Video/Lufti Ame nga Shkupi, 60 vjet punon si berber

Lutfi Ame është berberi më i vjetër në qytetin e Shkupit, i cili po e ushtron këtë profesion të  nisur 60 vjet më parë. Në floktoren e tij të vogël, që ka mbetur e njëjtë si ajo e viteve më parë, ai na tregon se këtë punë e ka bërë pas kthimit nga ushtria, duke hapur dyqanin e parë në Çarshinë e vjetër, e më pas në Çair.

‘’Pas ushtrisë kam shkuar atje në Çarshinë e Vjetër, kam punuar 5 vite rradhazi. Prej atje u shpërngula këtu, këtu jam 55 vite, në këtë objekt. Dëshira ime ka qenë kjo, kisha dhe dy shokë të cilët filluan si ‘’çirak’’ këtë punë, edhe une u kapa atje dhe kështu mbetëm’’, tha ai.

I përkushtuar ndaj punës së tij edhe sot ai na tregon mjetet e vjetra me të cilat ka punuar, ndër të cilat edhe gërshërët që janë 50 vjet të vjetra dhe janë përdorur për të rralluar flokët.

‘’Këto janë 50 vite, këto tjerat janë pak më të reja dhe janë për të rralluar flokët, kush ka flokët e dendura dhe të shpeshta, ndërsa këto tjerat janë 50 vite dhe ende punojnë. Makineria funksionon kështu me gishta, unë di të punoj edhe tani me këto por të rinjtë nuk dinë të punojnë me to’’, shtoi Ame.

Edhe pse është nga më të vjetrit në këtë profesion Lutfi Ame thotë se më parë ka pasur më shumë punë, por me hapjen e floktoreve të reja atij i kanë mbetur vetëm klientët besnik.

‘’Më parë kemi patur më tepër punë, berberë dhe gjëra të tilla nuk ka patur shumë, kanë qenë më të rrallë, ndërsa tani janë mbushur këto të rinjtë, e njeh apo se njeh zanatin’’, u shpreh ai.

Të njëjtin zanat ai dëshiron t’ua trashëgojë nipërve të tij, mirëpo thotë se ata nuk kanë shfaqur ndonjë interes në këtë drejtim. Luftiu thotë se është i bindur se do të vazhdojë këtë zanat derisa të jetë në gjendje ta bëjë atë.

Comments

comments