“Takimet Poetike të Karadakut – 2017”

Në Kumanovë, të shtunën, u mbajt edicioni i 25-të me radhë i manifestimit kulturor tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”, me pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare.

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Sevdail Demiri, tha se gjatë këtij çerekshekulli, me vulën e këtij klubi janë botuar më se 60 vepra letrare dhe mbi 50 numra të revistës “Doruntina”, të cilët përbëjnë një shtresë mjaft të pasur kulturore të kësaj ane.

Manifestimin e përshëndeti zëvendëskryeministri Arbër Ademi, i cili theksoi rëndësinë e fjalës artistike, e cila fatmirësisht vazhdon të kultivohet me shumë përkushtim edhe në Kumanovë, madje duke i kaluar edhe kufijtë nacional.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, tha se ky organizim kulturor është shumë domethënës, për fakatin që mbi 25 vjet vazhdon të jetë një pikëtakim i poetëve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar nga të gjitha trojet shqiptare.

Pas paraqitjes së mbi 30 poetëve në orën e madhe letrare, juria e përbërë nga Arsim Halili, Burhanedin Xhemaili dhe Arben Rashkaj, përzgjodhi poezitë më të suksesshme, të cilëve iu nda Çmimi letrar “Fadil Bekteshi”. Kështu, poetja Lindita Ramushi-Dushku u shpërblye me vendin e parë, Lola Shehi me vendin e dytë, kurse vendi i tretë u nda në mes poetëve Selajdin Shabani dhe Adriatik Zeqiri.

Përpos tyre, në orën letrare, me poezi u paraqitën edhe: Sabit Rrustemi, Kalosh Çeliku, Ferid Selimi, Behram Hoti, Bejtush Memeti, Nazmi Beqiri, Nexhat Rexha, Xhevat Latifi, Bilall Maliqi, Ramadan Asllani, Arber Saliu, Sadije Aliti, Rahim Ganiu, Semine Hasani, Ismail Ganiu, Arben Ibrahimi, Bajram Ramadani, Sunaj Raimi, Sami Sherifi, Ali Qerimi, Fatos Rushiti, Kreshnik Sopaj, Arta Selmani, etj.

Të gjitha poezitë e lexuara në këtë orë letrare, do të botohen në numrin e radhës të revistës kulturore – letrare “Doruntina”. Për kontributin e dhënë, kryesia e klubit ndau mirënjohje dhe nga një komplet librash për zëvendëskryeministrin Arbër Ademi, sekretarin shtetëror të Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, kryetarin e Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, Televizionin “Festa”,  Televizionin “Hana”, dhe Foto-studio “Drita”.  Gjatë këtij viti do të botohet edhe një monografi që i kushtohet veprimtarisë 25-vjeçare të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.

 

 

 

Comments

comments