Vendimet e Asamblesë Socialiste

0
5

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi të mos prekë anëtarësinë e sekretariatit, përveç shtimit të postit të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, që iu besua Teuta Vodës, zv/ministre e Drejtësisë dhe zëvendësimit të Sekretarit për Çështjet Zgjedhore. Në vend të Blerina Gjylametit u votua Bledi Çuçi, i cili bashkëdrejton komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Gjylameti do të mbajë postin e Sekretares së koordinimit Elektoral në PS. Po ashtu u vendos që në kryesinë e PS-së të rikthehet Gramoz Ruçi, i cili u largua pasi iu besua drejtimi i Kuvendit. Në mbledhjen e Asamblesë, kreu i saj Taulant Balla, deklaroi se askush nuk duhet të ndihet i vetëkënaqur.

“Zgjedhjet vendore 2019 janë vetëm 17 muaj larg, dhe për ne ky vit që fillojmë me këtë asamble është viti i një organizimi elektoral në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Natyrisht që partia është baza mbi të cilën organizohen fushatat elektorale; por në ushtrim të detyrës që kjo Asamble më ka besuar, dua që të jetë e qartë për të gjithë kryetarët aktualë të bashkive, përfaqësues të Partisë Socialiste, se secili duhet të jetë në krye procesit të Bashkëqeverisjes, në çdo komunitet, qytet a fshat që ju ka besuar detyrën e qytetarit të parë, por edhe të shërbëtorit të parë të halleve të komunitetit.”

Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, pritet të mblidhet kryesia e partisë gjatë të cilës do të diskutohen çështjet organizative partiake dhe zgjedhjet e drejtuesve të rinj në bazë.

Comments

comments