Shfaqja ‘Eshtrat që vijnë vonë’ në MOT International Theatre Festival

Shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, që u shfaq premierë në muajin maj të këtij viti në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka marrë ftesë nga MOT International Theatre Festival, që do të zhvillohet në Shkup nga 21-27 shtator.

Në edicionin e 41-të të këtij festivali, Teatri Kombëtar i Kosovës merr pjesë me shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë” nga Teki Dervishi, me regji të Martin Koçovskit.

 Drejtori artistik i TKK-së Agon Myftari, shprehet se “teksti i Dervishit është shumë bashkëkohor. Në këtë pjesë ngrihen pyetje për identitetin. Kjo është shumë interesante. Shfaqja jonë shkon një hap më tej. Bëhen pyetjet për gjenezën e popullit shqiptar në këtë kontinent e më gjerë. Ka shumë pyetje dhe në mes tyre janë feja, territori e gjërat që ndodhin. Nuk jepen përgjigje. Por besoj se secili do të ketë përgjigje individuale”, thotë Koçovski.

Sipas tij, ky është një nga tekstet më të mira moderne që është shkruar.

“Kur kam marrë ftesën nga Teatri, kam mbetur i mahnitur nga ky tekst. Kam kuptuar se sa nuk di për kulturën, letërsinë e teatrin kosovar. Kam gjetur se përse ne jemi kaq të afërt e kaq larg njëri-tjetrit”, ka thënë ai për kultplus.

Aktorët që interpretojnë në këtë shfaqje janë Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Shkëlzen Veseli, Adrian Morina, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti.

Drama e Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë”, trajton fatin e individit me identitet të humbur, raportet mes njeriut i cili për pushtet ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin Orwellian në të cilin është futur domosdoshmërish.

Martin Koçovksi është regjisor i shumë projekteve teatrale. Përgjatë karrierës së tij ai është shpërblyer shumë herë me çmime të rëndësishme në vend dhe rajon, si çmimin: regjisori më i mirë, çmimin për audiencë, performancë e shumë çmime të tjera.

Comments

comments