
Prioritet të PDIU-së, çëshja çame dhe diaspora shqiptare
Zgjidhja e cështjes çame dhe vëmendje maksimale ndaj diasporës shqiptare, këto janë objektivat e PDIU-së gjatë bashkëqeverisjes me mazhorancën në pushtet.
Zëvendës. Ministri i Arsimit, njëherësh sekretar politiki i PDIU-së, Ardian Tana deklaroi për Ora News se marëveshja me PD-në nuk është cështje postesh dhe emrash, por një marëveshje e qartë politiko-programore.
“Marrëveshja me maxhorancën është duke u zbatuar, ritmet kanë qenë të ndryshme. PDIU korri sukses të madh në zgjedhjet. Kjo nuk është një marrëveshje vetëm në emra dhe poste, por politike dhe programore. Për partinë tonë me interes dhe parimore është zgjidhja e çështjes çame, po kështu dhe vëmendja ndaj diasporës së vjetër dhe të re, ku është cështje ditësh krijimi i Komitetit Ndërkombëtar të Diasporës dhe themi se marrëveshja është duke ecur mirë. Shteti shqiptar e ka detyrim kujdesin ndaj emigrantëve, e thotë dhe Kushtetuta. Është e rëndësishme ti kushtohet më shumë vëmendje. Kujdesi ndaj shqiptarëve është një ndër drejtimet kryesore të PDIU-së, por edhe e politikës shqiptare që të investohet për ta. MASH po përpiqet të ofrojë më shumë për mësimin e gjuhës shqipe, por me rëndësi është të krijohen politikat e duhura për plane afatgjatë. Po bashkëpunojmë edhe me MASH e Kosovës, pasi edhe ata kanë interes për këtë cështje” tha ai.
Kritikave të shumta të politikës shqiptare, por edhe të shtetit grek lidhur me implementimin e kësaj partie në qeverinë Berisha, Tana u përgjigjet:
“Ne kërkojmë që të sjelim kontributet tona në integrimin dhe zgjidhjen e cështjeve ende të pazgjidhura. Është koha që politika shqiptare të flaës me një zë, do të lobojmë fort për unifikim të politikës në këtë drejtim. Greqia ka reaguar gjithmonë për cështjen came për të ushtruar presion, në gjendjen aktuale përballë syrit të botës nuk ndodhet më në pozita komode, është si një elefant prej letre, ndaj reagon dhe në këtë mënyrë si në rastin e fundit”.
Lidhur me deklaratat e dy ditëve më parë të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili mohon ekzistencën e krahinës së Camërisë dhe cilëson se askush nuk mund t’i imponojë shtetit grek toponimet e veta, Tana i cilëson vazhdimësi deklaratash provokative, që sipas tij janë tipike të llojit Dule. Më tej ai thekson se dhe vetë grekët në studimet e tyre e kanë njohur Çamërinë dhe vetëm atij i ka mbetur ta njohë.
“Dules i duhen herë pas here të tilla cështje për të dalë në skenë, nuk është hera e parë që bën deklarata provokative. Duhej të kishte reaguar për sjelljet e shtetit grek për pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve camë. Është sjellje primitive dhe kriminale, nën pretekstin se ata paraqesin rrezik për rendin publik në Greqi. Greqia nuk mund të jetë pjesë e bashkësisë së madhe europiane kur shkel hapur të drejtat e njeriut, ndaj duhet të ndryshojë qëndrim sepse ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj cëshje, duke shfrytëzuar cdo rrugë demokratike.Krahina Çamëri ka ekzistuar, studiues dhe historian greke e kanë njohur dhe vetëm zotit. Dule i ka mbetur ta njohë.Camëria jeton, në të jetojnë njerëzit që mbeten pas genocidit, aty janë shtëpitë dhe objektet e kultit, ajo jeton në gjithë memorien e njerëzve që kanë lindur aty dhe pasardhësve të tyre. Çamëria nuk është një cështje, është realitet që duhet të zgjidhet”, theksoi zëvendësministri i Arsimit, Ardian Tana.(INA)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj