Shikoni çfarë bishe po krijon Mercedes-AMG

Shikoni çfarë bishe po krijon Mercedes-AMG

Gjiganti gjerman i veturave, Mercedes, deri më tani ka paralajmëruar një numër të premierave të cilat i ka përgatitur për panairin e sivjetmë të veturave në Gjenevë, por atë më tërheqësen e ka lënë për fund.

Të kujtojmë, me herët është konfirmuar Mercedes-Maybach G650 Landaulet, E-Class kabrio e re, E63 S Wagon, GT C Roadster Edition 50, C63 S kabrio Ocean Blue Edition, C43 Coupe Night Edition, si dhe SLC RedArt Edition dhe SL designo Edition.

Gjithashtu, do të ekspozohet edhe koncepti X-Class i cili paralajmëron modelin serik Pick-up të Mercedesit dhe i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me aleancën Renault-Nissan.

Megjithatë, më interesanti është koncepti Mercedes-AMG GT, ku edhe fotografia e tij e parë zyrtare është publikuar, transmeton Koha.net.

Në lidhje me këtë koncept duhet kujtuar se më parë është përfolur shumë për atë se AMG është duke planifikuar rivalin e gjeneratës së re të Porsche Panameras.

Në Gjenevë do të ekspozohet si koncept, si pjesë e kremtimit të 50 vjetorit të AMG-së, ndërsa sa i përket modelit serik, sipas disa informatave të mëparshme thuhet se shitja e tij do të duhej të fillonte në fillim të vitit 2019.

Koncepti Mercedes-AMG GT është një veturë sportive me katër dyer dhe ulëse, me etiketën koduese X290, si dhe thuhet se mund të ndërtohet në bazë të platformës së Mercedesit, MRA.

Ndër të tjera, ky koncept do të karakterizohet me peshë të ulët, frenat karbon-keramik, material më të lehtë, marshin Speedshift MCT, sistemin e tërheqjes 4Matic në të gjitha rrotat, si dhe dy versionet e motorit 4.0-litër V8 ku versioni më i fuqishëm do të jetë me kapacitet mbi 600 kuajfuqi.