Strategjia e tkurrjes së hapësirës etnike shqiptare në Maqedoni

Abdulla Mehmeti

Pjesëmarrja e LSDM me kandidatë të saj për kryetarë të komunave me shumicë dërmuese të popullsisë shqiptare, nuk është ide thjesht për konkurrencë politike, por tendencë për vënien nën kontroll politik të këtyre komunave, që mund të kuptohet vetëm si pjesë e strategjisë afatgjatë për tkurrjen e hapësirës etnike shqiptare në Maqedoni, jo si ndërhyrje për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve në këto komuna.

Për aq më tepër, kur LSDM në këto zgjedhje duhet të përballet në mbi 60 komuna të tjera me shumicë të popullsisë maqedonase, në nivel të shtetit, me oponentin e saj më të madh politik, VMRO-DPMNE, kjo parti gjenë kohë të merret edhe me komunat me popullsi kryesisht shqiptare.

Tendenca për ,,pushtimin” e dy komunave, Komunës së Haraçinës dhe Komunës së Likovës, dy komuna të vetme me shumicë të popullsisë shqiptare në pjesën veriore të shtetit, nuk mund të kuptohet si rastësi, duke pasur parasysh se në Komunën e Kumanovës, shqiptarët marrin pjesë me më pak se 30%, ndërsa mbi komunat në kuadër të qytetit të Shkupit, Komunën e Çairit dhe Komunën e Sarajit, tanimë sipas ligjeve në fuqi është vendosur kontroll i dyfishtë, nga pushteti i qytetit të Shkupit dhe pushteti qendror, meqë Shkupi është edhe kryeqytet i shtetit, ku janë Qeveria dhe Parlamenti, organet kryesore të pushtetit.

Me këtë strategji, shqiptarëve u pamundësohet ruajtja e vazhdimësisë dhe kompaktësisë territoriale të komunave dhe vendbanimeve me shumicë të popullsisë shqiptare dhe u lejohet frymëmarrje e lirë vetëm në rajonin e Pollogut. Me këtë synohet dominimi i pushtetit pa shqiptarët, ose me ,,shqiptarë të dëgjueshëm”, në të gjitha komunat, qytetet dhe vendbanimet shqiptare, që nga Kumanova deri në Strugë, në përjashtim të rajonit të Pollogut, Komunën e Tetovës, Komunës e Gostivarit dhe komunat rurale përreth. Kjo strategji e gabueshme mund të kuptohet si synim i pushtetit në Maqedoni për heqjen qafe të këtij rajoni ,,problematik” nga tërësia territoriale e shtetit, pasi të jenë rregulluar punët me pjesët tjera të vendbanimeve me shumicë shqiptare. Ky mësim tanimë i lexuar nga pushtetet e mëparshme, të cilat kanë tentuar edhe me dhuna ta zgjidhin këtë problem, nuk guxon as të mendohet se mund të arrihet me mjete e metoda politike të sofistikuara, në kohën kur të gjitha shtetet dhe popujt e rajonit janë përkushtuar të integrohen së strukturat euroatlantike.           

Kjo tendencë, në forma të tjera më të sofistikuara po shprehet edhe përmes ,,ndërhyrjes” së njëanshme në fushatën e zgjedhjeve vendore të radhës në Komunën e Tetovës, si komunë kryesore, qendër politike, arsimore dhe kulturore e shqiptarëve në Maqedoni, me pretendime për t’i mbajtur edhe më tej në pushtet klanet politike, kundër të cilave kjo qeveri është zotuar se do t’i luftojë pa kompromis, për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE në një periudhë të gjatë kohore.

Nëse njëherë e mirë jemi kuptuar që këtë shtet ta ndërtojmë, ta zhvillojmë e përparojmë së bashku, këtë vullnet të mirë duhet ta kaltivojmë të gjithë, duke ndërtuar shtet ligjor dhe institucione të qëndrueshme, në paqe dhe demokraci; por, demokraci të mirfilltë, me orientim perëndimor dhe modern, jo me imponime e diktate, me mashtrime e strategji djallëzore, me mentalitet primitiv ballkanik në frymën e shekullit të nëntëmbëdhjetë; pa apetite për nënshtrimin dhe sundimin e të tjerëve, pushtimin dhe dominimin e hapësirave etnike të popujve fqinj, me të cilët i kanë detyruar rrethanat historike ta ndajnë fatin e përbashkët, të sotmen dhe të ardhmen.

Për ata që kuptojnë e shohin, votimi i kandidatëve të imponuar nga një subjekt politik joshqiptar në komunat me shumicë absolute të popullsisë shqiptare është e gabuar. Edhe pse LSDM i promovon politikat e saj si parti shumetnike, këto siç duket janë recidivë të trashëguar nga e kaluara, meqë pjesëtarë me përkatësi etnike shqiptare në radhës e saj ka pasur edhe ish partia komuniste jugosllave, e cila tanimë ka ikur me turp në analet e historisë.

Shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton dhe shumicë e konsiderueshme, kanë traditë shtetformuese, jetojnë në vazhdimësi teritoriale në trojet e veta etnike dhe kanë të drejtën e patjetërsueshme të qeverisin me komunat, qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë, pa ndërhyrë dhe diktuar të tjerët se çfarë pushteti u nevojitet atyre.

Mbyllja sy para këtij realiteti, përskaj problemeve ekzistuese, do të gjenerojë edhe probleme të tjera shtesë për lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni, prandaj, do të ishte mirë që kjo tendencë të parandalohet me kohë, si strategji e gabueshme për të ardhmen e Maqedonisë.

Kjo ide mund edhe të trajtohet si hap përpara, si ide moderne dhe e dobishme, progresive dhe qytetëruese, por jo pa ndryshimin e kushtetutës së shtetit, me të cilën do të definohej koncepti i shtetit të së ardhmes, ku shqiptarët do të jenë popull shtetformues në Maqedoni, i barabartë me popullin maqedonas, të cilët duhet ta ndërtojnë këtë shtet siç edhe kontribuojnë për atë, së bashku me bashkësitë tjera etnike pakicë. Në pajtim me këtë koncept, edhe partitë politike që pretendojnë ta konsiderojnë veten si shumetnike, qytetare e progresive, duhet t’i përshtatin programet, statutet dhe aktet tjera partiake në këtë frymë, siç pretendojnë aktualisht drejtuesit e këtyre partive.

Të gjithë ata që janë munduar ta kalojnë hendekun pa bërë ,,hop”, e kanë dëmtuar vetveten. Prandaj, në këtë fazë të zhvillimit shoqëror, në situatën aktuale që gjendet Maqedonia, kur i mohohet emri i shtetit nga fqinji i saj jugor, identiteti fetar e historik, kombëtar dhe gjuhësor i popullit maqedonas, nga shtete të tjera fqinje, me të drejta dhe liri qytetare të kufizuara përmbrenda (siç është liria e mediave), duhet të hiqet dorë nga kjo ide e papjekur, e ngutshme dhe dëmshme për të ardhmen e Maqedonisë.

Comments

comments