Si ishte arrestuar Velija Ramkovski pronari i A1, ja pamjet ekskluzive (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë mbrëmjen e  24 dhjetorit të vitit 2010 e  arrestoi pronarin e televizionit A1 në Shkup, Velija Ramkovski.

Bashkë me Ramkovskin u arrestuan edhe tetë drejtorët e kompanive private me adresat e pranishme në hapësirat ku gjendet televizioni, në rrugën “Pero Nakov” në Shkup.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe disa drejtorë të firmave në pronësi të Ramkovskit. Ndër ta edhe drejtoresha e televizionit, Aneta Koçishki.

Avokati i Ramkovskit, Miroslav Vuic, ka reaguar ndaj arrestimit dhe mënyrës se si është bërë kjo.

Arrestimi i Ramkovskit u bë në korridorin e ndërtesës së televizionit, rreth orës 22:30, vetëm disa sekonda pasi që ai kishte mbërritur aty i shoqëruar nga deputeti dhe lideri i Partisë për Ardhmëri Evropiane (PEI), Fijat Canovski.

“Disa sekonda pasi që kemi hyrë në ambientet e televizionit, persona civil kanë vrapuar pas nesh dhe menjëherë kanë arrestuar Ramkovskin. Ndërhyrja e tillë ka qenë brutale”, ka theksuar Canovski, i cili ka njoftuar se pronari i A1 ishte njoftuar nga burime jozyrtare se do të arrestohej.

MPB-ja nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me arrestimet, që pasuan një muaj pas kontrollit të policisë financiare dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) në kompanitë në hapësirat e televizionit, të cilat janë dyshuar nga këto institucione për fshehje tatimesh, pastrim parash, funksionim të paligjshëm, etj.

Ndërhyrja në hapësirat e këtij televizioni u vlerësua si sulm kundër medias së lirë dhe se këto qëndrime ishin shprehur edhe nga ana e partive opozitare.

Qeveria kishte hedhur poshtë pretendimet e tilla, duke bërë të ditur se po kontrolloheshin kompanitë e dyshuara që gjendeshin në të njëjtën godinë, ku ishte A1 dhe disa gazeta të përditshme, që ishin në pronësi të biznesmenit Ramkovskit.

 

 

 

Comments

comments