Visar Ganiu falenderon banorët e Cairit për mbështetjen

Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që më dhatë votat e 29 tetorit. Falënderoj fillimisht strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim që më përzgjodhën kandidaturën time për të qenë pjesë e garës zgjedhore, Shtabin zgjedhor për përkushtimin e dhënë në rrugën time deri këtu, për të arritur këtë rezultat, Forumin e Gruas, Forumin rinor, të gjithë aktivistët, simpatizantët, familjen time, e të tjerë, të gjithë ju që ishin pjesë e kalvarit zgjedhor, e kësaj rrugë shpeshherë ku u përpoqën bashkë entuziazmi dhe ankthi i pritjes, akuzat dhe lëvdatat, euforia, dilemat dhe zhgënjimet. Në mënyrë të veçantë falënderoj mbështetjen e dhënë nga partneri ynë i koalicionit.
Po ashtu mirënjohja ime e thellë i dedikohet të gjithë atyre votues që iu drejtuan kutive të votimit. Të gjithë ata që rrethuan numrin tim dhe më mbështetën që në raundin e parë. Por edhe gjithë të tjerët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Pasi kjo fitore në zemër të Shkupit shqiptar është jo vetëm fitorja ime personale dhe e partisë më të madhe shqiptare, BDI-së, por vetëm një betejë e fituar në luftën tonë të vazhdueshme për një jetë më të mirë, për një komunë me perspektiva evropiane, ku ëndrrat tuaja dhe vizionet e gjeneratave të tjera do të bëhen realitet. Ju premtoj se nuk do t’ju zhgënjej, se besimin e dhënë në këtë ditë të madhe, që së bashku vendosëm ta ngjyrosim me blunë e fitores, do t’jua rikthej gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes.
Kemi shumë punë për të bërë, por Kontratën e kemi nënshkruar, me zemër dhe me vulë. Unë jam këtu dhe gjithmonë do të jem këtu, në shtëpinë tonë të madhe, Çairin, në simbolin e shqiptarisë, në vendin ku ka vend për të gjithë dhe fitoren e ndajmë së bashku.

I Juaji, Visari

Comments

comments