Sulmi në Stamboll frikëson Europën, ja masat që po ndërmerren

Sulmi në Stamboll frikëson Europën, ja masat që po ndërmerren

Sulmi në Stamboll ka vënë në alarm shtetet europiane që janë në gatishmëri maksimale për të parandaluar çdo akt të ngjashëm terrorist. Autoritetet janë në dijeni se grupe xhihadistësh po lëvizin të armatosur, të gatshëm për të goditur verbërisht kontinentin.

Në Gjermani, ku janë ende të freskëta kujtimet e sulmit terrorist në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, niveli i gatishmërisë është maksimal pas informacioneve se disa celula xhihadistësh janë aktive në këtë vend. Sipas gazetës Bild, Prokuroria Gjermane ka identifikuar të paktën katër luftëtarë irakianë të ISIS, të cilët besohet se janë në Gjermani.

Nuk dihet nëse ata janë bashkëpunëtorë të tunizianit Anis Omrit, i cili e përgjaku tregun e Krishtlindjeve në Berlin, por autoritetet nuk e përjashtojnë këtë mundësi.

Edhe Franca, një vend që përjetoi në lëkurë terrorizmin islamik gjatë vitit të kaluar është në nivelin maksimal të Sigurisë. 48 oret e fundit autoritet franceze kanë kryer rreth 450 arrestime personash të dyshuar për lidhje me organizatat ekstremiste.

Para nisjes për në Bagdat këtë të hënë presidenti francez Fransua Olond theksoi se përballja me Shtetin Islamik në Irak do të parandalojë sulmet në Francë.

Gazeta franceze «Le Figaro» vë në dukje se Olond është i vetmi lideri i koalicionit ndërkombëtar, i cili po viziton Irakun që prej fillimit të sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik dy vjet e gjysmë më parë.

Në Britani, autoritetet janë në gjendje të lartë gatishmërie, pas deklaratës së ministrit të sigurisë se Shteti Islamik është duke u përgatitur për sulme me armë kimike. Deklarata e Ben Ëallas erdhi disa orë pas sulmit në klubin e natës Reina të Stambollit ku mbetën të vdekur 39 të persona.