Vrasësi im Rrufjani ende është gjallë

KALOSH ÇELIKU

PËRÇUDI ZGJHOHEM NË VARR 

DHE VETEN VRAS NË LIRI

 

Kohën e fundit, Veten shoh ëndërr mes varreve

Rrëzë Çukës, edhe një varr i hapur.

Imzot, mos kam vdekur në gjumë

E, unë ende nuk e di përsëgjalli nën Rrap?!

 

Nateditë turrem pas Dy shtambave me verë

Përçudi, nuk e di si zgjohem në varr?!

Dhe, Veten e vras në Liri…

 

 

(Njeri i gjallë nga varri

nuk më nxjerr në Mal)

 

Imzot, të vdekurit zgjasin duart

Nateditë më kërkojnë ndihmë!

E, presin t’i nxjerr nga varret

Përdore t’i marr përmes fushës

Bregut Lumit. Livadheve. Maleve.

 

Vallë, si nuk e dinë se: Unë jam në varr

E, nuk ka njeri të gjallë në këtë botë

Nesër, përkrahu të më nxjerr në Mal…

 

 

(Unë puth në faqe gra e jo hadumë)

 

Viti Plak (2016) , fundekrye  xhuxh përralle

Vit dinak. Ujk pas dere me këmbën me miell

Mëkot, më troket te porta nëpër shekuj.

Netët të gjata, o mik. Ditët me ferexhe

Dimri çmendet pas dere. Pranvera larg.

 

Rrugët i gdhimë me protesta politike – fetare

Flamuj të huaj, rroken qafë për qafe:

Përpara Qeverisë me flamurin kuqezi.

Zorrë nuk kam për t’i vjellë në “hale”

Shkaku, se: më përzihet barku. Trutë.

Shtatë sahat larg, sot  e fluk vargun.

 

“Bomba” politike para kamerave televizive

“Shpëtimtarin” duke e puthur në të dy faqet

Edhe, atë: Çerdhen e UÇK -ës, në Kumanovë.

 

Nesër, nuk e di si do të çelin lulet në Livadh

Ujë kush do t’u jap në Kopësht. Bukuri?!

Lulëzojë oborri. Bari ngrejë kokën për Liri.

 

Vit xhuxh, thyej qafën! Kokë vekshi me dy vegë

Unë, puth në faqe gra. E, jo hadumë të Njerkës…

 

 

(Valle mbi shpuzën e zjarrit)

 

Vallja lehtë hiqet me shami në Livadh

Ose, Lëmë përpara Shtëpisë me lodra.

Nusen kur e zbresin krushkat në Lëmë.

Por, ecë e hiqe vallen në mal

Me krushqi të ngrirë. E, koçi pa Nuse!

 

Vallja lehtë hiqet në Livadh. Lëmë

Por, ecë hiqe mbi shpuzë! Zjarr.

Pena ime kur mbytet me raki rrushi. Verë.

 

Përçudi, nga hurdha nuk e nxjerrë njeri i gjallë…

 

 

(Pena ime zjarreflakë digjet në Oxhak)

 

Pena ime, ndizet zjarreflakë

Nateditë, digjet në oxhak.

 

Dimri kur delë te Kodra e Tikeve

Gunën e bardhë hedhur krahëve.

Nata pret të bie, zbresë në Katund

Lëmën të na e pushtojë. Çatinë.

Mundësisht, edhe Oxhakun.

 

Zogjtë, herët kanë dalë nëpër dritare

Cicërrojnë për thërmia buke!

Kokërra misëri rrasin barkun

Hutini, u ka vënë pusi mbi çati.

 

Ujë! Ujë, hudhni Penës sime – zjarr

Përndryshe, flakën ia vura Shtëpisë Publike!…

 

 

(Lopa e Qytetit pëllet për Viçin e palëpi)

 

Politikanët tanë besnikë, e gjejnë nga një Lopë

Edhe, e mjelin përpara ekraneve televizive.

Institucioneve të Shtetit me një torbë taxhi.

Ministri. Vetëmse, Lopa e Qytetit nuk ka tambël

Shqelma qet në mes të Sheshit “Skënderebu”.

Pëllet në televizor për Viçin e palëpi

Dudumët, kthehen në Katund edhe pa kusi.

 

Dudumë, Nëna ime i zgjidhte lopët nga soji

Përçudi?! Nuk i shihni në Ditën e Sotshme

Lopët tuaja, se: I ka pi Bolla me flokë?!…

 

 

(Rrapi Nesër do lulëzojë prej Rrufesë)

 

Patjetër, Nesër Rrapi do lulëzojë prej Rrufesë

Arsye: shiu do të bie me shtamba.

Natyra do të egërsohet. Hakmerret

Bërllokun ia kemi lënë te pragu i derës.

 

Qielli do të bombardojë me breshër

Çatitë t’i lajë nga bërlloku shekullor.

Hedhurinat të na i kthejë prapë në Vatër.

Rrëzë Çukës, të rritet bari mbi varre.

 

Nesër, do të zgjohen të vdekurit nga varret

Shkaku, se: Sot, na mbytën të gjallët…

 

 

(Vrasësi im Rrufjani ende është gjallë)

 

Vrasësi im, Rrufjani ka emër dhe mbiemër

Përçudi, ende që të dy jemi gjallë?!

Edhe pse, ai ka vulë në ballë

E Unë, pusi pas ferre në mal.

Jo si ai, i përgëdhelur në Qeveri

Me çmime shtetërore. Anëtar në Akademi.

 

Vrasësi im, sot ka emër e mbiemër

Përçudi, ende që të dy jemi gjallë?!

Zonja Vdekje, gjykatëse speciale:

Hetimet, siç duket do t’i mbyllë në varr…

 

 

(Kohë e keqe për Lirinë)

 

Kohë e keqe për Lirinë:

Çlirimtarët  – armiq! E armiqtë – “çlirimtarë”.

Parti politike në çdo rrugë. Sokak

Imzot, popull i dalldisur me shekuj

I dashuruar marrëzisht në Robëri.

Edhe sot, turret pas herdheve të Dashit.

 

Armiku brenda nate, i bëhet mik

E miku – armik. Qorr me dy sy në ballë…

 

 

(Rrugë për në Robëri)

 

E di, ndonjëri do të më pyes në Libër:

Pse, nuk shkruaj më opinione. Poezi erotike?!

Gazetat. Portalet elktronike mbush me tru.

Edhe une, kam heshtje parazgjedhore politike.

 

Themele. Hidhni. Kaci. Ndërtoni shkolla

Fabrika. Rrugë për në Roberi!

Përderisa, ai katundari nuk do t’u përgjigjet:

Politikanë, po ne nuk kemi fëmijë…

 

 

(Poeti i ka miq

edhe armiqtë)

 

Poetin e vjedhë Shteti. Njerka

E vjedhë Nëna Parti. Politikani.

E vjedhë Rrufjani në jetë

E, Ai: perçudi nuk di të vjedhë?!

 

Jo. Edhe, Ai vjedh. Ditën. Natën

Vargje, i mbushë xhepat. Bibliotekat.

Shkollat. Çantat e nxënësve

Libra për te cilët e dënojnë në Ferr.

 

Shkaku, se: nuk di të vjedhë

Si Tollumbaxhiu. Nëna Parti.

Që, sot merret me “art. Letërsi”.

 

Poeti, sot i ka miq edhe armiqtë

Jo, se: Ai i do. Po, ato e duan marrëzisht…

 

 

(Bam – baaam i paloj

me vargje tek porta)

 

“Miqtë” e mi, i ka burgosur kërpeshi kanapit në grazhd

Edhe, më sulen pas shpine kur dal tek Livadhi.

Trusakatët, nuk e dinë se, i ka lidhur nyje Nëna Parti

Dhe, përjagen kot pas meje. Torbën plot me taxhi

Përqafe, pas porte: laam-laaam. Këlyshët me zgjebe.

Nateditë,  lehin “roje besnike” tek porta. Gardhi.

 

Lëmsh m’i bëjnë vargjet. Shkrimet publicistike

Gjoja se, vetëm ato dinë ta “lexojnë” poezinë?!

Deshifrojnë mes rreshtave tek Policia letrare?!

E ngatërrojnë Ditën me Natën. Rrugën pas Çuke

Shkrepjen e “nagëntit” tim në Robëri, për Lirinë…

 

 

Atdheut sot i duhen

Ujqër mali

 

Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra

E, kurrë nuk e bëmë Shqipëri Etnike.

“Patriotë” me thasë. “Këshill opozitar”

Fundekrye, me këmbët dhe trutë në legen.

Politikanë me kamionë. Analistë trusakatë

Anembanë Trojeve Shqiptare, s’i nxë Atdheu.

Kuqezi, në ekrane televizive:  Zi. Zi. Dhe, Zi.

 

Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra

Shqipëria Etnike, siç duket kërkon Ujqër mali…

 

 

                                                        (Nga libri me poezi: Zonjën Vdekje do ta marr

                                                          për Grua, që së shpejti pritet të dalë në dritë).

 

 

Comments

comments