta edhe e hjekin këtë zhig duke e gjujtë qesen e farave në trotuar pa u frigue se e han dënimin.
Nejse, pavarësisht se « shahen » e kritikohen, shacat dhe vendorët prap « duhen » dhe sun rrijnë pa njëri-tjetrin.

Shaci sun rrin pa u kthye në kremin e vet, si iriqi në therra, se qaty ka lindë, e ka kalue fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, aty e ka marue shtëpinë 3-4 kat me 7-8 dhoma, derisa atje ku jeton flen të shumten e rasteve me qira në një sipërfaqe minimale për jetesë dhe kushte mesatare sa për me pushue trupin që i dërmohet nga puna e randë zakonisht.

Dhe në të shumtën e rasteve atë një muaj pushim ai e kalon në vendlindje ku gjysma i shkon tu e meremetue shtëpinë, sepse gjatë dimrit i kanë pëlcitë gypat e ujit, ja iu ka prishë bojleri, ose duhet me ndrrue kuzhinën sipas trendit vendor. Pjesa tjetër i shkon në dasma kanagjegje e syneti që nuk kanë hijeshi pa shacat. Dhe nëse i jesin pak pare shkojnë  një javë n’Ulqin ja në Velipojë sa me thanë se ishin në pushime dhe me i ba do foto.

Edhe vendori sun rrin hiç pa shacat sepse çdo shtëpi e ka së paku nga një shac, apo  nga një budallë, siç thojke një kusheri i imi, ndjesë pastë.
Bile thojke ishalla nuk iu vijnë kurrë ment  se n’qafë na marrin.

Kur vijnë shacat gëzohen së tepermi tregtarët, supermarketet që në këta dy muaj e bajnë ma shumë se gjysmën e qarkullimit vjetor, gëzohen, kafiqat restoranet, sallat e dasmave.

Gëzohet Meda, Shyhretja, gëzohet edhe Mahmuti. Gëzohen shumë edhe mjekët që prejnë speca  që në këtë sezonë e kanë lamën dhe menzi i ndajnë dy ditë pushim me shkue deri në Durrës, por gjithmonë në gjendje gadishmërie, pranë telefonit edhe në plazh.

Gëzohet edhe Hashimi e Isa, gëzohet edhe Kadrushi, gëzohet qeveria sepse remitencat e shacave sigurojnë përkohësisht një paqe sociale deri në veren tjetër të budallëve.
Sepse shaci vërtetë ështe budallë.

Eshtë budallë sepse prej kursimeve nga puna e vështirë i blen djalit apo vëllaut makinë luksoze, telefon high tec, në vend që t’ia blejë një traktor e me i thënë veç punoje tokën e babës se unë ta blejë farën edhe plehurin e mos blejë patligjana e speca që të helmojnë.

Ose atij në qytet, nëse ka zanat, me ia ble naj makineri me marue palloma për shembull ose reciklim të bërllogut që po ankohemi se po naj zen frymën.
Kështu fëmiu dhe familjarët tjerë nuk do të kenë shumë kohë me shkue kafiqave dhe fillojnë me ta ditë kimetin tye e aq ma shumë punës tande dhe kur të vijsh herën tjetër nuk kanë me të kqyr ty me çka ke ardhë a si ke ardhë, por kan me e kqyrë punën e vet…

Comments

comments