Shqiptari Ermal Meta fiton Festivalin e Sanremos/VIDEO

0

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente”, kanë triumfuar në Festivalin e Sanremo-s në Itali.

Pas shumë polemikave këtë edicion të festivalit, Meta dhe Moro kanë arritur të lënë gjithçka pas krahëve dhe me performancat e tyre të jashtëzakonshme fituan zemrat e italianëve duke i bërë më të votuarit në këtë festival.

“Non mi avete fatto niente” u pezullua përkohësisht për dyshim të thyerjes së rregullores së Festivalit, por pas vlerësimeve, “Rai” doli në përfundimin që kënga të vazhdonte garën, nga e cila dy këngëtarët u larguan si triumfues.

#Sanremo2018

La proclamazione della canzone vincitrice di #Sanremo2018#NonMiAveteFattoNiente di Ermal Meta e Fabrizio Moro 🎉

Posted by Festival di Sanremo on Samstag, 10. Februar 2018

Por kush është Ermal Meta? Ai lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari, Itali me familjen e tij. Karrierën e tij e nisi si kitarist i grupit Ameba 4. Grupi konkurroi në kategorinë e të rinjve në Sanremo të vitit 2006 me këngën “Rido… forse mi sbaglio”.

Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Në 2010, ai mori pjesë përsëri në Sanremo në kategorinë e artistëve të rinj. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj. Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi.

Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë.

Meta u rikthye në Sanremo 2018 në duet me Fabrizio Moro, por nuk u shpëtuan polemikave. Kënga e tyre u pezullua pas akuzave se ishte e vjedhur. Në fakt bashkautori i këngës Andrea Febo pranoi se kishte marrë një pjesë nga refreni i një kënge të prezantuar në Festival 2 vjet më parë e cila nuk ishte pranuar dhe që nuk ishte publikuar. Sipas tij kjo ishte një këngë krejt tjetër me një përmbajtje dhe fabul tjetër. Tashmë kënga është një himn kundër akteve terroriste. Pas 36 orësh drejtuesit e festivalit e kthyen këngën në garë dhe ajo arriti të triumfojë. ©LAPSI.al

Komentet

komentet