Të pafajshëm e të përndjekur

0

Nga Driton NEBIU/

Ei incumbit probation qui dicit, jo qui negat! (Barra e proves është mbi atë që deklaron, e jo tek ai që mohon!). Është ky një parim që ka të bëjë me prezumimin e pafajsisë, e që është i përfshirë në sistemin juridik të të gjitha shteteve demokratike, por vetëm në ato shtete vërtet demokratike, e që për fat të keq nuk mund të thuhet edhe për shtetin “demokratik” në të cilin po jetojmë, e aq më pak për ato raste ku të akuzuar janë shqiptarët. Sot e tetëmbëdhjetë vite më parë, edhe pse në moshë tepër i ri, e mbaj mend një pompozitet të paparë nga ana e forcave policore të këtij vendi, kur ia mësynë Haraçinës dhe bastisjeve në më shumë shtëpi me pretekstin për të gjetur vrasësit e tre policëve në afërsi të Haraçinës. Traumatizimi, mbjellja e frigës, dhuna dhe shfryrja e mllefit ishin përqëndruar në fshatin ku jetoj, dhe e gjithë kjo rezultoi edhe me humbje jete të një bashkëfshtari, nga sot edhe i vërtetuar si i pafajshëm. Sot u vërtetua një pafajsi dhe u dëshmua edhe një pardejtësi, e që janë të shumta në numër e edhe më të mëdha në vite dënimi. Çdo ditë e më tepër po dëshmohet se shqiptarët në këtë vend u përdorën për larje hesapesh në politikbërjen e këtij vendi, duke u ballafaquar me procese të montuara sa here që kjo u nevojitej qarqeve të caktuara. Të pafajshmit gradualisht po vërtetojnë pafajsinë e tyre, por si duket vështirë do të jetë që ata që sajuan dhe montuan të fitojnë ate që meritojnë. Askush si duket nuk po dëshiron të merret me ata që prishën e shkatërruan jeta njerëzish e familjesh. Po ju mjafton vetëm të shpallen të “pafajshëm” ata që edhe në fakt ishin të pafajshëm, po çka se ata tanimë ishin të njollosur në shoqëri e të përvuajtur nga mbajtja e dënimeve të pamerituara, disa madje edhe nuk janë fare në mesin tonë. Raste si ky që sot përfundoi, në mesin e shqiptarëve ka shumë. Nëpër burgjet e këtij shteti ende po vuajnë shqiptar të pafajshëm, qoftë nga “drejtësia” një etnike që prej më parë cakton dënimet dhe fajësinë, poashtu edhe nga politikëbërja shterpe e atyre që “na përfaqësojnë”, e që nuk paten dhe nuk po kan fuqinë që një herë e përgjithmonë të zbardhin të gjitha rastet e montuara dhe të sjellin drejtësinë në vend, edhe pse e njejta do të jetë edhe ashtu drejtësi e vonuar. Hapërimi përpara si duket ka filluar, ka mbetur ende punë dhe përkushtim, por jo me ata që na sollën në këtë gjendje. Kemi nevojë për ndryshim.

Komentet

komentet