Shqipëria përfshihet nga moti i keq (VIDEO)

0

Reshjet  e shumta të dëborës izoluan disa zona malore në veri, ndërsa në jug reshjet e shiut kanë rikthyer alarmin e përmbytjeve.

Dëbora ka mbuluar thuajse të gjithë qarkun e Kukësit, ku trashësia në disa zona arrin në 40 centimetra. Rruga e Kombit, ku dëbora arrin deri në 20 cm dhe të gjitha akset e tjera kombëtare në qark janë të kalueshme. Bllokime ka në rrugët e fshatrave malore Lojmë dhe Arren.

Në qarkun e Dibrës, mbeten të bllokuara fshtrat më malorë në Trebisht, Ostren, Kalaja e Dodës e Lurë, ku trashësia e dëborës arrin deri në 50 centimetra.

I pakalueshëm është edhe aksi Librazhd-Bulqizë, ku trashësia e dëborës arrin 50 cm.

Në Qafën e Malit, në Pukë trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra dhe këshillohet të shmangen lëvizjet  pa zinxhirë. Në Korçë, rruga e Dardhës mbetet e kalueshme vetem me zinxhirë.

Ndërsa reshjet intensive të shiut të pasdites shkaktuan problematika në rrugët e Vlorës.

Bulevardi kryesor Vlorë-Skelë, rruga pranë Portit, ajo e lagjes 28-29 Nëntor dhe Rruga e Lagjes Kushtrimi u bënë të pakalueshme për disa minuta.

Furtuna që përfshiu Vlorën prej mëngjesit shkaktoi paralizimin e punës në portin e dytë më të madh të vendit.

Shtabi i Emergjencave u kërkoi banorëve të zonës së Dukatit dhe Orikumit që kanë banesat afër lumit të Izvorit të marrin masa për evakuimin nga banesat dhe largimin e  bagëtive pasi reshjet do të vazhdojnë.

Në Gjirokastër pati rrëshqitje dherash. Ndërkohë banorët e katit të parë në pallatin 8 katesh në lagjen “Kodra e Shtufit” janë gjendur sërish në vështirësi, kësaj here nga përmbytja.Problematike është shfaqur edhe vendi i njohur si Shkalla e Zezë në aksin Gjirokastër -Tepelenë. Reshjet kanë sjell fryrje të përroit të Zaranikës dhe lumit Shkumbin.

Në aksin rrugor Qafë Thanë- Elbasan  është i këshillueshëm qarkullimi me zinxhirë.

Reshjet shkaktuan vështirësi në lëvizjen e mjeteve edhe në aksin Fier-Patos.

Në 12 qarqet e vendit, Shtabet e Emergjencave janë vënë në gatishmëri për të monitoruar situatën.

Komentet

komentet