
Tiranë, ekspozita "Unë e dua Çamërinë"
Në Muzeun Historik në Tiranë sot u hap ekspozita fotografike “Kultura dhe Historia e Çamërisë”, nën organizimin e Shoqatës “Çamëria”, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubit të Patriotëve të Rinj.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, nga Kosova, si edhe nga trupi diplomatik, ndër të cilët, nënkryetari i PDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetë të Partisë Demokratike, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, Naltësia e Tij Mbretërore Leka II dhe personalitete tjera.
Në këtë ekspozitë, e cila u zhvillua pikërisht në 68 vjetorin e nisjes së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më 27 qershor 1944, u shfaqën dokumente origjinale të sekuestrimit të pasurive të shqiptarëve të Çamërisë, vërtetime të lëshuara nga shteti grek, protestat origjinale të dërguara nga Shqipëria, si edhe fotografi të vjetra të krahinës, krahas personaliteteve të shquara të Çamërisë. Po ashtu, u prezantua vepra “Monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, një punë dyzetvjeçare e prof. dr. Selman Sheme.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, vlerësoi nevojën e një kohezioni mbarëkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame.

“Ndodhemi në sallën e Muzeut Kombëtar, ku ruhen trashëgimitë kryesore historike të kombit, nga rrugët kryesore të Tiranës, zbukuruar me shprehje të ndryshme vizuale të motos Unë e dua Çamërinë. Çamëria është dheu i të parëve tanë, ku janë varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tanë, atje janë gjurmët më të vjetra të ekzistencës sonë njerëzore, janë themelet e autoktonisë sonë, domethënë pse ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë aty, në ato vise të mrekullueshme, është qytetërimi i pestë në botë, Nikopoja. Në Çamëri janë gjurmët e vijimësisë sonë etnike, kulturore, fetare dhe gjeografike, e pse jo dhe kanunore, domethënë të ligjit zakonor shqiptar, atje ka lindur dhe është rritur folklori ynë i mrekullueshëm. Në Çamëri kanë lindur mitet më të rëndësishme të Europës. Atje në Çamëri, dy kombet më të vjetër të Evropës, shqiptarët dhe grekët, pretendojnë pronësinë e këtyre miteve. Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Çamëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë. Ndoshta sic thotë Aristidh Kola, patriarku i madh kombëtar shqiptar, dy kombet s’kanë arsye pse të grinden, por të bashkëjetojnë, duke nderuar rrënjët e tyre të përbashkëta. Ndaj ka ardhur koha që Greqia përfundimisht, të kuptojë se asnjë e keqe, nuk i vjen prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar, dhe ku duhet të jetojnë!”, deklaroi Idrizi.
Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj theksoi se çështja çame është e pandashme nga çështjet e tjera kombëtare dhe ashtu sikurse edhe Kosova, edhe Çamëria u përket të gjithë shqiptarëve.

“U bëjmë thirrje të gjithë patriotëve që të bashkohen rreth kauzës së madhe të shqiptarëve të Çamërisë dhe të kontribuojnë aq sa munden, për ta çuar përpara këtë çështje. Më lejoni të huazoj një shprehje të një udhëheqësi të madh amerikan i cili thoshte se Më ndihmo o Zot të them gjithmonë të vërtetën dhe jo të rremen. Më ndihmo o Zot të kryej gjithnjë veprime të drejta dhe jo të padrejta. E mbi të gjitha, më ndihmo o Zot të dalloj të vërtetën dhe të drejtën nga e pavërteta dhe e padrejta. Këtu të gjithë ne e dimë cila është e vërteta dhe e drejta për Çamërinë, e na mbetet që të veprojmë për të”, deklaroi Limaj. Në këtë ceremoni folën edhe pjesëmarrës të tjerë në këtë ekspozitë, të cilët vlerësuan aktivitetet me moton “Unë e dua Çamërinë”. (INA)

Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj