Shqiptarët jashtë Festivalit “Vera e Ohrit”

Në edicionin e sivjetëm të Festivalit “Vera e Ohrit”,  pjesëmarrja e artistëve dhe performancave shqiptare është e reduktuar në maksimum. Pas anulimit të pjesëmarrjes së një sërë emrash të njohur që parashikoheshin të ishin pjesë e programit, mes tyre Shkëlzen Doli e Inva Mula, këtë vit nuk merr pjesë me shfaqje as Teatri Shqiptar i Shkupit, shkruan gazeta KOHA.

Dilemat për pjesëmarrjen e ndonjë grupi apo artisti shqiptar nga jashtë Maqedonisë janë eliminuar pas publikimit të versionit të plotë të programit në të cilin nuk ka asnjë shqiptar. Violinisti Blerim Grubi është emri i vetëm që do të interpretojë në natën e parafundit së bashku me Marija Vërshkovën në një koncert në piano e violinë në kishën Shën Sofia. Edicioni i 57-të i festivalit “Vera e Ohrit” nis të mërkurën në mbrëmje me shfaqjen e  grupit muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, në skenën e Teatrit Antik, ndërsa mbyllet më 20 gusht me shfaqjen teatrore “Toka e askujt” të Teatrit Nacional. Këtë vit “Vera e Ohrit” është cilësuar si një edicion me risi, sa i takon stafit, logos, e të tjera, pas ndryshimit pas dhjetë vitesh  të dy selektorëve, Gjorgji Cuckovski i pjesës së muzikës dhe Zoran Llutkov si elektor artistik i pjesës së dramës, ndërsa motoja është “Rruga drejt magjisë”.

Anulimi i pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë si Doli, apo Mula, nuk sqarohet nga drejtori i Festivalit Oliver Arsovski, nëse bëhet fjalë për angazhime të tjera apo për mosmarrëveshje rreth pagesës, ndërsa sa për Teatrin Shqiptar ky i fundit nuk arriti që të realizonte në kohë shfaqjen me të cilën supozohej se do të merrnin pjesë. Interesimi i publikut për të marrë pjesë është i madh, thonë nga drejtoria e festivalit, pavarësisht panikut që shkaktuan tërmetet njëpasnjëshme në këtë zonë.

“Nuk kemi asnjë anulim, çdo gjë rrjedh normalisht dhe ne po bëhemi gati për hapjen e festivalit. Teatri Antik do të jetë plot natën e parë dhe interesimi për bileta është i madh, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, madje më i madh se vitet e kaluara”, thotë për KOHA zëdhënësja Suzana Vrencovska.

Performancat muzikore janë ato që do të dominojnë skenën e sivjetshme, gjithsej 38, nën interpretimin e mbi 270 artistëve, nga Kina, Rusia, Europa, rajoni. Festivali hapet me një spektakël xhazi, për të vazhduar me mbrëmje xhazi, simfoni rok, orkestra kamertale, e të tjera. Sa i takon pjesës dramatike në skenë do të ngjiten  katër teatro vendase, si edhe teatro të huaja, nga Bosnja, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Skenat muzikore dhe ato teatrore do të jenë ashtu si edhe vitet e tjera në  Teatrin antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë.

Comments

comments