
Ahmeti, Thaçi dhe Osmani urojnë presidentin Nishani
Partitë politike shqiptare në Maqedoni BDI, PDSH dhe RDK kanë uruar presidentin e ri shqiptar Bujar Nishani.
“Kam nderin e veqantë në emrin tim personal si dhe në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim, t’ju uroj zgjedhjen për President të Republikës së Shqipërisë në një proces demokratik dhe në përputhje me pritjet e miqve tanë ndërkombëtar. Njëkohësisht, më lejoni ju lutem të Zotohem para jush dhe qytetarëve të Shqipërisë për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt institucional dhe miqësor me institucionin e Presidentit të Republikës dhe të gjitha institucionet demokratike të shtetit shqiptar. Jam i bindur në përkushtimin tuaj si President i Republikës së Shqipërisë, për përkujdesje institucionale rreth mirëqenies së kombit tonë në Ballkan dhe në ndihmesën tuaj drejt ritakimit të shqiptarëve në rrugën e integrimit tonë të përbashkët në Bruksel.
Zgjedhja e juaj në krye të shtetit shqiptar në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka rëndësi të veqantë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, dhe kjo zgjedhje reflekton përkushtimin e Shqipërisë që të ec drejt rrugës së integrimit duke marrë me vete edhe fqinjët e saj”, thuhet në telegramin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Zgjedhja Juaj si President dëshmoi edhe njëherë se Republika e Shqipërisë ka vlera të larta civilizuese dhe kapacitete demokratike.
Shprehim bindjen se me zgjedhjen e Juaj në këtë detyrë padyshim do të kontribuoni në avancimin e standardeve demokratike duke patur parasysh se ju jeni President i të gjithë shqiptarëve.
Ju si President do të vazhdoni të promovoni politikën e mirëkuptimit jo vetëm brenda Republikës së Shqipërisë, rajonit, por edhe më gjërë.
Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare duke ju uruar sukses në detyrën e re, shprehi bindje se Shqipëria tashmë si anëtare e NATO-s do të jetë së shpejti edhe anëtare e Bashkimit Evropian”, theksohet në mesazhin e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Në telegramin e kryetarit të RDK-së, Rufi Osmani theksohet se shqiptarët në Maqedoni, pa përjashtim, kanë ndjekur me kënaqësi votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar dhe zgjedhjen Tuaj President i Republikës së Shqipërisë.
“Zgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Republikës konfirmon zhvillimin demokratik dhe stabilitetin institucional në shtetin shqiptar, duke respektuar kushtetutën e tij. Kjo zgjedhje njëherit është dëshmi e përcaktimit të qartë euro-atlantik të shqiptarëve, duke caktuar në krye të institucioneve të tyre njerëz të dëshmuar për vlerat e tyre perëndimore. Rilindja Demokratike Kombëtare, si forcë politike e angazhuar për përmirësimin e pozitës së vështirë të shqiptarëve në Maqedoni, beson thellësisht se zgjedhja Juaj në këtë post do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë, stabilitetit rajonal dhe shtimit të interesimit të ligjshëm të shtetit shqiptar për të gjithë shqiptarët, si pjesë e detyrimeve të tij, të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Së këndejmi, në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, më lejoni të Ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen Tuaj në krye të shtetit shqiptar, duke Ju dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme për prosperimin e kombit shqiptar, pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e të cilit janë edhe shqiptarët në Maqedoni”, thuhet në mesazhin e kryetarit të RDK-së, Rufi Osmani. (INA)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj