Visar Ymeri: LDK-ja na lutej e AKR-ja iku

Visar Ymeri: LDK-ja na lutej e AKR-ja iku

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, foli për herë të parë për bisedimet që partia që drejton, kishte me LDK-në dhe AKR-në, sa i përket mundësisë së lidhjes së koalicioneve parazgjedhore.

Në intervistën e dhënë në RTK, Ymeri shpjegoi se nga LDK-ja ka pasur shumë kërkesa në drejtim të Vetëvendosjes, që të takohen dhe të bisedojnë.

“Pas kërkesave të shumta nga LDK-ja, i kemi takuar”, tha Ymeri, në intervistën dhënë televizionit publik.

“Pas kalimit të afateve për koalicione, ka pasur vetëm dy mundësi: ata të vijnë nën siglën tonë ose ne të garojmë nën siglën e tyre”.

Por sipas Ymerit, Vetëvendosje nuk ka mundur të pranojë që të hyjnë në zgjedhje, në  siglën e LDK-së, një partie të rrëzuar nga Qeveria për shkak të shumë dështimeve.

“Zgjidhja ishte që ata të vijnë te ne, sepse kemi treguar me kohë që nga koha e VLAN-it,  zemërgjerësinë tonë”, tha Ymeri.

Ymeri më tej shpjegoi se LDK-së i kanë thënë se duhet të hyjnë në listën e Vetëvendosjes për shkak të mungesës së besimit, që kanë ndaj tyre,  për shkak se në kohën e VLAN-it, ata ishin marrë vesh, dhe në fund LDK-ja -“e tradhtoi besimin tonë”.

“Por në fund LDK-ja iku te PDK-ja”.

“E pastaj me AAK-në e Nismën,  bëmë shumë bashkë që t’i  ndalim dy marrëveshjet e dëmshme, por ata prapë ikën tek PDK-ja”

“Vetëvendosje mbetet infrastruktura për ndryshim”.

Ymeri më tej deklaroi se në takimet që kanë pasur me LDK-në, ata të vetmin hall e kishin që Vetëvendosje të mos i sulmonte gjatë fushatës.

“LDK ishte e interesuar që të marrë miratimin tonë që të mos i sulmojmë në fushatë. Nuk e kishin hallin e Kadri Veselit dhe të situatës  në të cilën e kanë sjellë vendin, por të mos sulmohen gjatë fushatës e ta ruajnë vetën”.

më tej, Ymeri foli edhe për bisedimet që kishin me AKR-në e Behxhet Pacollit.

“Me AKR-në kemi pasur disa takime, kemi pasur përafrim pikash programore”, shpjegoi ai.

“Sa herë jemi takuar është rritur besimi dhe janë përmirësuar përshtypjet për njëri- tjetrin”.

Por sipas Ymerit, në momentin e fundit, AKR-ja shkoi te LDK-ja.

“Ata as nuk denjuan të na tregojnë asnjëherë përse shkuan me LDK-në edhe pse  kemi menduar se bashkëpunim i tillë do të ishte në dobi”.