Socialistët kërkojnë të shkohet pa Metën në zgjedhje, deputetët e LSI ende të pasigurt

PS dhe LSI, dy aleatët kryesorë të koalicionit qeverisës, ende nuk e kanë vendosur zyrtarisht nëse do të hyjnë së bashku në zgjedhjet e 18 qershorit. Gjatë këtyre ditëve ka patur takime mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të LSI, Ilir Meta, por nuk janë deklaruar përfundimisht dhe zyrtarisht se cili do të jetë fati i koalicionit PS-LSI. Madje, dy partitë e mëdha të mazhorancës qeverisëse kanë kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve. Gjithsesi, socialistët kërkojnë që të shkohet edhe pa Ilir Metën në zgjedhje, pasi besojnë në fitoren e PS edhe e vetme. Deputetët e PS ia bëjnë më të lehtë marrjen e vendimit kryeministrit Edi Rama, për një bashkëpunimin të ri me LSI, apo jo. “Këto ditë do të vendosen koalicionet. Unë mendoj se PS edhe e vetme në zgjedhje, do të dilte fituese. Do korrë fitore më te thellë se në 2013. Megjithatë, kryeministri e ka bërë ofertën e tij, që PS-LSI të shkojnë së bashku në zgjedhje. Aleati ynë, LSI, do marrë vetë një vendim, i takon asaj se çfarë do të bëjë me koalicionin. Por unë jam i sigurt se koalicioni funksionon dhe do shkojmë së bashku në zgjedhje”, u shpreh deputeti socialist, Sadri Abazi. Deputeti i PS, Andrea Marto, theksoi se rruga më e mirë do të ishte që PS dhe LSI të shkojnë të ndara në zgjedhje, dhe më pas të përcaktohen koalicionet. Ai parashikon se PS edhe e vetme do fitojë. “Do ishte e udhës që partitë të dilnin të ndara në zgjedhje dhe më pas të përcaktoheshin koalicionet. Një gjë është e sigurt: PS do t’i fitoj zgjedhjet edhe e vetme”, u shpreh deputeti Marto. Ndonëse socialistët i kanë të qarta bindjet e tyre, deputetët e LSI janë ende të pasigurt për vijimin e bashkëpunimit me PS. Deputeti Flamur Çelaj vlerëson se më shumë rëndësi ka të zhvillohet një proces zgjedhor demokratik, sesa vijimi apo jo i bashkëpunimit me PS. “Koalicioni nuk është më i rëndësishëm se sa procesi zgjedhor. Nuk ka rëndësi konjukturat e partive, ka rëndësi të zhvillohet një proces demokratik zgjedhor. Të marrin pjesë të gjitha partitë politike, për një proces zgjedhor demokratik”, u shpreh Çela. Në të njëjtën linjë janë dhe deputetët e tjerë, të cilët shprehen se nuk është e rëndësishme nëse PS dhe LSI shkojnë bashkë apo veç në zgjedhje, e rëndësishme është që të zhvillohet një proces zgjedhor demokratik dhe i ndershëm. Deputeti Robert Bitri thekson se LSI do marrë më shumë vota nga çka marrë, sido që të hyjë në zgjedhje. “Nuk ka shumë rëndësi se si do të shkojnë të ndarë apo jo në zgjedhje. Megjithatë, LSI sidoqë të shkojë do të marrë më shumë vota nga çka marrë”, u shpreh deputeti Robert Bitri.

Comments

comments