Vetëvritet shtetasja maqedonase, bashkëshorti lirohet nga akuza e vrasjes

Gjykatësi zviceran ka rehabilituar një shtetas maqedonas, i cili iu ishte nënshtruar shumë vuajtjeve. Me të padrejtë, ai ishte akuzuar se ka vrarë bashkëshorten.

Pas një beteje të gjatë me autoritetet juridike zvicerane, një shtetas maqedonas, me profesion shtrues dyshemeshë ka korrur një fitore të pjesërishme: Gjykatësi zviceran i Gjykatës së rrethit të Bremgartenit në Zvicër, Peter Thurnherr e ka liruar ate nga akuza se si i huaj ka blerë në mënyrë jashtligjore një pistoletë. Jo ai, por bashkëshortja e tij e kishte blerë armën, ka theksuar në vendimin e tij gjykatësi. Një rol të madh në bindjen e gjykatësit në këtë fakt, e ka luajtur edhe avokati mbrojtës i shtetasit maqedonas. Me këtë rast, i akuzuari ka marrë një dëmshpërblim prej 4.950 frangash zvicerane, pasi në paraburgim kishte qëndruar me të padrejtë për 18 ditë. Edhe shpenzimet e tjera gjyqësore do të paguhen nga shteti.

Gjykatësi Thurnherr me një ndjenjë të madhe i ka pranuar vuajtjet e shtetasit maqedonas, të cilat e kanë shoqëruar për tre vite me radhë. Në Zvicër ai ka ardhur para 20 viteve, ndërsa profesionin e tanishëm kishte filluar ta ushtrojë i pavarur që nga viti 2006. Bashkëshortja e tij e kishte blerë një pistoletë, pasi në depon e saj ndjehej e pasigurt. Po me të njëtën armë, në vitin 2014 ajo e kishte humbur jetën tragjikisht.
Prokuroria e kishte akuzuar shtetasin maqedonas se kinse ai e kishte vrarë bashkëshorten, duke e dërguar në paraburgim. Pas një viti, Prokuroria e kishte ndërprerë procedurën ndaj tij, pasi ishte dëshmuar se shtetasi maqedonas ishte plotësisht i pafajshëm, shkruan „Aargauer Zeitung“, njofton „Shtegu.com“. Megjithatë, organet e hetuesisë nuk e kishin lënë ende të qetë, duke e akuzuar se pistoletën e kishte blerë në mënyrë jashtligjore. Sipas ligjit zviceran në fuqi, shtetasve maqedonas nuk u lejohet blerja dhe posedimi i armëve.
Pas vetëvrasjes së bashkëshortes, familja e saj e kishte vënë nën presion ate, ka pohuar shtetasi maqedonas. Që atëherë, fëmijët e tij janë duke jetuar tek gjyshërit, ndërsa për këtë, Gjykata familjare ka një faj të madh. „Do të luftoj për të drejtat e mia deri në Gjykatën federale, apo deri në Strasbourg“, ka vazhduar mëtutje ai. „Për mua familja është gjithçka. Fëmijët e mi mund të manipulohen dhe të sëmuren“, ka deklaruar shtetasi maqedonas. Mrojtësi i tij ka theksuar se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka të bëjë asgjë me vdekjen e bashkëshortes. Ajo personalisht e kishte blerë armën.

Gjykatësi ka cekur se lirimi i tij nuk është sukses, por se thjesht, ai është i pafajshëm. Ai shpreson se shtetasi maqedonas do të vazhdojë të kërkojë të drejtën e tij, por se në situatën familjare nuk mund të ndikojë asgjë në mënyrë të drejtpërdrejtë. „Prokurorja ma ka shkatërruar jetën. Ajo lejoi që të varroset bashkëshortja ime pa më pyetur mua“, ka përfunduar ai. (INA)

Comments

comments