Sinani: “Shqiptarët i dhanë shuplakë historike Ali Ahmetit, Thaçin e pensionuan”

Partitë shqiptare në Maqedoni së fundmi kanë kërkuar si kusht për të hyrë në koalicionin e ri qeveritar, barazinë e plotë të statusit të tyre me atë të shumicës maqedonase, si edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit. Për analistin Arsim Sinani kjo shihet si një arritje, por mbi të gjitha dhe një shuplakë ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe ndaj liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili është tërhequr nga politika, pas disfatës që pësoi në këto zgjedhje. Analisti Sinani komenton dhe mundësitë se me cilën prej partive LSDM apo VRMNO- DPMNE, shqiptarët duhet të hyjnë në qeverisje. Arsim Sinani është diplomuar për letërsi pranë Fakultetit të Filologjisë, Universiteti i Prishtinës. Mban një Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci dhe ka mbrojtur doktoraturën pranë Universitetit të Tiranës. Ka botuar këto libra: “Procesi i Integrimit të Maqedonisë në Unionit Europian”, “Dialog me dijetarë dhe pushtetarë”, “Ç’është liria”, “(Mos)zyrtarizmi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, studime, analiza, editoriale dhe “Komunikimi”.

Zhvillimet e fundit në Maqedoni i kanë dhënë “shuplakë” të gjithë zërave skeptikë se shqiptarët nuk mund të bëhen ndonjëherë bashkë. Si e komentoni ju këtë arritje të shqiptarëve dhe sa larg mund t’i çojë shqiptarët platforma e përbashkët e arritur? 

Zhvillimet e fundit politike pikësëpari i dhanë shuplakë liderit historik të BDI-së, Ali Ahmeti, duke ia hequr fuqinë politike 50%. Gjithashtu i dhanë goditjen fatale liderit të PDSH-së Menduh Thaçit, duke e pensionuar nga politika. Këto janë dy goditjet e forta që votuesi shqiptar i dha si verdikt në këto zgjedhje. Qeverisja autokratike me Nikolla Gruevskin publikisht e Ali Ahmetit dhe nën rrogoz e Menduh Thaçit është përgjigja që qytetari shqiptar e dha si mesazh gjatë këtyre zgjedhjeve. Shuplaka tjetër e fortë ishte për ish-kryeministrin kryeneç maqedonas Nikolla Gruevski, duke e votuar opozitën maqedonase që e barazoi me vota palën maqedonase. Shuplaka tjetër ishte edhe për disa qarqe të caktuara në Prishtinë dhe Tiranë që nuk ishin të vëmendshëm dhe menduan se mund të faktorizojnë politikanët që pësuan humbje të thellë në këto zgjedhje. Politika nuk shkon me miq këtë e thanë qytetarët shqiptar me mënyrën si votuan.

Këto shuplaka thënë figurativisht edhe e prodhuan nevojën për një bashkëpunim mes partive politike shqiptare në IRJ të Maqedonisë. Modeli i dështimit të partive politike dhe shpërndarjes së votës në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës fatmirësisht në IRJ të Maqedonisë prodhoi nevojën për bisedime pas zgjedhore. Numrat flasin për këtë pasi askush se ka legjitimitetin e duhur për të qeverisur vetë. Nga viti 2006-2016 shqiptarët përjetuan natën e Shën Bartolemeut, duke pësuar dëme të mëdha, llogariten deri 15 miliardë euro pësimi i dëmeve në vendbanimet shqiptare, nga politika antishqiptare e Nikolla Gruevskit dhe projektit të tij “Shkupi 2014”, asnjë investim, asnjë shkollë, asnjë gjë për shqiptarët.

Shuplakat që ju i përmendët ishin vërtetë të nxehta dhe sollën këtë bashkëpunim të domosdoshëm. Platforma e cila po prezantohet këto ditë realisht ka një sërë mangësish nga aspekti teknik dhe më lipset ta them se ka nevojë të punohet nga ekspertë të mirë që të vendosin kërkesat reale të shqiptarëve të IRJM-së, e jo dëshirat dhe hipotekat që politikanët shqiptar i kanë karshi faktorit politik maqedonas. Por ka shumë paqartësi se çka do ndodh me këtë platformë, kush e garanton jetësimin e saj, pasi që shikuar nga kjo, vetë partia e Ali Ahmetit, BDI-ja, deri më sot nuk ka sjell ligj për ish pjesëtarët e UÇK-së, edhe pse ka dal si produkt nga lufta e vitit 2001.

Nga kjo pikënisje më frikëson se mos është thjeshtë një mashtrim i radhës për të arritur politikanët qëllimet e tyre politike për mbijetesë dhe ruajtje të interesave të tyre personale. Por shpresoj në ditët në vijim të shohim çka do ndodh dhe çfarë do na thonë politikanët e lodhur shqiptar në IRJM. Në IRJM pas platformës dhe idealit kombëtar vazhdimisht është abuzuar dhe qytetari shqiptar frikësohet se mund të mashtrohen edhe kësaj radhe, pasi pas luftës shqiptarët pritën që jeta e tyre të përmirësohet ndërsa në vend të përmirësimit të jetës së qytetarit shqiptar u përmirësua mirëqenia e disa individëve që sot jetojnë mirë ata dhe familjet e tyre. Ky lloj patriotizmi nuk ka vend në IRJM prandaj veprimet që do ndodhin më tutje ka shumë gjasa që pjesën më të madhe të politikanëve ti pensionojnë në zgjedhjet e majit të vitit 2017.

A do të mund të bashkëjetojnë partitë shqiptare në një koalicion të gjerë, kur dihet se kanë pasur luftë të madhe mes vete, madje në fushatë nuk kanë munguar dhe akuzat e rënda? 

Problemet që partitë politike shqiptare i kanë krijuar janë të natyrës për ti krijuar personave të caktuar që fshihen pas kauzës kombëtare komoditet dhe për të përfituar ata. Shqiptarët nuk kanë pasur probleme mes vetes, por këto kanë qenë të stisura nga vetë partitë politike shqiptare të cilat në mungesë te realizimit të objektivave të shqiptarëve i kanë konfrontuar aktivistët partiak në mes vetes. Arsye ka qenë që të fshehin dështimin që e kanë në raport me palën maqedonase. Nikolla Gruevski dhe politikat e tij e kanë dëmtuar qenien e shqiptarëve prandaj tani është koha që shqiptarët ta dërgojnë në histori projektin e tij Shkupi 2014 bashkë me të sinus produkt i kësaj qeverisjeje. Lirimi nga kjo e keqe do hap mundësi që shqiptarët të marrin frymë lirisht dhe gradualisht të dekriminalizohet skena politike shqiptare. Derisa ne flasim pjesë ma e madhe e politikanëve shqiptar janë të kapur nga shteti dhe punojnë për interesa të maqedonasve. Rënia e Gruevskit hap mundësi që të bie muri që e ka krijuar ai me shqiptarët. Prandaj ndërhyrja e Tiranës ishte e duhur, e domosdoshme, e dobishme dhe i nxjerr nga balta shqiptarët. Bashkëpunimi mes shqiptarëve gjithnjë ka qenë i mirë, por lakmia e politikanëve shqiptar për tu pasuruar ka krijuar hendek në shoqërinë shqiptare. Akuzat mes vetes kanë qenë thjeshtë për të orientuar bisedën në tema që i shpëtojnë ata nga marrëveshjet që i kanë bërë nën tavolinë me palën maqedonase. Establishmeti politik aktual maqedonas ka investuar shumë në kapacitetet politike të shqiptarëve duke i instrumentalizuar, shikoni se çka flasin dhe do e kuptoni se çfarë interesash mbrojnë. Simbolikisht këtë marrëveshje e kam quajtur Manastiri 2025, që simbolizon rikthimin e fuqisë politike të shqiptarëve këtu.

Me kë nga dy partitë maqedonase janë gjasat që partitë shqiptare të formojnë qeverinë? Kjo është një pyetje e cila ka dy përgjigje. Me Gruevskin nëse shkojnë shqiptarët lipset t’ia vendosin në tavolinë të gjitha gjërat që ai për dhjetë vite ua ka hëngër shpirtin dhe i ka injoruar. Do ishte e bukur ta shohin se si ky patrioti Nikolla Gruevski i han fjalët e veta, por kjo është një qeverisje që nuk i zgjidh dot problemet e shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo doktrinë politike lipset të dënohet, shqiptarët e kanë këtë mundësi ta bëjnë dhe ta shpëtojnë vendin nga ky mentalitet serb. Opsioni i dytë është Zoran Zaev dhe opozita maqedonase që goxha është reformuar vitet sa ka qëndruar në opozitë, pa e harruar të kaluarën e hidhur me këtë parti që shqiptarët e kanë përjetuar.

Tezën për zyrtarizim të gjuhës shqipe guximshëm e ka proklamuar Zaevi dhe është për tu përshëndetur ky guxim i një politikani maqedonas, por këtu fillon diskutimi: A do me të vërtetë ai ti realizojë këto, apo i duhet vota shqiptare për të ardhur në pushtet? Platforma që e proklamuan shqiptarët do jetë në tavolinë për bisedime dhe pala maqedonase nuk do e ketë lehtë pasi do djersitet shumë. Nga viti 1945, ata, kanë lozur me shqiptarët, tani ka ardhur koha që të përmirësohen padrejtësitë ndaj shqiptarëve. D.m.th shqiptarët kanë mision që ta dërgojnë në histori doktrinën politike të VMRO-DPMNE-së dhe mentorit politik Nikolla Gruevski.

Si e shihni rolin e mentorit që ka luajtur Tirana zyrtare për t’i ulur të gjitha partitë bashkë dhe si është komentuar kjo në opinionin maqedonas?

Shqipëria e ka luajtur bukur pjesën e vetë të lojës, konform Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shikuar nga ky këndvështrim lipset të thuhet se edhe derisa flasim në IRJ të Maqedonisë politikat pro serbe janë determinuese të politikës së qeverisjes aktuale në ikje e sipër. VMRO konsiderohet se si mentor e ka Beogradin zyrtar ndërsa në linjë të gjerë gjeopolitike Moskën e sheh si inspirim në politikën e madhe. Në të kaluarën edhe Sofja ka qenë shumë e afërt me qeverisjen e Gjeorgjievskit, ndërsa sot Sofia zyrtare është e afërt me Lidhjen Soacialdemokrate të Zoran Zaevit.

Shikuar nga kjo pikë Tirana dhe kryeministri Edi Rama kanë bërë ndërhyrjen e duhur për të parandaluar shpërbërjen dhe organizimin politik të shqiptarëve të IRJ të Maqedonisë. Ndërhyrja e Ramës ka qenë në momentin e qëlluar pasi që i shpëton shqiptarët nga kthetrat e politikës serbe dhe ruse. Komunikimi mes partive politike shqiptare nuk ka ekzistuar realisht dhe kjo është një meritë që i faturohet Tiranës dhe kryeministrit Rama që i uli dhe ia dha kahun e duhur politikës shqiptare. Nëse Beogradi deri dje ka qenë faktor politik, tani Tirana fuqishëm me ndërhyrjen e shpëton IRJ të Maqedonisë dhe e rikthen në rrugën e humbur europiane dhe atlantike./shekulli

Comments

comments