UDB-a si e vrau Dibranin e pamposhtur

Këtë vit mbushen 25 vjet nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të palodhur të komunitetit të shqiptarëve në Amerikë, Din Egriut, babai, vëllai dhe xhaxhai i mirënjohur, që e thërrisnin të gjithë si Daja Din, njofton agjencia e lajmeve INA. 

Një atentat i organizuar nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, në bashkëpunim me elementet e saj në Maqedoni më 27 prill të vitit 1992 goditi figurën e pamposhtur të atdhetarisë dhe aktivistin më të njohur të çështjes kombëtare, gjegjësisht misionin për Kosovën, dibranin Din Egriu.

Si e organizoi atentatin UDB-a

Ishte mbrëmje e ditës së shtunë. Si zakonisht Dini rrinte vonë në zyrën e tij në Brooclyn të Nju Jorkut, të cilën e kish furnizuar me literaturë kombëtare e gazeta të ndaluara ne ato vite nga sistemi diktatorial jugosllav.

“Rreth orës 21 e 30 min, pas disa telefonatave të bëra në çdo çast, kuptova se diç s’ishte ne rregull, ndaj me vrap shkova në zyrë, qe gjendej rreth 200 m. larg banesës sonë. O Zot, o Zot, ç’me pa: Dera e zyrës ishte e hapur, kurse në dysheme i larë krejt gjak ishte i shtrirë bashkëshorti im i shtrenjtë”, kështu rrëfente dëshmitarja Anifeja, në dëshminë e lënë, e cila sot gjithashtu edhe ajo është e ndjerë.

Ishte pa frymë, s’lëvizte fare dhe s’jepte shenja jete. Në mur qëndronte lëvarur receptori i telefonit dhe aty kuptova se Dini s’ka mund të telefonojë. Së pari kërkova ndihmën e shpejtë, mandej u telefonova djemve: Naxhiut e Naimit që të vijnë në ndihmë”, bën të ditur rrëfimi i Anifesë, si protagoniste e këtij tmerri.

Pas dy muaj qëndrimi në spital, familja mësoi nga goja e Dinit se mbrëmjen e 27 prillit, tre veta të maskuar e me shufra hekuri e kanë qëlluar, duke brohoritë në gjuhën e tyre: -Ja ku e ke Kosovën Republikë!, Por, për këto punë Dini s’kishte frikë.

Pas atentatit, Sigurimi Shtetëror Federal Amerikan (FBI), e mori në mbështetje.

Mirëpo, ai pas shumë dhimbjeve dhe plagëve të rënda, ndërroi jetë më 27 prill, ndërsa më 30 prill u varros me nderime të larta atdhetare në vendlindjen e tij në Dibër të Maqedonisë. “E kishte lënë amanet këtë ai dhe vdiq ku i deshti shpirti i tij, pra atje në tokat shqiptare, duke lënë amanetin e fundit me gojën e tij me gjysmëfjalët: Kosovë!

Nuk lejohej varrimi në vendlindje

Gjashtë ditë rresht, ambasada jugosllave nuk lejonte që arkivoli i tij të dërgohet në vendlindje e të kryhej në mënyrë sa më madhështore, ashtu siç e meritonte ceremonia e varrimit. Mirëpo, falë përfaqësisë diplomatike amerikane dhe me urdhrin e saj, u vendos që nëpër vendkalimin kufitar të Bllacës, në afërsi të Dibrës, të kalojë kufoma e të ndjerit e të varroset në vendlindje. Dini, edhe i vdekur qe tmerr për shovinistët sllavë Vdekja e Dajës Din,siç e thërrisnin u prit dhe indinjatë të thellë nga të gjithë dibranët. I madh e i vogël dëshironin të merrnin pjesë gjatë homazheve të varrimit. Mirëpo, që të pengohet ceremonia e varrimit, pushtetarët maqedonas përgatitën skenar se gjoja për shkak të trazirave që kishin ndodhur në Dibër, dy javë para vdekjes së Dinit, në mes qytetarëve dibranë dhe policisë, në të cilën përleshje u lënduan 8 policë, ndërsa njërit prej tyre i`u dha flaka,u dogj dhe u lëndua rëndë. Pra, ky qe shkaku kryesor i pushtetmbajtësve maqedon që të pengonin ceremoninë e varrimit.

Ata ishin të sigurt se tërë homazhi i varrimit do të shndërrohej në protestë masovike të dibranëve, ndaj urdhëruan që, arkivoli i të ndjerit të mos lëshohej këndej kufirit para ora 20 i natës, ndërsa, në ora 21 e 30 min nisi arkivoli në drejtim të varrezave dibrane.

Në ato çaste, disa riga shiu filluan të pikojnë mbi fytyrën e tij. Edhe qielli vajton për Dinin tonë bujar e të përvuajtur !-Thanë disa dibranë.

Edhe pse varrimi u krye natën në të errët. Edhe pse shumica e qytetarëve s’dinin se do të kryhej natën varrimi, ashtu nëpër terr, përmes dritave të automobilave i`u dha përshëndetja e fundit dhe u ndanë përgjithmonë shumë të afërm, miq, shokë e dashamirë nga Dibra, Shqipëria e Kosova.

Në ballë të aktiviteteve kombëtare

Ashtu të stërvuajtur, të djegur e të përvëluar, të krisur, por kurrë të nënshtruar, mund ta takojshe në të gjitha metropolet e Amerikës dhe të Evropës duke brohoritë e trokit në çdo institucion politik e diplomatik për të drejtat dhe çlirimin e gjithë popullit shqiptar. Ai ishte i pamposhtur dhe kudo vepronte për çështjen shqiptare, duke alarmuar nëpunës të administratës amerikane nga zyrat vendore të Nju Jorkut e deri tek instancat më të larta të administratës amerikane në Uashington e në Nju Jork. Ashtu marshonte sa herë që e lypte nevoja rrugëve të botës, posaçërisht në rrugën 47 -të Nju Jorkut, para OKB-së, të cilin nga gjithë ajo masë e madhe demonstruesish mund ta dalloje lehtë, sepse, si zakonisht në çdo demonstratë i shoqëruar nga njerëzit tij, ai mbante plisin e bardhë. Predikimi i Dajës Din ishte shumë i bindshëm e modest: vetëm ta shoh Kosovën të lirë, të pavarur e të bashkuar me të gjitha trojet shqiptare! Shtëpia e Dajës Din ishte konak dhe odë pritjeje për të gjithë shqiptarët.

Ajo, me fotografitë e patriotëve të Rilindjes sonë kombëtare e të heronjve të rënë për liri, u shndërrua në Muze të kombit. Çdo pjesë e hapësirës së shtëpisë që jetonte Daja Din është stolisur me shenja e simbole kombëtare. (ina-online.net)

Comments

comments