I vranë shokun para syve, çfarë po ndodh me dëshmitarin e ekzekutimit në Vlorë

Dëshmitari i vetëm që ka qenë në shoqërinë e Marjen Xhaferajt (Renato Omerit) natën e vrasjes së tij në Lungomare, nuk ka qenë në gjendje të japë një dëshmi që do të ndihmonte Policinë e Vlorës në identifikimin e autorit që qëlloi gjashtë herë me armë zjarri shënjestrën e tij.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ai (emri nuk bëhet i ditur për shkaqe sigurie), ka qenë në gjendje shoku në momentin kur grupi hetimor ka shkuar për t’i marrë deponimin.

Gjatë dëshmisë së dhënë, dëshmitari ka sqaruar se nuk mban mend shumë gjëra, pasi çdo gjë ndodhi në një kohë të shpejtë.

Sipas dëshmisë së tij, atentatori i është afruar 37-vjeçarit duke e qëlluar 6 herë më pistoletë, shkruan “Panorama”

Pas këtij momenti ai është larguar nga tavolina e lokalit ku ishin ulur të dy. Pritet që policia ta rimarrë në pyetje në një moment të dytë dëshmitarin kyç të kësaj ngjarjeje, pasi dëshmia e tij konsiderohet mjaft e rëndësishme për hetimin.

Deri më tani policia ka shoqëruar mbi 15 persona, të shumtët në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes.

Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe të afërm apo persona të tjerë, të cilët mendohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe autorët e përfshirë në të. Atentati që ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën më të populluar të Vlorës, në kulmin e sezonit turistik, mësohet se ishte i treti ndaj viktimës.

Dy muaj më parë, ai i kishte shpëtuar vrasjes në një kazino në qytetin e Vlorës, por asokohe ngjarja nuk u bë publike. Rasti më i bujshëm është ai i ndodhur më 21 dhjetor të 2015-s në zonën e quajtur “Torra Veneciane” në Durrës.

Në këtë ngjarje mbeten të vrarë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i viktimës së të dielës në Vlorë. Dyshohet se edhe në atë kohë, shënjestër mund të ketë qenë 37-vjeçari, baba i tre fëmijëve.

Ai ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, por arriti të shpëtonte. Për këtë ngjarje, një ndër dyshimet e policisë ishte përfshirja e Gaz Çollakut. Ky i fundit u rrëmbye dhe u gjet i lidhur dhe i vrarë rreth dy javë pas vrasjes së dyfishtë në Durrës

Comments

comments