Si u sekuestruan pronat e Esat Pashë Toptanit në 1920 dhe si u bë spital, hani i tij në Tiranë

0

Në vitin 1920, qeveria shqiptare do të miratonte një vendim për sekuestrimin e pasurive të patundshme të Esat pashë Toptanit duke autorizuar autoritetet që t’i marrin në administrim.

Në këtë vit, për shkak të mungesës së godinës, do të miratohej edhe vendimi që hani i tij në qendër të Tiranës të transformohej në spital, në administrimin e Bashkisë. Synimi ishte përmirësimi i kushteve të spitalit.

Deri në atë periudhë, misionarët e Kryqit të Kuq kishin çelur në Tiranë një spital që ishte i vendosur përkohësisht në një banesë (pronësi e Hamdi Bimbashit)

Spitali i ri i krijuar në hanin e Pashës në Tiranë do të siguronte të ardhura për funksionimin nga përdorimi i pullës së spitalit që kushtonte 50 qindarka argjendi. Vula ishte e prodhuar në vend.

Te “Financat e Shqipnis” së Haxhi Shkozës jepen detaje se si u mor vendimi për sekuestrimin e më pas konfiskimin e pasurive të ish kryeministrit, shkruan scan.tv.

1 / 2

Vendimi i vitit 1920, dy vite më vonë, në 1922 do të shoqërohej nga një vendim tjetër për konfiskimin e të gjitha pasurive në fjalë. Vendimi do të dekretohej nga Këshilli i Naltë dhe do të argumentohej në qendrimin politik që Esadi kishte mbajtur gjatë viteve 1913-1915 dhe me faktin se gjatë vitit 1914 kishte “vu dorë në të ardhurat doganore”.

“Fatura” e këtyre veprimeve, evidentohet në librin e Shkozës, arrinin në 3 milion e 112 mijë e 55 franga ari.

Dekretligji i vitit 1922 do të shkaktonte shumë diskutime por nga parlamenti shqiptar do të votohej e dekretohej më pas me 18 prill të vitit 1923.

Gati pas dy viteve (5 dhjetor 1925) një grup deputetësh do të kërkonte anullimin e këtij ligji duke pretenduar se arsyet e shfaqura në rastin e votimit nuk i përshtaten dispozitave të Statutit të Lushnjes në atë kohë në fuqi. Por në fakt ligji nuk do të anullohej e kërkesa e deputetëve nuk do të pranohej.

Krahas pasurive të Esatit, konfiskimi kishte prekur edhe pronat e bashkëshortes së tij, e cila do dërgonte në Shqipëri pas 4 vitesh një përfaqësues të saj për të kërkuar të drejtat që i përkisnin në ato prona, të cilat iu kthyen. Përjashtim do të bënte vetëm çifliku Rreth në Durrës, për të cilin do të niste një proces gjyqësor që do të përfundonte në vitin 1930, kur ky çiflik u bë pronë shtetërore.

Komentet

komentet